Lidhje

Vazhdon numërimi në Tiranë, Basha në avantazh


Vazhdon numërimi në Tiranë, Basha në avantazh
Vazhdon numërimi në Tiranë, Basha në avantazh

Numërimi i votave për zgjedhjet e bashkisë së Tiranës ka vazhduar ngadalë edhe mbrëmjen e kaluar. Ekspertët thonë se shpejtësia e numërimit është e ulët, sepse diferenca e votave është shumë e vogël.

Kandidati i maxhorancës Lulzim Basha është mbi 500 vota para kandidatit socialist Edi Rama. Numërimi vazhdon sot në 4 njësi bashkiake vetëm për 55 kutitë e fundit.

110 mijë e 868 vota ka marrë Lulzim Basha, kandidat i “Aleancës për Qytetarin” dhe nga ana tjetër 110 mijë e 361 vota ka marrë kandidati tjetër i “Aleancës për të Ardhmen”. Diferenca mes dy kandidatëve është 507 vota në favor të kandidatit Basha. Ky rezultat i pjesshëm ka dalë në 430 kuti të numëruara nga 485 që janë gjithsej.

Sipas zyrtarëve të zgjedhjeve, numërimi po ecën ngadalë për dy arësye; së pari këtë vit është rritur ndjeshëm numri i votuesve, krahasuar me zgjedhjet e kaluara dhe së dyti, sepse rezultati është shumë i ngushtë dhe kujdesi i numëruesve për të qenë të saktë ka ulur shpejtësinë e numërimit.

Ndërsa sipas përfaqësuesve partiakë, ndërprerjet e numërimeve janë të qëllimshme. Forcat kryesore konkurruese në këtë garë po shkëmbejnë akuza për zvarritje të pajustifikuara të këtij procesi thjesht për qëllime mediatike, pra për t’u parë disa orë njëri apo tjetri kandidat me disa vota para rivalit.

Tani vëmendja është përqëndruar tek njësia 5, 8, 9 dhe 11. Rezultatet janë të ngushta sa që analistët këtu kanë hedhur idenë që për të ulur tensionet, këto katër njësi të numërojnë paralel, përderisa pritshmëria është që aty dy kandidatët mund të marrin përsëri rezultate të ngushta.

Gara për Tiranën është sipas analistëve të politikës një nga befasitë e reja, sepse asnjëherë nuk kishte ndodhur që kandidatët të jenë aq afër njëri tjetrit dhe çdo votë ka marrë realisht një vlerë të madhe. Shqipëria ka lënë prapa votimet masive me diferenca të mëdha numrash dhe tani komisionerët dhe militantët e secilës parti po gëzohen dhe po duartrokasin edhe për një duzinë votash më shumë.

Numërimi i votave në Tiranë ka hyrë sot në ditën e katërt për të nxjerrë rezultatin nga 330 mijë vota afërsisht dhe kjo ka befasuar edhe vëzhguesit e huaj, të cilët gjatë gjithë natës nuk janë larguar nga qendrat e numërimit, dhe madje kanë shtyrë qëndrimin e tyre edhe dy javë të tjera.

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë deklaroi në raportin paraprak se “zgjedhjet vendore të 8 majit ishin konkurruese dhe transparente por u zhvilluan në kushtet e një polarizimi të lartë politik dhe mungesës së besimit midis qeverisë dhe opozitës. Asnjë nga partitë konkurruese nuk i ka kryer mirë detyrat e veta as në këto zgjedhje në mënyrë të përgjegjshme”.

XS
SM
MD
LG