Lidhje

Venezuelë, mospajtime rreth përgjegjësve të krizës


Protestat e vazhdueshme anti-qeveritare në Venezuelë paraqesin kërcënimin më të madh për qeverinë socialiste të presidentit Nicolas Maduro, që kur pasardhësi i zgjedhur i të ndjerit Hugo Chavez fitoi zgjedhjet me rezultat të ngushtë vitin e kaluar. Në këtë vend të pasur me naftë pothuajse të gjithë janë të zemëruar për mungesat ushqimore, inflacionin e lartë dhe nivelin e lartë të krimit, por ka ndarje të thellë mbi përcaktimin e fajtorëve dhe mënyrat e zgjidhjes së problemeve.

Protestat e udhëhequra nga studentët në Venezuelë, që filluan disa javë më parë, kanë sjellë disa përballje të dhunshme dhe vdekjeprurëse me policinë, si dhe kanë theksuar ndarjet politike në vend.

Të gjithë venezuelasit janë të indinjuar me nivelin e lartë të inflacionit, mungesat e vazhdueshme të artikujve kryesorë të konsumit, si dhe me krimet e dhunshme. Por Eric Olsen, analist për Amerikën Latine i Qendrës Woodrow Wilson këtu në Uashington, thotë se ata janë të ndarë mbi personat që duhen fajësuar.

"Njerëzit që po protestojnë po përpiqen të bëjnë përgjegjëse qeverinë për këtë gjëndje, duke theksuar keqadministrim ose probleme të politikave të qeverisë. Vetë qeveria po fajëson personat që nxisin trazirat, po fajëson Shtetet e Bashkuara."

Zoti Olsen thotë se dëbimi i kohëve të fundit i tre diplomatëve amerikanë për dyshime në dhënie ndihme ndaj studentëve protestues rrit popullaritetin e Presidentit Maduro tek mbështetësit e tij.

Ndërkohë, zoti Maduro thotë se do të angazhohet drejtpërdrejt me SHBA-në për këto akuza dhe do të dërgojë një ambasador në Uashington për të plotësuar postin e mbetur bosh për një kohë të gjatë.

"I bëj thirrje për dialog, e pranoj këtë sfidë. Le të fillojë një dialog i nivelit të lartë dhe le të nxjerrim të vërtetën."

Nga ana e vet, Shtetet e Bashkuara kanë mohuar çdo përfshirje në protestat e Venezuelës dhe kanë reaguar në mënyrë reciproke duke dëbuar tre diplomatë të Venezuelës.

"Në vend që Presidenti Maduro të bëjë thirrje për dialog me presidentin amerikan dhe për shkëmbim ambasadorësh, ai duhet të përqëndrohet në një dialog me popullin venezuelian, sepse kjo është çështja tani. Nuk ka të bëjë me Shtetet e Bashkuara."

Pavarësisht faktit se ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, ekonomia e Venezuelës duket të mos jetë në gjendje të përballojë programet sociale që ofrojnë strehim falas, kujdes shëndetësor dhe shërbime të tjera për të varfërit. Analisti Olsen thotë se Venezuela duhet të gjejë një mënyrë për të jetuar brenda mundësive të saj, ndërsa vazhdon këto programe të pëlqyera nga njerëzit.

"Pra, pyetja është, a mund të vazhdojnë ato lloje programesh, por duke patur njëkohësisht politika më të mira dhe të reformuara ekonomike që nuk krijojnë bazat për krizë të tillë. Mendoj se kjo në një farë mase është një sfidë si për qeverinë dhe për opozitën."

Por për momentin vendi mbetet i ndarë lidhur me gjërat që duhen bërë dhe personat që duhen fajësuar.
XS
SM
MD
LG