Lidhje

Vështirësitë ekonomike në qytetin Geri të Indianës

  • Zëri Amerikës

Vështirësitë ekonomike në qytetin Geri të Indianës

Vështirësitë ekonomike në qytetin Geri të Indianës

Qyteti Geri në Indiana u themelua në vitin 1906 nga kreu i Korporatës amerikane të Çelikut Elbert H. Gary. Çeliku amerikan vazhdon të përbëjë aktivitetin kryesor të prodhimit përgjatë Liqenit të Miçiganit, megjithëse humbjet dramatike të vendeve të punës në industrinë e çelikut gjatë dekadave të fundit e kanë bërë të vështirë gjendjen ekonomike në qytetin dikur të begatë. Por nismat e zhvillimit rajonal po sjellin një farë shprese në qytetin që ka nevojë tani për nxitje ekonomike.

Në shumë pjesë të qytetit Geri në Indiana, ora ka ngecur në vend. Mbetjet e begatisë së dikurshme janë shembulli i rënies ekonomike të qytetit.

Uzinat e çelikut e krijuan këtë qytet dhe u dhanë mundësinë e punësimit në mënyrë direkte apo indirekte pothuajse të gjithë atyre që jetonin këtu.

Tani, këto uzina prodhojnë më shumë çelik se kurrë më parë, por me shumë më pak punëtorë.

“Mund të prodhojmë shumë më tepër çelik me më pak njerëz. Kemi operacion të teknologjisë së lartë të prodhimit”.

Jill Ritchie është drejtoreshë e politikave publike për Korporatën Amerikane të Çelikut. Uzina e tyre në Geri të Indianës tani punëson gati 6 mijë njerëz nga 35 mijë në vitin 1960.

“Në ato kohë transporti bëhej me mjete dore. Kishim operacionet tona të kovaçanës në uzinë. Pra kemi avancuar shumë që nga ato ditë”.

Ndërsa industria e çelikut u modernizua, filloi edhe eksodi nga qyteti. Në vitin 1970, popullësia e qytetit ishte pak mbi 175 mijë. Shifrat e fundit në vitin 2010 tregojnë një pakësim prej 20 përqind të popullatës në dekadën e fundit. Tani këtu ka zyrtarisht 80 mijë njerëz.

Kjo shifër e shqetëson kryetarin e bashkisë Rudy Clay:

“Ka më shumë banorë se aq. Shumë njerëz nuk i kanë plotësuar formularët e regjistrimit. Kemi bëra apel për ta ndryshuar shifrën”.

Nëse apeli nuk pranohet, qyteti nuk kualifikohet për të marrë financime federale.

Geri humbi një betejë të tillë pas censit të vitit 2000.

Më shumë se 25 përqind e popullësisë së qytetit jeton në varfëri, sa dyfishi i nivelit mesatar kombëtar.

Gjithkush që jeton këtu kërkon një mënyrë për të kthyer begatinë e dikurshme:

“Kur mbetesh kalorësi i vetëm, jeton me shpatën tënde dhe vdes pranë saj. Në rastin tonë, çeliku ishte shpata jonë”.

Karen Freeman-Wilson është kandidate demokrate në garën për kryetare të bashkisë së qytetit. Pa një kundërshtar të fortë republikan, ajo ka të ngjarë të bëhet e para grua në postin e kryebashkiakes pas zgjedhjeve të nëntorit. Ajo shpreson ta përdorë vendndodhjen e Gerit për të sjellë vende pune dhe begati përsëri në qytet:

“Ne jemi në kryqëzimin e katër autostradave. Jemi në mesin e tre linjave hekurudhore ndërkombëtare. Jemi gjithashtu pranë njërit nga liqenet më të mëdhenj. Kemi aeroport. Të gjithë këta faktorë mund ta bëjnë Gerin një pikë të rëndësishme. Do të ishim rivalë me Çikagon, i cili aktualisht është i mbingarkuar”.

Drejtuesit në veriperëndim të Indianës filluan në maj një projekt prej 153 milionë dollarësh për të zgjeruar Aeroportin Ndërkombëtar të qytetit. Zyrtarët shpresojnë se zgjerimi i aeroportit do të tërheqë avionë pasagjerësh dhe transporti që tani përdorin aeroportet e ngarkuara të Çikagos.

Ka gjithashtu një plan për ndërtimin e një muzeu të madh për të nderuar një nga banorët më të famshëm të Gerit, Majkëll Xhekson. Arkitektët shpresojnë që projekti prej 300 milionë dollarësh do të tërheqë qindra mijëra turistë çdo vit në qytet.

Por planet vazhdojnë të mbeten në letër pa asnjë datë për nisje dhe zyrtarët e qytetit po bëhen gjithnjë e më pesimistë për fillimin e tij.

XS
SM
MD
LG