Lidhje

Veliaj e Kosova shkëmbejnë mesazhe

  • Armand Mero

Kandidati i së majtës festoi fitoren e thellë në kryeqytet. Rivali i djathtë Halim Kosova e uron.

Në Shqipëri dy konkurrentët për Bashkinë e Tiranës shkëmbyen sot në distancë mesazhe ndaj njëri tjetrit. Erjon Veliaj, fitues në zgjedhjet e së dielës falenderoi zotin Halim Kosova duke i njohur atij meritën për mbarëvajtjen e procesit. Ndërsa ky i fundit e uroi Veliajn për fitoren, duke shtuar se shpresonte që ai të mbante premimet e të mos zhëgnjente qytetarët. Kandidati i së majtës fitoi me një diferencë shumë të thellë në Tiranë, ndërkohë që koalicioni i udhëhequr nga zoti Rama ka mundur të sigurojë fitoren në pjesën dërrmuese të vendit.

Ndërsa fitorja e tij në Tiranë nuk u vë në dyshim në asnjë moment, për shkak të një diference votash që erdhi vetëm duke u thelluar, kandidati i së majtës Erion Veliaj nuk priti përfundimin e numërimit të të gjitha fletëve të votimit, për t’ju gëzuar rezultatit. I pritur me brohoritje dhe duartrokitje në oborrin e selisë së partisë socialiste nga dhjetra përkrahës dhe deputetët eangazhuar në fushatën për kryeqytetin, Veliaj foli për një fitore spektakolare. Në të vërtetë kjo është fitorja më e thellë e regjistruar ndonjëherë në kryeqytet ku diferenca mes palëve ishte me mbi 43 mijë vota.

“Fitorja në vetvete nuk është ndryshimi. Fitorja është mundësia që këtë ndryshim që duam, ta bëjmë realitet, në çdo cep të Tiranës së re. Fitorja është shumë e madhe, por jemi të përulur, pa bori, pa tam-tame, pa festime e manifestime. Jemi të vetëdijshëm që qyteti s’i ka punët mirë, ndaj në vend që të festojmë, duhet të përveshim mëngët që ta çojmë në drejtimin e duhur, ashtu sic premtuam në këtë fushatë”, deklaroi zoti Veliaj.

Ai vlerësoi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duke njohur kontributin edhe të kundërshtarit të tij në garë: “Meritat për këtë nuk janë vetëm tonat, por, këtu në Tiranë, dhe të kundërshtarit tonë, Dr. Halim Kosovës, i cili meriton respektin tonë për përpjekjet që bëri për t’u ndarë nga linja zyrtare e partisë së tij me kulturën e shpifjes, përgojimeve e goditjeve nën brez që e helmojnë politikën tonë. Faleminderit Dr. Halim Kosova”.

Zoti Veliaj falenderoi të gjithë kandidatët në garën e kyeqytetit duke shtuar se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me ta.

Pak më pas, nga selia e partisë demokratike, zoti Kosova ndërsa falenderoi qytetarët e Tranës dhe bashkëpunëtorët e tij pranoi humbjen dhe uroi zotin Veliaj: “Zgjedhjet mbaruan dhe ndërsa numërimi ende vazhdon, fituesi i kësaj gare rezulton Erion Veliaj të cilin dua ta uroj dhe të shpresoj që do ti mbajë premtimet e nuk do ti zhgënjejë qytetarët e Tiranës”.

Tirana ishte dhe fitorja më e rëndësishme e së majtës, edhe sepse për katër vite me radhë ajo u drejtua nga kreu aktual i së djathtës Lulzim Basha. Në të parën përballje të tij elektorale në krye të opozitës, zoti Basha duket se ka marrë një rezultat zhgënjyes, të paktën përsa i përket numrit të Bashkive, i cili duket se nuk do t’i kalojë 15 të tilla për koalicionin e tij , kur kanë mbetur për t’u përcaktuar zyrtarisht dhe katër të fundit në proces numërimi. Përvec Shkodrës, e djathta nuk do të drejtojë asnjë prej qyteteve të mëdha e të rëndësishme të vendit.

XS
SM
MD
LG