Lidhje

Vazhdon kriza ekonomike evropiane, pavarësisht marrëveshjes mbi Greqinë

  • Al Pessin

Vazhdon kriza ekonomike evropiane, pavarësisht marrëveshjes mbi Greqinë

Vazhdon kriza ekonomike evropiane, pavarësisht marrëveshjes mbi Greqinë

Ndërkohë që Greqia duket pranë zgjidhjes së mosmarrveshjeve politike të brendshme dhe pranimit të planit financiar të shpëtimit nga Bashkimi Evropian, Italia duket gjithmonë e më pranë një krize ekonomike të sajën.

Borxhi i madh i Italisë dhe shqetësimet mbi qëndrueshmërinë politike e rritën normën e interesit të bonove të saj në më tepër se 6,5 përqind. Kjo e vështirëson mundësinë e qeverisë italiane për të marrë para borxh për të financuar operacionet dhe për të paguar këstet e borxhit të tanishëm. Ekspertët thonë se nëse norma e interesit do të shkonte në 7 përqind vendi nuk do të mund t’a përballonte dhe do të kishte nevojë për një plan shpëtimi prej partnerëve të Bashkimit Evropian.

Problemi është, thonë ekspertët, se Italia është shumë e madhe për një plan të tillë.

Ekonomisti i Qendrës për Reformat Evropiane në Londër, Simon Tilford thotë se Banka Qëndrore Evropiane duhet të ndërhyjë, diçka kjo që zyrtarët e saj të lartë nuk duket të duan t’a bëjnë.

“Problemi është se ne jemi në një periudhë me rritje ekonomike jashtëzakonisht të ulët. Jemi duke përjetuar një dobësi ekonomike të paprecedent. Dhe kjo situatë, kërkon ndërhyrje jotradicionale nga ana e bankave qëndrore.”

Ai thotë se nëse Banka Qëndrore do të blinte bono italiane, ajo do t’i jepte edhe investitorëve të tjerë siguri për të bërë të njëjtën gjë, me norma interesi të leverdisshme. Ai mendon se kjo lëvizje do të ishte më efektive në përballimin e krizës ekonomike Evropiane, duke argumentuar se paketat e masave shtrënguese, si ajo që kërkohet të zbatohet nga Greqia nuk do të mund të zgjidhin problemin.

Ndërkohë, edhe analistja Benedicta Marzinotto e Institutit Bruegel në Bruksel është dakord me mendimin se plani i bazuar tek masat shtrënguese nuk mund të zgjidhë i vetëm krizën e Greqisë apo Evropës.

“Nuk jam e bindur nëse ajo është rruga e duhur për t’u ndjekur. Disa masa shtënguese janë të nevojshme, por unë mendoj se ato duhen shoqëruar me masa të tjera si për shembull ato që stimulojnë rritjen.”

Vende të tjera të Evropës, kryesisht Portugalia dhe Irlanda janë gjithashtu duke zbatuar plane ekonomike ristrukturimi dhe Spanja është duke punuar për të garantuar investitorët se është një vend i besueshëm pë të vendosur të ardhura.

Zonja Marzinotto thotë se Spanja është duke bërë një punë më të mirë se Italia dhe se është e rëndëshme të shihet se si do të vijojnë ngjarjet politike në Itali, pasi ekonomia italiane është pothuajse tre herë më e madhe se ato të Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë të marra së bashku.

“Kriza e Greqisë është serioze por është një krizë që mund të zgjidhet sepse bëhet fjalë për një vend të vogël. Nëse tregjet financiare veprojnë mbi parashikime kundër Italisë do të ishte sikur ato të ishin duke vepruar mbi parashikime kundër të gjithë eurozonës.”

Pasiguritë në rritje rreth besueshmërisë së ekonomive të rëndësishme evropiane ka bërë që tregjet financiare të jenë të paqëndrueshme dhe shpesh në rënie. Ekspertët thonë se kjo gjendje do të vazhdojë, nëse udhëheqësit evropianë nuk vendosin së shpejti mbi hapa të reja për të parandaluar që situatat e vështira dhe delikate financiare të disa vendeve të eurozonës të dalin jashtë kontrollit.

XS
SM
MD
LG