Lidhje

Operacion i gjerë anti-drogë në veri të Shqipërisë

  • Pëllumb Sulo

Prej 24 orësh, policia në Shqipëri ka nisur një tjetër operacion në shkallë të gjerë për asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike në komunat malore të zonës së Dukagjinit, në rrethin e Shkodrës, operacion ky që vlerësohet si më i madhi pas atij të zhvilluar disa javë më parë në Lazarat.

Në orët e mbrëmjes, Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato, i cili drejtoi në terren operacionin antikanabis, tha për mediat se deri tani janë asgjësuar 150 parcela të mbjella me bimë narnotike dhe se operacioni në zonën e Dukagjinit do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të ardhshme, deri në asgjësimin e plotë të të gjithë sipërfaqeve të mbjella me kanabis:

"Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë filluar një operacion në shkallë të gjërë për asgjësimin e bimëve narkotike, kryesisht në zonën e Dukagjinit, në komunat Pult, Shosh, Bregu i Lumit, Plan, etj. Ky operacion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Janë angazhuar rreth 150 forca policore, tre helikopterë dhe 35 mjete të tjera që shërbejnë për transportin e forcave policore. Deri në këtë moment janë asgjësuar rreth 34 mijë bimë narkotike. Janë 150 parcela të identifikuara nga një monitorim që ne kemi bërë nga ajri, por ka edhe parcela të tjera përveç këtyre. Terreni është shumë i vështirë, angazhimi i forcave është shumë i madh, janë ndarë në 13 grupe. Një pjesë e bimëve narkotike janë asgjësuar, por ka edhe parcela të tjera që do të asgjësohen gjatë diteve të ardhëshme." - tha ai.

Nëndrejtori i Përgjithshëm i policisë pohoi se ka patur një sinjal për një kundërshtim në distancë me armë nga persona të paidentifikuar në zonën e Planit, ku është asgjësuar edhe sasia më e madhe e bimëve narkotike dhe se forcat Renea kishin shkuar për të lokalizuar vendin, por ai nuk e konfirmoi plotësisht incidentin.

Zoti Qato tha se operacioni ka ecur sipas planifikimit dhe se dita e parë ka përfunduar me asgjësimin e pjesës më të madhe të bimeve narkotike, të identifikuara tashmë nga policia.

Prej disa javësh, helikopterë të specializuar të Guardia di Finca të Italisë dhe të Ministrisë së Brendëshme të Shqipërisë kanë patrulluar nga ajri mbi të gjithë komunat malore të Qarkut të Shkodrës duke identifikuar parcelat e mbjella me bimë narkotike.

Ndryshe nga Lazarati, ku kultivimi i bimëve narkotike ishte masiv dhe i përqendruar brenda një territori të vogël, në zonën malore të Dukagjinit kultivimi i kësaj bime është shtrirë në një territor të gjerë, në parcela të vogla e të veçuara, larg zonave të banuara, gjë që e ka bërë të vështirë punën e policisë për zbulimin dhe asgjësimin e tyre.

Ndërkohë, në një status të postuar në rrjetet sociale, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri bëri të ditur se, që nga 1 qershori i këtij viti, forcat e policisë kanë asgjësuar në të gjithë territorin e vendit 344.407 bimë kanabis, ose 25 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG