Lidhje

Venezuelë: Protesta kundër presidentit


Në kryeqytetin e Venezuelës dhe në pjesë të tjera të vendit po vazhdojnë protestat, në të cilat po bëhet thirrje për organizimin e një referendumi për shkarkimin e presidentit Nicolas Maduro. Pavarësisht shpalljes së gjendjes emergjente, protestuesit vazhdojnë të bëjnë thirrje për shkarkimin e kreut të vendit.

Raftet e shumë dyqaneve dhe farmacive në Venezuelë janë bosh, ndërsa ndërprerjet e energjisë elektrike kanë detyruar qendrat tregtare të reduktojnë orarin e punës.

Kriza ekonomike në Venezuelë, që rezultoi nga rënia e çmimeve të naftës dhe keqmenaxhimi financiar, kulmoi me shpalljen nga Presidenti Maduro të gjendjes emergjente në vend për 60-ditë.

Dekreti është kundërshtuar nga opozita e vendit, e cila po organizon protesta ku po bëhet thirrje për organizimin e një referendumi për largimin e presidentit Maduro.

"Ne kërkojmë të kemi të drejtën për një tranzicion paqësor drejt demokracisë. Ne e dimë se ky regjim është i gatshëm të bëjë gjithçka për t’ia mohuar të drejtat popullit. Ata nuk do të na ndalin. Ata nuk do të heshtin popullin e Venezuelës, jo më", - thotë udhëheqësja e opozitës, Maria Corina Machado.

Muajin e kaluar, opozita filloi procesin e mbledhjes së rreth katër milionë nënshkrimeve të nevojshme për të organizuar referendumin. Por analisti Kevin Casas-Zamora paralajmëron se qeveria mund të bllokojë çdo përpjekje për referendum:

"Opozita mund të mbledhë nënshkrimet për referendumin, por vendimi për këtë çështje duhet të miratohet nga institucionet përkatëse, të cilat kontrollohen tërësisht nga qeveria".

Presidenti Maduro ka thënë se parlamenti i kontrolluar nga opozita do të shpërbëhet. Ai ka kërcënuar se do të propozojë një amendament kushtetues për të shkurtuar mandatin pesë-vjeçar të parlamentit:

"Asambleja kombëtare e ka humbur vlefshmërinë politik, është çështje kohe se kur do të zhduket, kjo është ajo që unë besoj. Ajo është shkëputur nga interesi kombëtar".

Udhëheqësi venezuelian gjithashtu akuzoi Shtetet e Bashkuara për komplotimin e një skenari të dhunës në vend për të justifikuar një ndërhyrje të huaj ushtarake për ta larguar atë nga pushteti:

"Është shumë e qartë se administrata aktuale me çdo kusht do të përpiqet të ruajë pushtetin, duke mbyllur të gjitha rrugët për një zgjidhje paqësore të ngërçit të tanishëm politik", - thotë analisti Kevin Casas-Zamora.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se inflacioni në Venezuelë, i cili tashmë është më i larti në botë, mund të dyfishohet në vitin 2016, duke arritur në mbi 720 përqind.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG