Lidhje

Vdes kitarristi spanjoll Paco de Lucia


Kitarristi spanjoll Paco de Lucia, i cili shkriu në muzikën e tij tingujt e muzikës popullore flamenko të vendlindjes së tij me ata të xhazit dhe zhanreve të tjera muzikore, vdiq në moshën 66-vjeçare, me sa duket nga një infarkt i papritur. Ai tërhoqi me muzikën e tij një gjeneratë të tërë admiruesish.

Një zyrtar i qytetit të tij të lindjes Algeciras, tha se muzikani u sëmur në plazhin e Cancunit në Meksikë, ku kishte shkruar me pushime me familjen e tij. Qyteti i Algeciras do ta shënojë humbjen e Paco de Lucia-s me disa ditë zie zyrtare.

De Lucia e filloi karrierën e tij si kitarrist në vitet 1960, kur ai ishte ende adoleshent. Në këtë periudhë ai krijoi një duet, së bashku me këngëtarin e muzikës popullore spanjolle flamenco, Camaron de la Isla. Dueti i tyre fitoi shumë fame dhe të dy artistët filluan lëvizjen e muzikës së re flamenco.

Më vonë, gjatë karrierës së tij muzikore, De Lucia bashkëpunoi me kitarristët e xhazit amerikan John McLaughlin dhe Al di Meola. Në vitin 1981, trioja e njohur nxori albumin "Friday Night in San Francisco," që u bë një hit muzikor. Në vitin 2004, De Lucia mori çmimin prestigjioz të Asturia, përmes të cilit Spanja nderon artistët e mëdhenj.
XS
SM
MD
LG