Lidhje

Vendet e Azisë Juglindore shënojnë një rritje të shpejtë ekonomike

  • Zëri Amerikës

Vendet e Azisë Juglindore shënojnë një rritje të shpejtë ekonomike

Vendet e Azisë Juglindore shënojnë një rritje të shpejtë ekonomike

Vendet e Azisë Juglindore kanë përjetuar vitet e fundit një rritje të shpejtë ekonomike dhe si rezultat kanë shtuar kërkesat për energji për të përballuar këtë rritje. Për rrjedhojë, të gjitha këto vende po shqyrtojnë mundësinë e energjisë bërthamore. Por kjo ide ka hasur në një numër pengesash në rajon:

Udhëheqës të biznesit dhe qeverive të ndryshme shprehin shqetësimin se kërkesat për energji mund të tejkalojnë së shpejti kapacitetet prodhuese në Azinë Juglindore, duke vënë në rrezik rritjen ekonomike.

Për të përballuar këto kërkesa, Indonezia, Malajzia, Tajlanda dhe Vietnami kanë në plan të ndërtojnë centrale bërthamore gjatë dekadës së ardhshme. Vende të tjera në rajon kanë plane të ngjashme.

Kreu i Komisionit të Energjisë Atomike në Vjetnam, Vung Who Dun, thotë se ka në plan të ndërtojë të paktën 8 centrale bërthamore për të garantuar sigurinë energjetike të Vietnamit dhe për të ofruar garanci për investitorët e huaj.

“Tani në Vjetnam kemi mungesa të shpeshta në furnizimin me energji. Investitorët janë të shqetësuar. Prandaj garancia e furnizimit me energji është shumë e rëndësishme”.

Centrali Bata’an në Filipine është centrali i vetëm bërthamor në Azinë Juglindore. Por si rezultat i shqetësimeve nga tërmetet dhe një vullkan jo larg centralit, objekti nuk është vënë kurrë në punë.

Filipinet po shqyrtojnë mundësinë e vënies në prodhim të centralit 27-vjeçar, por Cirilo Bautista, zyrtari përgjegjës për këtë objekt, thotë se duhen trajnuar punonjësit:

“Ekspertët tanë janë tashmë në moshë të madhe. Disa kanë vdekur. Por kur të vijë momenti për të vënë në prodhim centralin, ne do të kemi ekspertizë të re, specialistët të trajnuar në vende të tjera në fushën e energjisë bërthmore”.

Siguria nuk është e vetmja arsye që Azia Juglindore ka avancuar me ritme të ngadalta në energjinë bërthamore. Centralet bërthamore janë shumë më të shtrenjta se çdo lloj centrali tjetër.

Prandaj, qeveritë vazhdojnë të ngrenë diga për hidrocentrale dhe të kërkojnë burime të tjera fosile, megjithë shqetësimet për ndotjen e mjedisit.

Bob Kamandanu (kaam-aan-DAAN-oo) është kryetar i Shoqatës Indoneziane të Nxjerrjes së Qymyrgurit.

“Qymyrguri vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një burim i lirë energjie. E vetmja mënyrë për të ndryshuar realitetin është teknologjia. Duhet të përmirësojmë teknologjinë për të pakësuar ndotjen. Nuk mund ta përjashtojmë qymyrgurin, por mund të punojmë për të ulur ndotjen nga qymyrguri”.

Ekspertët e enegjisë thonë se sfidat që ka përpara energjia bërthamore, nënkuptojnë se ky burim energjie do të përjetojë një përhapje të ngadaltë në rrjetin energjetik të Azisë Juglindore.

XS
SM
MD
LG