Lidhje

Në ndihmë të veteraneve dhe fëmijëve të tyre


Llogaritet se mbi 300 mijë veteranë të ushtrisë janë të pastrehë. Dhe ndërsa shtohet numri i grave që shërbejnë në ushtrinë amerikane, ato përbëjnë një përqindje në rritje të veteranëve të pastrehë. Shërbimeve qeveritare për veteranët e pastrehë po u shtohen edhe zgjidhje private. Organizata jo-fitimprurëse Final Salute, Nderimi i Fundit synon të ndihmojë veteranet femra dhe fëmijët e tyre deri sa ato të rimëkëmben.

Ozora Cassanova nuk mund ta imagjinonte para një viti se do të mbetej e pastrehë.

“Isha studente, kisha një punë me orar të reduktuar, bëja shërbimin ushtarak dhe isha e martuar”.

Jeta ndryshoi për anëtaren e Gardës Kombëtare kur ajo humbi punën, u divorcua, përfundoi pa para dhe iu kërkua të dilte nga apartamenti me qera. Fatmirësisht, ajo thotë se mësoi për ekzistencën e organizatës Nderimi i Fundit dhe iu dha mundësia të banojë në një shtëpi në Fair Lakes, Virginia, para 6 muajsh. Këtu, thotë ajo, gjeti më shumë se sa një strehë.

“Këtu kam marrë ndihmë për rezymenë time. U prezantove me një njeri që shërben si këshilltar për jetën. Kam marrë ndihmë financiare për gjëra bazë si udhqime dhe gjëra të tjera”.

Një stabilitet i tillë i jep asaj mundësi t’i përqëndrojë energjitë tek përpjekjet për punësim dhe që të vazhdojë shkollën. Duke jetuar me gra të tjera, që janë përballur me situata të ngjashme ajo ndjehet se nuk është vetëm.

“Kam mësuar nga përvoja e tyre, për shembull të marr një vendim të pjekur. Ne mësojmë nga njera tjetra”.

Veterania Ashley Dyer erdhi këtu në muajin qershor pasi ishte e pastrehë për 5 muaj.

“Ishte përvoja më e dhimbshme që kam përballuar në jetën time”.

Ashley Dyer ëndërron të bëhet shkrimtare dhe kineaste. Ajo thotë se themeluesja e organizatës Nderimi i Fundit, Jas Boothe, e frymëzon që të jetë e sukseshme.

“Ajo kujdeset për mua si prindërit për fëmijën. Unë nuk e kam një mbështetje të tillë familiare. Ajo pret prej meje që të jem e sukseshme në jetë, sepse beson se mund ta arrij një gjë të tillë. Dhe nëse unë nuk bëj përpjekjet e duhura për të arritur qëllimet e mia në jetë, ajo ma bën të ditur”.

Për një farë kohe, Jas Boothe ishte mes 13 mijë veteraneve të pastreha në Amerikë. Ajo përvojë e bëri atë që të krijonte organizatën jo-fitimprurëse, Nderimi i Fundit, e përkushtuar për nevojat e veçanta të veteraneve.

“Jo të gjithë veteranët kanë nevojë për rehabilitim. Jo të gjithë kanë nevojë për programe të rrepta ristrukturimi. Disa prej tyre thjesht kanë nevojë të përkohshme për strehim dhe shumica e programeve nuk janë ndërtuar për veteranët me nevoja të përkohshme”.

Gjatë 2 vjetëve të fundit, 9 veterane dhe 5 fëmijë kanë gjetur strehë në qendrën tranzitore. Zonja Boothe thotë se ka një arsye përse kjo qendër të krijon ndjesinë e shtëpisë.

“Kur po kërkoja për një mjedis për qendrën, së pari mendova se ku do të doja të jetoja unë vetë me fëmijët e mi? Unë do të doja që fëmijët e mi të jetonin në një shtëpi private në një lagje të bukur. Ato nuk kanë nevojë të shqetësohen për ushqime dhe veshmbathje. Atyre u duhet të përqëndrohen në detyrat e tyre për të përparuar”.

Shtëpia e dytë tranzitore e organizatës Nderimi i Fundit pritet të hapet së shpejti në mënyrë që më shumë veterane të pastreha të marrin ndihmë deri sa të rimëkëmben.
XS
SM
MD
LG