Lidhje

Veliaj: ndryshime radikale në Tiranë


Kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, flet në një intervistë për Zërin e Amerikës për planet e tij për kryeqytetin, ndërhyrjet emergjente dhe projektet e mëdha, për akuzat e opozitës ndaj tij dhe familjes së tij

Në Shqipëri, kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës Erion Veliaj thotë se oferta e tij parashikon një ndryshim radikal të mënyrës se si funksionon sot kryeqyteti. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Veliaj flet për ndërhyrjet emergjente dhe projektet madhore për Tiranën e re e cila me ndarjen e re administrative shumëfishon kufijtë e saj duke u shtrirë dhe në një numër të konsiderueshëm fshatrash

Zëri i Amerikës: Zoti Veliaj, Bashkia e re Tiranës zgjeron ndjeshëm shtrirjen e saj. Por si do të organizohet, si do të strukturohet në mënyrë që shërbimet të shkojnë dhe në skajet më të largëta të saj. Janë disa komuna për shembull që shtohen, që kanë patur si pikë reference një kryetar komune. Tani ata do të duhet të trokasin ne derën tuaj për të zgjidhur cdo lloj problem që mund të kenë?

Z. Erion Veliaj: Në fakt ndarja e re administrative nuk është një proces centralizimi por një process decentralizimi. Kjo do të thotë që do të vazhdojnë të ofrohen shërbimet, aty ku janë ofruar në komuna apo njësi vendore. Madje këto shërbime do të shtohen. E vetmja gjë që ndryshon është se nuk do të kemi 400 palë zgjedhje për 400 palë njësi vendore. Kemi 61 zgjedhje. Bashkia e Tiranës është bashkia më e madhe, ku 24 njësitë vendore do të kenë një administrator të emëruar nga kryetari i bashkisë, fill pas përfundimit të zgjedhjeve. Kjo do të thotë që të gjitha nevojat bazike dhe të gjitha shërbimet kryesore në nivelin e lagjes, komunës apo fshatit do të vazhdojnë të ofrohen nga njësitë administrative në këto zona.

Zëri i Amerikës:Me daljen e Tiranës jashtë kufijve të saj tradicional, a ndryshojnë përparësitë në menaxhimin e saj. Ndoshta e kam gabim, por duket sikur më shumë vëmendje i është kushtuar, problemeve që lidhen me qendrën e qytetit, apo me kryeqytetin ekzistues, si cështja e ndërtimeve, trafiku, ndotja…

Z. Erion Veliaj: Në fakt secili dëgjon atë që i vret veshi më shumë e që ka të bëjë me vendin ku banon vetë. Sepse ata që janë në fshat kanë dëgjuar shumë se si shumë prej kompetencave që sot janë të ministrisë së Bujqësisë, apo të qeverisë qëndrore, do të delegohen në qeverinë vendore, sic janë proceset e vaditjes e kullimit, bordet që merren me bujqësinë, do të kemi një qendër që do të merret me agronominë dhe veterinarinë. Pra shumë nga kompetencat e qeverisë qëndrore që kanë të bëjnë me zonat rurale do ti kalojnë bashkisë. Kjo për një arsye shumë të thejshtë. Territori i ri i Bashkisë së TIranës, më datën 22 qershor pas zgjedhjeve do të jetë 25 herë më i madh se sa territory i 11 minibashkive. Kjo do të thotë, që ne sot jetojmë në Tiranën që përbën vetëm 4 përqind të bashkisë së pas një jave. Në këtë sens edhe viti i pare, do të jetë një vit kryesisht i zënë me transformimin e këtyre kompetentencave, me unifikimin e buxheteve dhe të administratës, por gjithsesi me ofrimin e shërbimeve në nivel vendor. Ne na duket e paarsyeshme se si qeveria në nivel qendror, duhet të merret me kanalet vaditëse edhe në Xarë dhe në Malësi të madhe. Prandaj ky proces i delegimit të kompetencave, gjatë vitit të parë do të jetë kyc në suksesin e të gjithë reformës territoriale.

Zëri i Amerikës: Zoti Veliaj, cilat mund të identifikoni si dy apo tre përparësitë me të cilat ju do të merreni menjëherë sapo të hyni në zyrën e kryetarit të Bashkisë në rast fitoreje?

Z. Erion Veliaj: Së pari do të duhet që të zgjidhim një situatë emergjente të shërbimeve pubike që ofrohen në të gjithë territorin e Tiranës. Në kemi nëj qytet ku nuk mblidhen rregullisht mbeturinat, I cili nuk ndricohet, një qtet ku kemi mbi 800 rrugë të amortizuara, ku nuk kemi ngrohje në shumicën e shkollave, kopshteve dhe cerdheve. Ndaj besoj se faza e parë do të jetë një fazë emergjence për të rikuperuar këto shërbime dhe për të siguruar që qytetit t’i ofrohen këto shërbime. Qyteti mban mend ditë të mira, ku shërbimet bazike funksiononin. Eshte fatkeqësi që në kohë zgjedhjesh vendosen provizorisht vijat e bardha, apo një kozmetikë totalisht e paqëndrueshme. Do të thotë se kur bashkia do, ajo mund ti ofrojë këto shërbime. Besoj se kur njerëzit të kthehen nga pushimet në fund të kësaj vere, do të gjejnë një qytet shumë më të jetueshme se ai që lanë në fund të kësaj fushate.

Ne e kemi kritikuar shpesh. Në rastin më të mire, ne gjykojmë se Bashkia ka fjetur gjumë, në rastin më të keq është neglizhuar totalisht, me një vëmendje të theksuar te partia politike e kryetarit të bashkisë, ndërkohë që qyteti ka nevojë për punë 24 orë 7 ditë të javës. Eshtë një qytet që jeton 24 orë dhe ka nevojë për shërbime 24 orë. Kjo është një pjesë e emergjencës. Pjesa tjetër do të jetë ajo e integrimit me zonat rurale. Sot që të marrësh një autobus nga Baldushku në Vaqarr apo nga Baldushku në Kashar, apo nga Dajti në Ndroq, duhet të ndërrosh katër linja të ndryshme, duhet të paguash katër tarifa të ndryshme, dhe të marrësh katër standarte të ndryshme të shërbimit.

Nuk mund të funksionojë më kështu. Në një qytet të integruar, bileta duhet të vlejë, të ketë të njejtin shërbim dhe të njejtin standart nga periferia në qendër. Ky ishte vetëm një shembull. E njejta vlen për cilësinë e shkollave, kopshteve dhe cerdheve. E njejta gjë vlen për reformën që duhet të bëjmë në bujqësi. Ka shumë qytetarë që jetojnë në zonat rurale që kanë nevojë për tregje, që kanë nevojë për akses të fuqia blerëse që ka sot Tirana. Dhe negocimi i këtyre interesave qytetare besoj se janë një sfidë e dytë, pra zona rurale të integrohet me zonën urbane në ofrimin e shërbimeve.

E treta, janë disa plane afatgjatë për Tiranën. Ne kemi marrë disa vendime që do të respektojmë moratoriumin e qeverisë për ndërtimet, sepse na duket një moratorium i arsyeshëm që bashkia e Tiranës duhet të ishte me shumë bashkëpunuese. Njerëzit kërkojnë më shumë parqe, më shumë lulishte, më pak beton. Kjo do të thotë se ne nuk mund të vazhdojmë më, duke dhënë leje ndërtimi dhe duke patur sinonim të kryetarit të bashkisë, njeriun që jep leje ndërtimi. Kjo vlen kryesisht për zonën e TIranës, të 11 minibashkive, që tani është e mbindërtuar dhe ka një dendësi të jashtëzakonshme ndërtimesh. Kështu që do e respektojmë këtë moratorium. Dhe investimet tona në projektet e mëdha të mandatit të pare, do të jenë kryesisht me vepra infrastrukturore që kanë të bëjnë me clirimin e trafikut, sic janë unaza e re, ajo e vogël dhe ajo e ndërmjetme, dhe me më shumë hapësira të gjelbërta sic është “Parku T” i Tiranës që vazhdon me bulevardin e ri të Tiranës, që vazhdon me një simetri gjelbërimi dhe jo me një simetri betoni, “Parku i Vaqarrit”, “Parku i liqenit të ri të Kasharit”, “Tirana e 100 liqeneve” ku do të inkurajojmë më shumë një jetesë të shëndetshme të atyre që duan të merren me sport dhe me aktivitete në natyrë, dhe sigurisht të ndryshojmë dhe transformojmë mënyrën e të jetuarit dhe këtu në Tranë urbane. Duam të shtojmë linjën e dedikuar të autobusëve dhe bicikletave. Jemi një qytet që jeton në mënyrë të pashëndetshme, udhëton në mënyrë të pashëndetshme, thith ajër të pashëndetshëm. Pra këto janë ato gjërat e vogla për të cilat ne akuzohemi se po merremi, por që në total krijojnë dhimbjet e mëdha të kokës për cdo njeri që jeton në Tiranë.

Zëri i Amerikës: Zoti Veliaj, për realizimin e disa projekteve, ju keni përmendur dhe bashkëpunimin me qeverinë. Po a është normale që të premtosh dicka që do ta realizosh me qeverinë, sepse mund të ndodhë që pas dy vjetësh qeveria të ndryshojë dhe të jemi në situatën si sot, ku kryetari aktual i Bashkisë thotë se projektet e mëdha janë bllokuar nga qeveria…

Z. Erion Veliaj: Ky është një mit urban. Momentalisht ne kemi një fond të zhvillimit të rajoneve, që është rreth 120 milion dollarë, ku shumë Bashki, ju kutoj Bashkinë e Krujës, që është një bashki e djathtë, rinovoi pazarin e Krujës. Ka shumë Bashki të tjera, Bashkia e Shkodrës, ka patur mundësi të përfitojë nga këto fonde, dhe sigurisht dhe pjesa tjetër e Bashkive që kryesisht janë bashki të majta. Pra ajo që dua të them është që nuk ka patur një postobllok, por ka patur një ftesë kostante të qeverisë, që të përdoret Fondi i Zhvillimit të rajoneve dhe për Tiranën. Nëse Tirana kontribuon në taksimin e përgjithshëm me një të tretën e fondeve, duhet të aksesojë minimalisht një të tretën e tyre. Fakti që Bashkia e Tiranës as nuk denjon as të aplikojë, por preferon politikën e viktimizimit si një mjet politik për të hedhur fajin te tjetri, për të justifikuar paaftësinë tëndë, kjo na duket e parsyeshme. Dhe ky është metaliteti që duhet të ndryshojë. Nuk është rreshtimi i të njejtës parti në Bashki dhe ne qeveri, që bën diferencën por ndryshimi i mentalitetit që qeveria është aty të asistojë dhe të ndihmojë. Edhe në Shtete e Bashkuara të Amerikës investime të mëdha nuk kryhen dot vetëm nga Bashkia. Sigurisht që qeveria federale ndihmon për gjithë sistemin e autostradave rreth e përqark Uashingtonin. Kështu që në këtë sens duhet të jemi reliast që për disa projekte të mëdha, një e treta e popullsisë që jeton në TIranë duhet të ketë të paktën një të tretën e investimeve që vijnë nga qeveria qëndrore, si mbledhësja kryesore e këtyre të ardhurave, por të përkthyera në projekte për Tiranë.

Pra unë besoj se nuk është një dobësi, por është një asset, fakti që qeveria ka një vëmendje ndaj qyteteve, ndaj asaj që quhet projekti i Rilindjes urbane, dhe besoj që Tirana meriton të ketë pjesën e vet të këtyre projekteve duke nisur nga një bashki që ka një ambicje më të lartë për veten e vet. Aktualisht kemi një Bashki që mbledh vetëm 30 përqind të të ardhurave që planifikon po vet, pra që realizon vetëm një të tretën e ambicjes që ka për qytetin. Ndërkohë kemi një bashki që nuk realizon as 50 përqind të investimeve. Pra mbledh një të tretën dhe nuk shpenzon as gjysmën e këtyre që mbledh. Unë mendoj se ky qytet ka nevojë të ketë më shumë ambicje për veten dhe për cfarë mund të arrijë Bashkia. Në momentin që mbledh 100 për qind të ardhurat dhe realizon 100 përqind investimet, do të thotë që ka ezauruar ambicjen e vet dhe mund të ankohet që qeveria bllokon. Kur është një e treta e të ardhurave dhe gjysma e investimeve, ku është bllokimi i qeverisë? Prandaj mendoj se qytetarët kanë nevojë për më pak justifikime dhe për më shumë arsye se përse do të bëhen ca punë. Njerëzit merren me politikë jo të shpjegojnë pse gjerat nuk bëhen, por të gjejnë arsyet pse gjërat bëhen.

Zëri i Amerikës: Megjithatë përse u desh që kryeministri Rama të shfaqej në spotin tuaj elektoral. Kanë qenë jo të paktë ata që e kanë parë këtë si një shenjë dobësie…

Z. Erion Veliaj: S’është aspak një shenjë dobësie. Ne jemi jo vetëm të pakompleksuar, por ne e quajmë asset që kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me qeverinë shqiptare. Unë e kuptoj që në një vend ku kultivohet në mënyrë konstante kultura e sherrit, e pabesisë dhe konfliktit politik, ne kemi zgjedhur të mos abonohemi në këtë lloj kulture, kemi zgjedhur të abonohemi në një kulturë tjetër, te njerëzit që i bëjnë gjërat në ekip dhe që te bashkëpunimi gjejnë arsyet për të investuar në qytet dhe për të ndihmuar qytetet tona. Dhe ky është mesazhi që ne duam të japim, që ne jemi njerëz bashkëpunuesë dhe që ashtu sic realizuam shumë reforma të rëndësishme, patjetër me mbështetjen e qeverisë dhe kryeministrit, në ministrinë e Mirëqënies sociale, sic ishte reforma historike e pensioneve, sic ishte reforma e tregut të punës me zyrat e punës, sic ishte një kthesë e jashtëzakonshme që bëmë drejt arsimit profesional, besoj që do të reflektojë të njejtën frymë bashkëpunimi me qeverinë shqiptare sic funksionuam në ekip në qeveri, ashtu dhe në Bashkinë e TIranës. Dhe përjashto cinikët dhe kritikët, shumica e qytetarëve e mirëpret një bashkëpunim me qeverinë, dhe jo një bashki që nxjerr justifikime pse bashkëpunimi është i pamundur.

Zëri i Amerikës: Ju flisni për projekte të mëdha, ndërtim të kopshteve, shkollave, ndërhyrje praktikisht në të gjithë sektorët, por a kemi sot një shifër të kostove dhe investimeve që ju parashikoni të realizoni?

Z. Erion Veliaj: Kemi sot një faturë financiare, vjetore, rreth 60 milion euro në vit. Ambicja ime është të shkojmë përtej saj. Në Ministrinë e Mirëqënies sociale, kishim fond vetëm për një zyrë punë. Brenda një viti bëmë 13. Unë besoj shumë te Partneriteti Publik-Privat. Mendoj se Bashkia nuk mund të ketë monopolin e investimeve, pra duhen ftuar komponentë nga sektori privat që të jenë pjesë e këtyre investimeve. Sigurisht bazuar në një plan dhe bazuar në një lloj rentabiliteti. Prandaj gjykoj se ky është një opsion i dytë për të shtuar investimet. Një opsion i tretë janë investimet në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Një opsion i katër janë investimet e huaja. Këtu parashikoj grante që vijnë nga Bashkimi europian, sidomos për cështjet e bujqësisë. Kemi nisur të kontaktojmë me Bankat e zhvillimit, sic është BERZH-i dhe banka të tjera që kanë shumë projekte për urbanizimin dhe zhvillimin e qyteteve. Besoj që e kemi demonstruar dhe në ministrinë e Mirëqënies sociale që i kemi tejkaluar dhe premtimet e parashikimet tona, sepse nuk na mungon kreativiteti që në këtë frymë bashkëpunimi të gjejmë e të ftojmë burime nga hapësirat jo tradicionale. Hapësirat tradicionale konsideroj vetëm mblidh taksa dhe shpenzo para, hapësirat jo tradicionale konsideroj Partneritetin Publik-Privat, investimet e huaja, akses në fondet e Bashkimit europian dhe Bankat e zhvillimit.

Zëri i Amerikës: Po ndalem në një cështje konkrete. Cfarë do të ndodhë me qendrën e Tiranës. Një projekt i mëparshëm u ndërpre nga kryetari aktual, dhe tani qendra është me një zgjidhje provizore…

Z. Erion Veliaj: Të gjithë besoj biem dakort për dicka, që simboli i qendrës së kryeqytetit të të gjithë shqiptarëve, nuk mund të jetë një govatë me bar, një kartodrom për t’u rrotulluar makinat. Për këtë besoj të gjithë biem dakort. Se si do të procedojmë me qendrën, besoj se është më e arsyeshme të ruajmë një rend gjërash. Dhe rendi që ne propozojmë, është që fillimisht të zgjidhim unazën e vogël, pra të zgjidhim fillimisht trafikun dhe vetëm pasi qyteti të jetë bindur se kemi bërë një propozim që nuk shkakton pengesa në trafik dhe bllokime në qendër, vetëm atëherë do të kemi një konkurs për të rikonceptuar qendrën e Tiranës.

Besoj se qyteti, kryeqytet sot i të gjithë shqiptarëve, meriton të ketë një qendër që të jetë realisht burim krenarie dhe jo një kartolinë bezdie. Sot ajo që kemi si zgjidhje provizore nuk është se na bën shumë krenar. As një situatë ku ti shikon bashkëqytetarët e tu që shqyhen për të kaluar gardhin, për t’ju afruar Skënderbeut, as një govatë me bar që s’ka lidhje fare me simbolet tona kombëtare. Prandaj në këtë sens do të zgjidhim fillimisht cështjen e trafikut me unazën e vogël, dhe vetëm pasi të jetë zgjidhur ajo do të rikonceptojmë sheshin e ri të Tiranës, që të jetë një shesh permanent, e të jetë këtu për vite me radhë e të mos shkojmë më në historinë që dikush ja bllokon dikujt tjetër për t’ja pamundësuar një projekt serioz në qendër të Tiranës.

Zëri i Amerikës: Jemi në vitin 2015, Tirana, kryeqytet i vendit, ende nuk ka furnizim me 24 orë ujë. Eshtë një cështje për të cilën është folur shumë, me vite të tëra nga kryebashkiakët e radhës apo kryeministrat, megjithatë ende nuk ka një zgjidhje. Ju a keni një plan, a ka një kosto dhe brenda së cilës periudhë mund të zgjidhet?

Z. Erion Veliaj: Ne kemi një plan, Momentalisht sapo kemi konkluduar bisedimet në nivel qeverish, qeveria shqiptare me atë japoneze. Kemi një shumë të konsiderueshme parashë për ti investuar në cështjet e ujësjellës-kanalizimeve. E kam thënë gjatë gjithë fushatës. Më duket e paarsyeshme se si ujësjellës-kanalizmet e TIranës kanë më shumë veta staf se cdo ndërmarrje tjetër në Shqipëri rreth 1800 vetë, ndërkohë që policia e qarkut të Tiranës ka më pak policë, ushtria për qarkun e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit ka më pak ushtarë, më duket e paarsyeshme se si të gjithë ministritë bashkë në nivel qendror kanë më pak staf se sa ujësjellës-kanalizimet e Tiranës. Pra këtu kemi të bëjmë dhe me një mungesë totale eficence dhe përdorimin e Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës si një hapësirë për të parkuar militantët sa kohë ke probleme me punësimin e tyre dhe të duhen për mitingje. Ky është një non sens, trajtimi i ndërmarrjeve në këtë farë feje.

Gjëja që duhet të ndodhë është që duhet të integrojmë ujësjellës-kanalizimet e Tiranës me ujësjellësat e shumë komunave që na janë bashkuar, dhe për t’u siguruar që aty ku kemi mundësi, që komunat që i kanë vetë rezervuarët i kanë vetë liqenet, të kenë mundësi të bëjnë furnizimin dhe të një pjesë të lagjeve të Tiranës që kufizohen me to.

Me investimin japonez duam që të bëjmë një pjesë të rikonstruksionit të rrjetit ekzistues, i cili në pjesën më të madhe është i amortizuar. Kemi planifikuar të kemi një impiant të trajtimit të ujërave të zeza. Eshtë një non sens që lumi i Tiranës, i cili në fakt nuk është lumë, por një kanal i ujërave të zeza ku i gjithë qyteti shkarkon galixhantin e vet në mes të Tiranës. Nuk mund të vazhdojë të jetë i tillë.

Do të ketë një impiant që duhet të pastrojë Lanën dhe gjithë mënyrën se si funksionon ujësjellës-kanalizimet e Tiranës. Por ky, është një projekt afatgjatë dhe besoj që brenda mandatit të pare, do të kemi mundësinë të shohim pjesën më të madhe të fryteve të këtij investimi.

Zëri i Amerikës: Edhe më parë por kryesisht tani, gjatë fushatës janë intensifikuar sulmet ndaj jush. Ju akuzoheni për cështjen e dasmës tuaj, për fondet që vëllai juaj ka përfituar nga financimet publike, së fundmi dhe bashkëshortja juaj për shkak të lidhjeve të dy personave të dyshimtë me studion ligjore ku ajo punon. Përmenden gjithashtu fondet e fushatës. Opozita ju akuzon se nuk keni bërë transparencë për këto cështje…

Z. Erion Veliaj: Le t’ marrim gjërat me radhë. Opozita nuk më akuzon për asgjë që ka lidhje me punën, dhe ky besoj se është një lajm i mirë. Pra s’kanë një vërejtje për programin tim, për reformën në pensione, për mënyrën se si menaxhuam zyrat e punës, s’kanë vërejtje për shkollat profesionale. Unë jam në detyrë publike për të bërë këto punë, dhe për sa kohë ata nuk kanë asnjë vërejtje për këto punë do të thotë se unë po e bëj punën mirë. Nëse e e vetmja vërejtje e tyre janë njerëzit e familjes sime, që nuk merren fare me politike dhe as që e asistojnë politikën për të mbaruar punët e tyre, unë besoj se kanë zgjedhur një strategji të gabuar. Ne shqiptarët nuk e kemi zakon, dhe nuk më keni parë asnjëherë të merrem më gruan e Lulzim Bashës, me gruan e Halim Kosovës. Besoj se unë kam dalë në këtë shesh të garës, po i sfidoj për debat. Nuk vijnë në debat po merren me nënën time, me gruan time. Kjo më duket e pandershme, jo shqiptare dhe më duket një mënyrë për të shmangur atë që ka interes publik dhe për t’u marrë me gjëra që janë komplet të një interesi privat.

Po i marr gjërat me radhë. Unë kam qenë deputet i Gjirokastrës dhe kam kërkuar gjithmonë, me cfarëdo mënyre që t’i inkurajoj njerëzit që të vijnë në GJirokastër. Madje dhe dasmën time e kam konsideruar natyrisht si një gëzim patjetër për miqtë dhe familjen, por dhe si një mënyrë për t’i tërhequr këta miq që të vijnë në Gjirokastër, njerëz që kurrë më përpara nuk kishin patur arsye që të shkonin në Gjirokastër. Ka qenë një mënyrë se si kam dashur të promovoj qytetin, dhe do të vazhdoj ta bëj këtë dhjetëfish dhe me Tiranën, ndoshta dhjetëfish më shumë, sepse Tirana është dhe qyteti im, nëse Gjirokastra ishte qyteti ku isha vetëm deputet.

Për punë ku bashkëshortja ime ishte e punësuar, përpara se unë të isha ministër e deputet, kur Sali Berisha ka qenë në Qeveri dhe kur këta njerëz, qoftë Dzanashvili e qoftë Becchetti, kanë dëshmuar që me Berishën i kanë mbaruar ato punë. Dhe fakti se ime shoqe punonte asistente e një zyre juridike ku nuk i ka patur fare klientë të saj, po ku ka qenë asistente e një zyre, ku për hir të kompanisë është cuar një email për të kërkuar përkthime italisht shqip, më duket një komardare e pashpresë për të shpëtuar një fushatë që s’ka alternativë, që s’ka asnjë vision, që nuk ka asnjë vërejtje për punën time, por të gjitha vërejtjet i ka për gjërat e mia personale që kanë ndodhur përpara se unë të kisha një angazhim publik, përpara se të isha deputet, përpara se të isha ministër.

U akuzova pa fund për një shtëpi që nuk ekzistonte dhe që u provua se nuk ekzistonte. Jam akuzuar gjatë gjithë jetës dhe jam goditur me baltë në mënyrë të pamëshirshme. Unë e pranoj që ky është një cmim që duhet ta paguaj për angazhimin tim në politikë, ndaj dhe nuk habitem që as edhe kjo fushatë nuk pati përjashtim nga ky rregull. Por edhe këtë javë që ka mbetur, unë do refuzoj të bie në këtë batak, dhe do refuzoj që të merrem me gratë e Halimit dhe të Lulzimit, sepse unë besoj se këtu jam në një fushatë ku kam idetë e mija dhe projektin tim. Në mungesë të këtyre ideve më duket e pandershme dhe aspak shqiptare dhe aspak fisnike që merren me familjen time ndërkohë që unë u kam dal në shesh dhe po i ftoj përditë për debat.

Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje të fundit. Përse një qytetar i Tiranës duhet t’ju votojë juve për kryebashkiakun e ardhshëm?

Z. Erion Veliaj: Ne kemi dy oferta shumë të ndryshme në këtë fushatë. Kemi një ofertë që të vazhdojmë me Tiranën ashtu sic jemi dhe kemi një ofertë tjetër që të ndryshojmë radikalisht mënyrën se si funksionon Tirana. Oferta jonë është një ofertë që e zgjon Tiranën nga gjumi, që nuk ofron një kryetar bashkie që gërhet, por që i rri punës te koka. Oferta jonë ofron bashkëpunim me qeverinë qëndrore, është konkrete, është një kostum i qepur për cdo lagje. Ne dimë ekzaktësisht sot ku janë ndërhyrjet në rrugë, në kanalizime, në puseta, në mbledhje mbeturinash, në ndricim të munguar, në shkolla që nuk kanë ngrohje, në cerdhe ku është katërfishi i fëmijeve që duhet të jenë. Kjo është oferta jonë konkrete. Oferta tjetër që ne të vazhdojmë sic jemi, më rezulton një ofertë që i ngjan asaj shprehjes “ishim mirë kur ishim keq”. Nuk mund të themi që sot Tirana është mirë, dhe nuk mund të propozojmë vazhdim të kësaj Tirane të përgjumur, dhe kësaj Bashkie që është orientuar totalisht në funksion të SHQUP-it dhe partisë në opozitë, si një mënyrë për të mbajtur peng qytetin. Mes një qyteti të mbajtur peng dhe të trajtuar si plackë, dhe një qyteti që meriton të zgjohet dhe të kthehet në punë, mendoj se oferta jonë e zgjimit dhe e kthimit në punë të qytetit është oferta që bën sens për të gjithë qytetarët e Tiranës.

XS
SM
MD
LG