Lidhje

Vendi i dinosaurëve në Virxhinia

  • Deborah Block

Një pjesë e madhe e peisazhit amerikan në mes të shekullit XX ishin kopshtet e vegjël zoologjikë, parqe lojrash ose muze të ndryshëm në anë të autostradave për të tërhequr udhëtarët. Shumica këtyre nuk ekzistojnë më, por një në shtetin e Virxhinias, rreth dy orë larg Uashingtonit, ende vizitohet nga shumë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Deborah Block na njeh me Dinosaur Land, vendin e dinosaurëve.

Ka dhjetra dinosaurë këtu - të mëdhenj, të vegjël, mahnitës si për të rriturit dhe fëmijët.

Çdo dinosaur është krijuar nga një strukturë prej druri, e veshur nga tela dhe material plastik, dhe pastaj ngjyroset.

Ideja filloi 51 vjet më parë me një dyqan dhuratash, pronë e Joseph Geraci, i cili kishte vënë këtë mamuth si një mënyrë për të tërhequr klientët që kalonin andej. Pastaj ai shtoi dinosaurë afër dyqanit dhe e quajti vendin Dinosaur Land. Kur ai vdiq në vitin 1987, vajza e tij Joann Leight dhe pjesëtarë të tjerë të familjes u morën me biznesin.

“Të gjithë ne jemi marrë me të. Fëmijët e mi punuan këtu. Nipërit dhe mbesat gjithashtu,” thote pronarja Joann Leight.

Duke përfshirë nipin e saj John Leight, i cili u rrit me Dinosaur Land, dhe thotë se nuk ka ndryshuar shumë:

“Ne përpiqemi të ruajmë atmosferën e Amerikës së vjetër këtu përreth. Nuk është krijuar që të jetë muze, por një vend që tërheq udhëtarët. Na pëlqen kur njerëzit ndalojnë këtu.”

Atë bëri Hannah Pascucci. Ajo shkruan një blog për udhëtime nëpër shtetin e Virxhinias.

“Është i vjetër, por prapë shumë vend popullor. Ndodhet në mes të askundit," thotë ajo.

Gjatë viteve, parku ka shtuar dinosaurë të rinj që duken edhe më realistë.

“Edhe pse ata nuk lëvizin, fëmijët gjithsesi mahniten me ta sepse kanë përmasat e një të vërteti,” thotë Joann.

Tetë vjeçari Michael McGrath mëson çdo gjë që mundet rreth dinosaurëve:

“Megalosaurus ishte 3 deri në 3.5 metra i gjatë.”

Të rriturit, të cilët e kanë vizituar këtë vend kur vetë ishin fëmijë, tani sjellin fëmijët e tyre. Brian Beck kujton mbresat që i lanë dinosaurët:

“Ata ishin shumë të mëdhenj. Mbaj mend se mbeta gojëhapur. Jam rritur duke i dashur shumë dinosaurët për shkak të këtij vendi.”

Dyqani për dhurata i Dinosaur Land u cilësua kohët e fundit si një nga 10 vendet më të mira për të blerë suvenire në Shtetet e Bashkuara. Aty ka çdo gjë – nga statuja të vogla kafshësh deri në fosile nga oqeani katër milionë vjet të vjetër. Dhe patjetër – shumë dinosaurë, duke përfshirë këto më të preferuarit.

“Lëvizja e gojës u jep një pamje më realiste. Luspat e tyre janë pikturuar në mënyrë unike dhe artistike për t’u dhënë atyre një pamje si zvarranikët,” thotë John Leight.

Darci Rampino, e cila solli një shok në park, i sheh ato me nostalgji:

“Kur isha e vogël bleva një nga këto.”

Joann Leight thotë se po vijnë më shumë vizitorë se kurrë më parë në Dinosaur Land.

“Tani ne reklamojmë nëpër autostradat kryesore. Rritet numri çdo vit.”

John Leight shpreson se familja e tij mund të vazhdojë me trashëgiminë e stërgjyshit të tij, në mënyrë që parku mos të zhduket...si dinosaurët.

XS
SM
MD
LG