Lidhje

Shkaqet e vetë-djegjeve në Tibet


Më tepër se 110 tibetianë i kanë vënë flakën vetes që nga protesta e vitit 2009 kundër politikës së Kinës ndaj atdheut të tyre, Tibetit. Shumica e personave që i venë zjarrin vetes bëjnë thirrje për kthimin e Dalai Lamës dhe liri për popullin tibetian. Qeveria kineze i hedh poshtë këto akte si një komplot politik nga Dalai Lama dhe pasuesit e tij për të destabilizuar Tibetin dhe për të diskredituar programet e modernizimit të Pekinit në atë vend. Në vazhdim, ju njohim me disa nga shkaqet e kësaj forme të tmerrshme proteste. Paraprakisht, ju njoftojmë se materiali në vazhdim përmban skena të rënda:

Konceptin i shenjtë e gjen kudo në kulturën tibetiane, që në thelbin e saj ka dhimbsurinë dhe respektin për jetën në përgjithësi. Por që nga viti 2009 dhjetra tibetianë kanë kryer të njëjtin akt: lagin trupin me benzinë, shpesh edhe pijnë benzinë, e pastaj dalin në rrugë në mesin e ditës dhe i vënë zjarrin vetes në shenjë proteste.

“Tibetianët tani ndodhen në një gjendje, që duan të shprehin ato që ndjejnë në formën më të fuqishme që munden: I jap fund jetës time, për të treguar se nuk shoh të ardhme për vete dhe popullin tim, si pjesë e Kinës”.

Protestat masive, kryengritjet e deri konfliktet e armatosura mes tibetianëve dhe Kinës e kanë zanafillën 60 vjet më parë, kur Dalai Lama u detyrua nga autoritetet kineze të largohej nga Tibeti.

Protestat më të fundit në shkallë të gjerë ndodhën në vitin 2008, kur tibetianët edhe një herë kërkuan liri më të mëdha fetare dhe kulturore dhe që t’i jepet fund atij që disa e quajnë kontroll totalitar mbi jetën e tibetianëve.

“Që nga viti 2008, i gjithë rajoni i Tibetit, Lasa në veçanti, ka qenë në fakt nën ligjin e luftës. Në këto rrethana, protestat në grup, natyrisht që janë të pamundura, sepse ato mund të shtypen thuajse menjëherë”.

Më 27 shkurt të vitit 2009, një murg i ri, i quajtur Tapey eci i vetëm në zonën tregtare Ngaba dhe u bë tibetiani i parë që i vuri zjarrin vetes. Dëshmitarët okularë thane se forcat kineze të sigurisë e qëlluan atë me armë disa herë, ndërsa vazhdonte të digjej dhe pastaj e arrestuan.

“Që kur Kina mori kontrollin e Tibetit në vitin 1959, Pekini është përpjekur sistematikisht të shkatërrojë dhe asgjësojë kulturën dhe fenë tibetiane, politikën e këtij vendi e të tjera. Të gjitha këto janë akumuluar si shkaqe për vetëdjegjen e tibetianëve”.

Autoritetet kineze fajësojnë për shtimin e numrit të vetë-djegjeve ato që ata i cilësojnë “Klika e Dalait” dhe “forcat nga jashtë”, ku përfshihet edhe administrata tibetiane në mërgim.

"Kohët e fundit ka patur raste të vetë-djegjes së tibetianëve edhe në disa rajone të Kinës. Duke gjykuar për shumë raste, është më se e qartë, se klika e Dalait i ka organizuar dhe nxitur ata”.

Shtypi zyrtar kinez i ka portretizuar rastet e vetë-djegjes si të rinj që u mungon siguria në vetvete dhe që duan të bëjnë përshtypje. Për ata thuhet se kanë patur probleme sociale ose familjare dhe se janë ndikuar nga lajmet që jep Zëri i Amerikës, një akuzë që Zëri i Amerikës e mohon. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Kinës që të gjejë zgjidhje për këtë problem përmes bisedimeve me Dalai Lamën.

“Shtetet e Bashkuara duan që të marrin fund veprime të tilla tragjike si vetë-djegja”.

Sipas dëshmitarëve, zakonisht personat që i venë zjarrin vetes e shoqërojnë veprimin e tyre, ndërsa përfshihen nga flakët, me thirrjet “Ktheni Dalai Lamën në Tibet” dhe “Duam liri”.

Të paktën 100 prej 110 personave që i kanë vënë zjarrin vetes kanë vdekur. Qindra njerëz janë arrestuar lidhur me vetë-djegjen. Disa prej tyre janë dënuar me burgime të gjata ose me vdekje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG