Lidhje

Zgjedhjet në Venezuelë

  • Brian Padden

Të dielën, venezuelianët do të shkojnë në votime për të zgjedhur mes zgjatjes së mandatit 14-vjeçar të presidentit Hugo Chavez edhe me gjashtë vite të tjera, ose zgjedhjen e sfiduesit të tij të ri, Henrique Capriles. Ndërkohë që beteja e vazhdueshme e udhëheqësit venezuelian me kancerin është një çështje shumë e përfolur në garën presidenciale, për shumë votues këto zgjedhje do të jenë një referendum mbi rezultatet e politikave socialiste të zotit Chavez.

Me afrimin e zgjedhjeve, Presidenti Chavez ka shtuar numrin e projekteve qeveritare të ndërtimit në Karakas që ofrojnë vende pune dhe strehim falas për të varfërit. Duke përdorur burimet e mëdha të naftës për financimin e programeve sociale me vlerë miliarda dollarë dhe subvencioneve, presidenti i Venezuelës në të kaluarën ka qenë në gjendje të ruajë mbështetjen e shumicës së votuesve.

Në Venezuelë benzina kushton më pak se uji. Dhe mbështetësit presidentit Chavez, si Ramon Gonzalesi, nuk shqetësohen nga pritja në radhë të gjata për të blerë ushqimet e racionuara që subvencionohen nga shteti.

“Ne jemi mësuar të presim në radhë. Të gjithë janë mësuar të presin në radhë. Nuk është problem për mua”.

Por kritikët e zotit Chavez thonë se shtetëzimi i kompanive private, caktimi i çmimeve dhe kontrolli i vlerës së monedhës kanë minuar zhvillimin ekonomik. Kritikët e tij gjithashtu e fajësojnë atë për nivelin e lartë të krimeve të dhunshme.

Në këto zgjedhje, opozita e Venezuelës është bashkuar rreth Henrique Capriles, një ish guvernator i cili thotë se ai dëshiron të ruajë programet e njohura sociale, por dëshiron ta bëjë vendin më të hapur për bizneset. Mbështetësi i tij, Luis Maceto thotë se Venezuela ka nevojë për udhëheqje të re.

“Ai ofron ndryshim për situatën në të cilën po jetojmë, e cila është përfshirë nga dhuna, papunësia dhe pasiguria”.

Anketuesi i pavarur Luis Vicente Leon thotë se zoti Chavez është në epërsi, por gara presidenciale është e ngushtë. Ai thotë se edhe mbështetësit e zotit Chavez janë gjithnjë e më kritikë ndaj favorizimit të miqve të qeverisë dhe paaftësisë.

“Zgjedhjet nuk kanë të bëjnë vetëm me ideologjinë, të majtët apo të djathtët, radikalizmin apo centrizmin. Nota vlerësuese për qeverinë e zotit Chavez është shumë e dobët”.

Të dielën, votuesit në Venezuelë do të vendosin për vazhdimin e formës së socializmit të zotit Chavez, ose për ndryshimin e saj.
XS
SM
MD
LG