Lidhje

Vëzhguesit, thirrje të hetohen njoftimet për manipulime në zgjedhjet në Afganistan


Vëzhguesit e zgjedhjeve kanë bërë thirrje të hetohen njoftimet për kërcënime dhe manipulime pas zgjedhjeve parlamentare të së shtunës në Afganistan.


Në një raport të publikuar sot, Fondacioni për Zgjedhje të Lira dhe të Drejta në Afganistan (FEFA) tha se shqetësimi i tyre kishte të bënte me më shumë se 300 raste kërcënimesh të votuesve nga komandantët lokalë fisnorë.

Përveç njoftimeve për kërcënime, Fondacioni tha se zgjedhjet parlamentare ishin përfshirë nga akuzat për mbushjen e kutive me fletë votimi, votime të përsëritura, pjesëmarrje të votuesve nën moshë, dhe përdorimin e kartave fallso të identitetit. Grupi kishte rreth 7 mijë vëzhgues në votime.


FEFA u bëri thirrje institucioneve shtetërore të bashkëpunonin me hetimet rreth parregullsive të njoftuara.
Komisoni për Ankesat Zgjedhore tha se ka marrë më shumë se 700 ankesa që kur janë mbyllur votimet.
Komisioni i Pavarur Zgjedhor Afgan tha sot se rastet e manipulimeve ishin të pashmangshme dhe se ishte i përkushtuar për të bashkëpunuar me komisionin e ankesave për të eliminuar ndikimin e manipulimeve tek rezultatet përfundimtare.

XS
SM
MD
LG