Lidhje

Veliaj: Nuk kemi hezitim për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale


Veliaj: Nuk kemi hezitim për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale

Veliaj: Nuk kemi hezitim për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale

Partia socialiste do të marrë pjesë në zgjedhjet e 8 majit, pavarësisht nga vonesat në dorëzimin e propozimeve për anëtarët e komisioneve të administrimit zgjedhor thotë Erion Veliaj, koordinator i partive opozitare në Shqipëri. Në lidhje me bashkimin e ish Ministrit të Energjitikës Dritan Prifti në radhët e opozitës dhe akuzat e mëhershme për korrupsion ndaj tij nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, zoti Veliaj thotë se çështja është tani në duart e prokurorisë. Këto komente, zoti Veliaj, i bëri në Qendrën Udrou Uilson në Uashington.

Zëri i Amerikës: Zoti Veliaj, OSBE-ja në Shqipëri sapo u bëri thirrje partive politike të dorëzojnë propozimet për anëtarët e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor. Përse Partia Socialiste nuk i ka dorëzuar ende ato?

Erion Veliaj: Ajo që po ndodh është që Partia Socialiste ka një listë kërkesash që janë pak më të rëndësishme se emrat e përveçëm të komisionerëve. Nëse ne do të caktojmë komisionerë, por do të jemi me të njëjtën listë zgjedhësish, ku votohet për ata që janë jashtë, unë besoj që OSBE-ja përveç se të vërë një kuti në çdo listë që ka duhet të shikojë pak edhe realitetin. Sepse gjërat nuk bëhen vetëm nga zyra, por bëhen në Shqipërinë e vërtetë. Në Shqipërinë e vërtetë, kodi zgjedhor tashmë ka filluar të shkelet. Kështu që jemi në kontakt me OSBE-në, me përfaqësuesit e tyre, nuk ka asnjë hezitim nga ne, për sa kohë që fillojmë dhe kemi garancitë e para që do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse do të ftohemi që të bëjmë të njëjtin teatër si në vitin 2009, nuk besoj që do na bënte të dukeshim as ne seriozë dhe as OSBE-në serioze.

Zëri i Amerikës: Pra a do të thotë kjo se do të merrni pjesë në zgjedhjet lokale të 8 majit?

Erion Veliaj: Absolutisht. Sot opozita kontrollon në pushtetin vendor shumicën e qyteteve të Shqipërisë...

Zëri i Amerikës: ..absolutisht po apo absolutisht jo?

Erion Veliaj: Absolutisht po. Kjo do të thotë që ka treguar që di të menaxhojë zonat ku jetojnë shumica e shqiptarëve, ndaj nuk ka asnjë hezitim për të marrë pjesë. I vetmi kusht është që duhet të vendosen disa rregulla ku caktimi i komisionerëve është ndoshta jo prioriteti i parë.

Zëri i Amerikës: Zoti Veliaj, Partia Socialiste si dhe ju vetë keni akuzuar ish Ministrin e Energjitikës Dritan Prifti për korrupsion. Por tani ai u pa kohët e fundit në mbledhjet e opozitës. Ai e ka pranuar edhe vetë që do të jetë pjesë e opozitës. Çfarë do të thotë kjo për moralin e politikës në Shqipëri?

Erion Veliaj: Ajo që do të thotë është që Partia Socialiste nuk i heq asnjë pikë pikëpyetjeve që ka ngritur. Zoti Prifti, sipas dijenisë së dyve ne, është ende duke shkuar në prokurori për t’u përgjigjur për gjithë ato pika. Ka vendosur që votën e tij në parlament mos ta japi me qeverinë. Sot jemi në një situatë ku çdo njeri që voton kundër qeverisë dhe bëhet pjesë e kësaj kauze, nuk mund t’i thuhet voto qeverinë sepse ne kemi pasur pikëpyetje.

Zëri i Amerikës: Unë e kisha fjalën më tepër për akuzat tuaja ndaj zotit Prifti për korrupsion...

Erion Veliaj: Për të gjitha këto akuza zoti Prifti është duke shkuar ende në prokurori.

Zëri i Amerikës: Pra ju nuk ju qëndroni më akuzave tuaja për korrupsion ndaj zotit Prifti?

Erion Veliaj: Akuzat tona kanë shkuar në prokurori, pra ne nuk kemi tërhequr asgjë nga prokuroria....

Zëri i Amerikës: ...megjithatë ju pranoni që ai të jetë pjesë e opozitës?

Erion Veliaj: Zoti Prifti në këtë moment ka treguar se po bashkëpunon me prokurorinë dhe arriti të na shpjegonte me atë video që shumë prej gjërave për të cilat po e akuzonim i merrte si urdhëra politikë nga ai njeriu me bllok. Kështu që sot, zoti Prifti ka arritur që të paktën publikut t’ia provojë që shumicën e gjërave për të cilat ne e akuzonim i bënte me urdhër të njeriut me bllok që ishte numri dy i qeverisë dhe ortaku i Sali Berishës. Sot, zoti Prifti, atë gjë që ia ka provuar publikut me atë video, duhet t’ia provojë edhe prokurorisë.

Zëri i Amerikës: Ju dhe zoti Rama keni dënuar vetëm dhunën shtetërore për protestën e 21 janarit, po për dhunën e ushtruar nga demonstruesit, çfarë mendoni për këtë?

Erion Veliaj: Ne nuk kemi dhënë asnjë mbrojtje politike ndaj askujt që ka ushtruar dhunë, përfshi këtu gardistët apo protestuesit. Dua të kujtoj që 113 protestues u arrestuan apo u ndaluan nga policia. Të gjithë deputetët e Partisë Socialiste kanë shkuar të bashkëpunojnë me prokurorinë, nuk ka pasur asnjë mbrojtje politike dhe ende sot janë duke u arrestuar njerëz. Nëse kanë prishur rendin, nëse kanë goditur policinë, këta njerëz janë sot përpara ligjit. Unë them që të flasësh më shumë se me këto vepra, duke mos i ofruar mburojë askujt, them se është gjëja më e mirë që kemi bërë. Të kundërtën shohim në anën tjetër, ku kemi një mbrojtje politike qoftë të gardistëve, qoftë të atyre që në mënyrë eksesive kaluan atë që është caku i policisë së mirë.

Zëri i Amerikës: Ju pak më parë folët për lirinë e shtypit në Shqipëri. Vetëm para pak ditësh ambasadori amerikan në Shqipëri dha një intervistë ku tha se mediat kryesore dhe më të mëdhatë në Shqipëri përkrahin opozitën. A nuk tregon kjo demokracinë dhe lirinë e shtypit deri një farë pike në Shqipëri?

Erion Veliaj: Jo, ajo që vërteton është e kundërta. Ajo që vërteton është që gjërat në Shqipëri janë aq keq, që qeveria është aq e korruptuar sa është bërë shumë e vështirë ta mbrosh. Kështu që edhe shumë media përpara që mundoheshin të mbanin një balancë, detyrohen të dalin jashtë kësaj balance, sepse qeveria është bërë e pambrojtshme. Fakti që qeveria vazhdon dhe sulmon mediat, qoftë kjo duke u hequr antenat, duke u vënë gjoba, duke mbyllur gazetat, duke u prishur ndërtesat ku ato kanë kontrata disa-vjeçare, tregon që qeveria ka një ofensivë ndaj medias. Nëse do të kënaqeshim që këto media të mbylleshin që të aprovohej trysnia e qeverisë, nuk besoj që do të ishte ditë e mirë dhe qoftë ambasada apo ne s’do kishim ku ta jepnim më atë intervistë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG