Lidhje

Sot, Dita e Veteranëve në Shtetet e Bashkuara


Në fjalimin e rastit, në Varrezat Kombëtare Presidenti u zotua se do t’u shërbejë veteranëve të luftës, duke i ndihmuar për arsimin dhe shëndetin

11 Nëntori është dita e veteranëve në Shtetet e Bashkuara, një festë federale kur nderohet personeli ushtarak që ka shërbyer në të gjitha luftrat amerikane. Është traditë, që Presidenti Amerikan të vendosë sot një kurorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Dëshmorëve në Arlington.

Presidenti Obama dhe zonja e Parë Michelle Obama morën pjesë në ceremoninë që u zhvillua nën tingujt e himnit kombëtar amerikan. Në fjalimin e rastit, Presidenti u zotua se do t’i shërbejë veteranëve të luftës, duke përmirësuar situatën e arsimimit të tyre dhe përfitimet mjekësore. Zoti Obama tha se administrata e tij është duke i ndihmuar veteranët të ndjekin arsimin e lartë, “për të përmbushur ëndërrat e tyre”.

Presidenti tha se autoritetet i kanë siguruar përfitime veteranëve të Luftës së Vietnamit, të ekspozuar ndaj një lloj solucioni me spërkatje që përdoret nga forcat amerikane për të eliminuar bimësinë dhe që përdoret si mbulojë nga forcat guerrile. Zoti Obama po ashtu theksoi në fjalimin e tij përmbushjen e një premtimi për t’i dhënë fund përfshirjes amerikane në Irak, duke theksuar faktin që këtë vit është hera e parë që festohet festa e veteranëve pasi trupat amerikane u larguan nga Iraku në dhjetor të vitit të kaluar. Ai tha se po ashtu, 33 mijë trupa amerikane janë kthyer nga Afganistani, ndërsa atje po ndodh kalimi i pushtetit nën kontrollin e qeverisë afgane, pas një dekade lufte.

Presidenti Obama tha në fjalimin e tij të sotëm se mbi një milionë ushtarakë amerikanë do t’i rikthehen jetës civile në pak vitet e ardhshme dhe se Shtetet e Bashkuara kanë detyrimin e shenjtë për t’u kujdesur për ta.

Në mbarë Shtetet e Bashkuara zakonisht ditën e veteranëve mbahen ceremoni të ndryshme. Nesër është ditë pushimi dhe zyrat federale janë të mbyllura me rastin e festës. Për herë të parë Dita e Veteranëve u festua në vitin 1919 dhe ajo njihej fillimisht si Dita e Armëpushimit. Një vit më parë, më 11 nëntor të vitit 1918, në orën 11 u vendos armëpushimi mes Gjermanisë dhe forcave aleate. Britania e nderon 11 nëntorit si Dita e Kujtimit, me një minutë heshtje në orën 11 të ditës, sipas orës lokale.
XS
SM
MD
LG