Lidhje

Vëzhgues të Lidhjes Arabe vizituan disa qytete të Sirisë

  • Zëri Amerikës

Vëzhgues të Lidhjes Arabe vizituan disa qytete të Sirisë

Vëzhgues të Lidhjes Arabe vizituan disa qytete të Sirisë

Vëzhgues nga të paktën 8 vende të Lidhjes Arabe vizituan sot disa qytete të Sirisë si pjesë e përpjekjeve të tyre për t’i dhënë fund fushatës së dhunshme kundër protestuesve anti-qeveritarë në vend. Aktivistët thonë se dje, forcat e sigurisë vranë të paktën 30 njerëz në qytetin sirian Homs dhe se të paktën 20.000 protestues anti-qeveritarë u mblodhën sot në këtë qytet për një miting që përkon me vizitën e vëzhguesve.

Njëri prej vëzhguesve të Lidhjes Arabe, Mohamed Salem thotë se objektivi i vëzhguesve është gjetja e një zgjidhjeje paqësore.

"Roli ynë dhe roli i Lidhjes Arabe është të ndihmojmë qeverinë siriane si dhe popullin sirian të dalin nga kjo krizë. Ne do të vëzhgojmë shkeljet, që kryhen nga secila palë, si nga regjimi sirian edhe protestuesit. Misioni ynë është të njoftojmë të gjithë gjendjen".

50 vëzhgues dhe 10 zyrtarë të tjerë të Lidhjes Arabe mbërritën dje në Siri nga Egjipti, për të verifikuar premtimet e qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad se do të tërhiqte tanket nga qytetet dhe do të lironte të burgosurit politikë.

Një grup vëzhguesish shkoi sot në qytetin e Homsit, qendra e protestuesve të opozitës. Duke folur me gazetarët në Paris, kryetari i Këshillit Kombëtar Sirian, Burhan Ghalioun i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bashkohet në përpjekjet për të ndalur dhunën.

"Ne u kërkojmë udhëheqësve arabë, të cilët hartuan këtë plan, që të ndërhyjnë dhe ta detyrojnë regjimin sirian që të ndalë këtë masakër të vërtetë. Ne i kërkojmë gjithashtu Kombeve të Bashkuara, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe udhëheqësve evropianë, ne jemi në Evropë, që të ndërhyjnë, ashtu siç veproi Franca dhe të thonë: Kjo tragjedi duhet të marrë fund".

Ndërkohë, aktivistë dhe dëshmitarë akularë thanë se tanket e qeverisë dhe forcat e sigurimit vërshuan në lagjen Bab Amr të qytetit Homs, duke përdorur artileri dhe armë të tjera zjarri. Video amatore të publikuara në YouTube tregojnë trupa të pajetë, që shtrihen në pelgje me gjak para një shtëpie, që me sa duket u godit nga predhat. Një video tjetër tregon tanket që kalojnë nëpërrugët e këtij distrikti, bazë e ushtarakëve, që dezertojnë.

Siria e pranoi planin e Lidhjes Arabe, e ndodhur nën presionin e komunitetit ndërkombëtar dhe të kërcënimeve për saksione nga vendet arabe. Plani u kërkon presidentit al-Assad që të lejojë lëvizjen e lirë të vëzhguesve kudo në vend, me përjashtim të qendrave sekrete ushtarake.

Kombet e Bashkuara llogarisin se 5 mijë njerëz janë vrarë nga dhuna e përdorur kundër protestuesve, që prej fillimit të kryengritjes anti-qeveritare në muajin mars. Qeveria siriane thotë se revolta po nxitet nga ata persona, që ajo i cilëson si "terroristë të armatosur".

XS
SM
MD
LG