Lidhje

Avokati i Popullit, optimist për procesin e vetingut


Në Tiranë, Avokati i Popullit njoftoi shtyrjen edhe një javë të afatit për plotësimin e dokumentave, nga ana e kandidatëve për komisionet e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Zoti Igli Totozani tha se procesi është ligjor, i saktë dhe i besueshëm, pavarësisht kureshtjes për të dhënat personale të kandidatëve.

Emrat e kandidatëve për komisionet e vetingut do të përcillen më pas në komisionet e parlamentit, ku presin votimin e deputetëve.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, njoftoi sot zgjatjen edhe për një javë të afatit për plotësimin e dokumentave nga të gjithë kandidatët për institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ky është fillimi i procesit, që kërkoi parlamenti për riplotësim të dokumentave, kur ktheu pas dosjet e kandidatëve për institucionet e rivlerësimit, apo siç njihet vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në fazën e parë Avokati i Popullit shqyrtoi 29 kandidatura, që përbëjnë listën a, 8 nga të cilat morën vlerësime negative.

Ndërsa sot ai ftoi gjithë kandidatët e listës b për institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që të përmbushin brenda 7 ditëve kriteret ligjore dhe dokumentat e munguara në dosjet personale sipas ligjit.

Ai është optimist për mbarëvajtjen e vettingut dhe pohoi se Avokati i Popullit si rrallëherë më parë është angazhuar plotësisht për të mbështetur reformën në drejtësi, me një staf të posaçëm, i cili nuk po bën asnjë ditë pushim, duke njoftuar dhe sqaruar kandidatët individualisht për çdo detaj.

Nisja e reformës në drejtësi përkoi edhe me bojkotimin e parlamentit nga opozita, ku nevojitet pjesëmarrja e saj në komisionin e përbashkët për vazhdimin e procesit.

Socialistët nga ana e tyre janë shprehur se demokratët u larguan nga parlamenti pikërisht për të bllokuar reformimin e drejtësisë në fazën kulmore të saj.

XS
SM
MD
LG