Lidhje

Vetëvendosje përkujton 10 shkurtin 2007


Udhëheqësit e lëvizjes thanë sot se do të kërkojnë drejtësi për dy veprimtarët e vrarë, ndërsa akuzuan autoritetet ndërkombëtare për fshehjen e krimit dhe lirimin e policëve rumunë

Në Prishtinë, lëvizja Vetëvendosje përkujtoi sot ngjarjet e 10 shkurtit të vitit 2007, kur dy veprimtarë të saj, Mon Balaj e Arben Xheladini, humbën jetën gjatë ndërhyrjes së policisë së Kombeve të Bashkuara për shpërndarjen e një proteste të kësaj lëvizjeje, e cila kundërshtonte negociatat për statusin politik të Kosovës.

Hetimet, të cilat u drejtuan nga prokurori amerikan Robert Dean, vërtetuan se të dy ata ishin qëlluar me plumba gome nga pjesëtarët rumunë të policisë së UNMIK-ut. Mirëpo, policët u kthyen në Rumani para përfundimit të hetimeve.

Rreth 80 protestues pësuan plagë gjatë ndërhyrjes së policisë, ndërsa pati edhe shumë të arrestuar.

Udhëheqësit e lëvizjes Vetëvendosje thanë sot se do të kërkojnë drejtësi për dy veprimtarët e vrarë, ndërsa akuzuan autoritetet ndërkombëtare për siç thuhet fshehjen e krimit dhe lirimin e policëve rumunë, që ishin përgjegjës për përdorimin e plumbave të gomës me afat të skaduar.
Gjatë asaj proteste ishte kundërshtuar plani i kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit një vit më vonë, Kosova shpalli pavarësinë.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta cilësojë atë plan si një kompromis të dëmshëm për Kosovën, ndërsa edhe sot ajo kundërshton çfarëdo lloj bisedimesh të pakushtëzuara me Beogradin.
XS
SM
MD
LG