Lidhje

Vendet anëtare të Lindjes në BE nën presionin e trazirave shoqërore

  • Stefan Bos

Vendet anëtare të Lindjes në BE nën presionin e trazirave shoqërore

Vendet anëtare të Lindjes në BE nën presionin e trazirave shoqërore

Vendet anëtare të Lindjes në Bashkimin Evropian po përballen me trazira shoqërore e politike për shkak të masave të ashpra ekonomike, që BE-ja u kërkon atyre të zbatojnë. BE-ja dhe institucione të tjera kanë këmbëngulur që vendet anëtare të zbatojnë shkurtime të thella buxhetore dhe të bëjnë ndryshime të tjera politike në shkëmbim të angazhimeve prej miliarda dollarësh në ndihma financiare, për të përmirësuar gjendjen financiare në eurozonë. Tensionet politike që kanë pasuar, nxitën një debat se sa shumë kompromis me sovranitetin e tyre duhet të bëjnë këto vende anëtare, pas më shumë se 2 dekadash, që kur ato u çliruan nga sferës e ndikimit të ish Bashkimit Sovjetik.

Rumania e varfër, një prej disa vendeve të Bashkimit Evropian që doli nga komunizmi para më shumë se 20 vjetësh, ndodhet përsëri nën presion. Dhjetra njerëz janë plagosur gjatë protestave 2 javore, herë herë të dhunshme kundër masave të ashpra ekonomike dhe perceptimit për korrupsion të përhapur në kryeqytetin Bukuresht dhe qytete të tjera rumune.

Grumbuj të zemëruar protestuesish nga e gjithë shoqëria rumune, studentë të zhgënjyer nga sistemi i arsimit, që ata thonë se nuk u sjell asgjë, tek pensionistët dhe infermjerët, të cilët nuk kanë burime financiare, kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe të presidentit.

Kryeministri Emil Boc thotë se e kupton zhgënjimin e tyre. Të hënën, ai shkarkoi ministrin e Jashtëm sepse i cilësoi demonstruesit "si turma njerzish të dhunshëm e të prapambetur".

Trazirat më të rënda shoqërore të Rumanisë në disa vjet janë lidhur me reformat e kërkuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Bashkimi Evropian dhe Banka Qendrore, në shkëmbim të më shumë se 27 miliardë dollarëve në ndihma financiare.

Administrata e qendrës së djathtë e kryeministrit Boc u detyrua të ulte rrogat e sektorit shtetëror me 25 përqind, ndërkohë që ngriti edhe taksat. Ai shkurtoi gjithashtu ndjeshëm sigurimet shoqërore si dhe kujdesin shëndetsor dhe koston e arsimit. Zhvillimet në Rumani kanë nxitur një debat në Evropën Lindore rreth vendosjes së kufizimeve se sa ndikim duhet të ketë Bashkimi Evropian dhe institucionet e tjera perëndimore në çështjet e brendshme të vendeve anëtare. Megjithatë, kryeministri rumun Boc thotë se është në favor të një Evrope më të bashkuar.

"Ne nuk duhet të kemi frikë nga diskutimi për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës. Ndoshta jo në një të ardhme të afërt, por mendoj se ne duhet ta fillojmë këtë diskutim brënda vendeve individe dhe më pas në nivelin evropian. Krijimi i Shteteve të Bashkuara të Evropës nuk do të thotë që vendet anëtare të humbasin identitetin apo pasuritë e tyre, por do të përmirësonte mënyrën se si ne veprojmë së bashku me qëllim që të jemi në gjendje të kemi sukses në konkurencën globale, që nuk është diçka e lehtë. Ne duhet të fillojmë të flasim rreth këtij skenari".

Në Hungarinë fqinje, kryeministri Viktor Orban thotë se masat e ashpra ekonomike dhe kërkesat politike të komunitetit ndërkombëtar përbëjnë një kërcënim për sovranitetin e vendit të tij. Ai është kritikuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara për shtimin e kontrolleve qeveritare mbi institucionet që më pare ishin të pavarura, si banka qendrore, media dhe drejtësia. Qeveria e tij ka kufizuar gjithashtu kishat dhe grupe të tjera fetare, të njohura nga shteti.

Komisioni Evropian ka kërcënuar se do të ndërmarrë masa ligjore nëse Hungaria nuk zbut kontrollin qeveritar ndaj bankës qendrore dhe gjykatave.

Kryeministri Orban, i cili u takua të martën me presidentin e Komisionit Evropian, Zhose Manuel Barroso, tha kohët e fundit se është shumë e vështirë të arrihet një balancë mes kërkesave të Bashkimit Evropian dhe nevojave të elektoratit të tij.

XS
SM
MD
LG