Lidhje

Venezuelë: Capriles nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve


Nicolas Maduro, presidenti në detyrë i Venezuelës, ka arritur të sigurojë një fitore të ngushtë në zgjedhjet e parakohshme të së dielës për zëvendësimin e ish presidentit Hugo Chavez.

Këshilli Zgjedhor i Venezuelës njoftoi fitoren e zotit Maduro ndaj udhëheqësit të opozitës Henrique Capriles, disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit në mbarë vendin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden njofton nga Karakasi se kandidati i opozitës Henrique Capriles ka kërkuar rinumërimin e votave.

Rezultatet zyrtare tregojnë se Nicolas Maduro ka fituar zgjedhjet kombëtare të zhvilluara të dielën duke marrë 50,7 përqind të votave. Kandidati i opozitës Henrique Capriles mori 49,1 për qind.

Kryetarja e Këshilli Kombëtar të Zgjedhjeve, Tibisay Lucena, tha se diferenca e ngushtë e fitores është e pakontestueshme.

“Këto janë rezultatet e pakthyeshme që i ka vendosur vendi i Venezuelës në këtë proces zgjedhor”.

Pas shpalljes së rezultateve u hodhën fishekzjarre në kryeqyetetin e vendit, Karakas, dhe përkrahësit e zotit Maduro dolën në rrugë për festuar fitoren kandidatit të tyre.

Zoti Maduro deklaroi fitoren për veten dhe trashëgiminë socialiste të zotit Chavez të
cilën ai tha se do ta mbrojë.

“Rroftë Chavezi. Deri në fitore përgjithmonë”.

Në fillim të fushatës, zoti Maduro kishte epërsi të ndjeshme në anketat me votuesit. Por zoti Capriles ngushtoi epërsinë në ditët e fundit të fushatës.

Shumë votues që mbështetën zotin Capriles thanë se ata ishin të shqetësuar me rritjen e inflacionit dhe shkallën e lartë të krimit në vend.

Këshilli zgjedhor tha se diferenca ishte vetëm 235 mijë vota.

Zoti Capriles tha se ai nuk do t’i njohë rezultatet zyrtare dhe dëshiron rinumërimin e votave.

“Ne kërkojmë që Këshilli Kombëtar i Zgjedhjeve të hapë të gjitha kutitë dhe të numërohet çdo votë e hedhur nga qytetarët e Venezuelës”.

Ndërkohë që kryeqyteti vazhdon të jetë i qetë, refuzimi zotit Capriles për të pranuar rezultatin ka ngritur shqetësimet për trazira politike në Venezuelë.

XS
SM
MD
LG