Lidhje

Venecie: Bienalja tërheq grupe të mëdha artdashësish nga e gjithë bota


Venecie: Bienalja tërheq grupe të mëdha artdashësish nga e gjithë bota
Venecie: Bienalja tërheq grupe të mëdha artdashësish nga e gjithë bota

Në Venecie ka filluar Bienalja e cila tërheq grupe të mëdha artdashësish nga e gjithë bota. Kjo është ngjarja më e rëndësishme në kalendarin artistik dhe çdo dy vjet Bienalja sjell së bashku gjithnjë e më shumë vende dhe artistë që duan të tërheqin vëmendjen.

Për shekuj qyteti i Venecias ka përballuar shumë valë pushtuesish. Tani qetësia e qytetit që italianët e quanë La Serenissima është ndërprerë nga turistët. Këtë javë qindra artdashës po vërshojnë drejt qytetit për të shijuar festivalin më të madh të artit bashkëkohor në botë. Është ky një pushtim i kulturës moderne ndërkombëtare.

Veprat e artit janë të organizuara në pavione sipas vendeve, shumë prej të cilave kanë pavionë të përhershëm në Giardini.

Nga San Marino në Shtetet e Bashkuara, aty përfaqësohen vendet e të gjitha përmasave. Ka 89 vende që marrin pjesë këtë herë me Haitin, Bangladeshin dhe Arabinë Saudite mes pjesëmarrësve të rinj.

Çdo stil i përfytyrueshëm arti është në panair – shumë prej tyre provokative, disa të vështira për t’u interpretuar.

Artistët në pavionin amerikan duket se kanë ardhur për të sfiduar rolin amerikan si fuqia më e madhe në botë. Tanku i përmbysur është vepër e artistëve Jennifer Allora dhe Guillermo Calzadilla.

“Shpesh artistët pyeten për formën artistike që përdorin, për shembull skulpturën apo pikturën. Kemi kuptuar se mediumi ynë është lënda ngjitëse. Është diçka që na ndihmon të sjellim interesa dhe motive të ndryshme, në një mënyrë që së bashku krijojnë një shkëndijë”.

Atletët janë gjithashtu të përfshirë në një segment tjetër të pavionit amerikan, tradicionalisht një nga sportet më prestigjoze dhe më me ndikim në Bienale. Kuratorja Lisa Freidman shpjegon kompleksitetin e punës:

“Të gjitha ushtrimet koreografohen nga artistë modernë dhe Dave Durante që është kampioni amerikan në gjimnastikë. Kanë realizuar një rutinë 12 minutëshe për meshkujt dhe 17 minutëshe për femrat duke gërshetuar kërcimin modern dhe gjimnastikën”.

Egjipti ia ka dedikuar pavionin e tij punës së një artisti të vrarë nga snajperët gjatë protestave në sheshin Tahrir të Kajros. Ahmed Basiony ishte 31 vjeç kur vdiq ndërsa filmonte protestat më 28 janar.

Kuratorja Aida Eltoire shpjegon kaosin e protestave të kapur në video, një trashëgimi e fuqishme dhe prekëse të pikës së kthesës në historinë e Egjiptit.

“Mund të shohësh fizikisht pamjet e revolucionit, pamje spontane ditën dhe natën të filmuara prej tij duke kapur çdo gjë rreth tij. Çdo gjë që ai ka filmuar është e mrekullueshme pasi njerëzit janë vërtetë aty për një arsye, për një qëllim shumë të fuqishëm”.

Pavionet janë vetëm fillimi. Ngjarje dhe aktivitetet të tjera janë kudo në Venecie. Çdo vend i qytetit është i rrëmbyer në emër të artit.

Ky është edicioni i 54 i Bienales. Përveç disa anulimeve në kohë luftrash Bienalja është zhvilluar regullisht që nga viti 1895. Ky festival zhvillohet nga 4 qershori deri më 27 nëntor.

XS
SM
MD
LG