Lidhje

Vëzhguesit shpresojnë të sigurojnë zgjedhje të drejta presidenciale në Rusi

  • JAMES BROOKE

Tre muaj pasi zgjedhjet parlamentare të Rusisë u shoqëruan me ankesa për manipulime në masë, rusët zhvillojnë nesër zgjedhjet presidenciale. Siç vihet në dukje në materialin në vazhdim, zemërimi lidhur me zgjedhjet e dhjetorit është bërë shkak i një lëvizjeje masive që vetë qytetarët të jenë pjesë e grupeve të vëzhguese të zgjedhjeve.

Një numër i madh rusësh mbajnë shënime në një auditor universiteti një të shtunë mbasdite me diell.

Ata nuk janë studentë, por vetëm 50 vetë mes një ushtrie prej 200 mijë rusësh, të cilat kanë dalë vullnetarë për të vëzhguar zgjedhjet, për të parandaluar manipulimin e zgjedhjeve presidenciale. Madje ata bëjnë më shumë se sa dëgjojnë leksione, ata shikojnë një video trajnimi të prodhuar nga producenti Serob Khachatryan.

“Ata që kanë dalë vullnetarë si vëzhgues vizitojnë sesione trajnimi dhe lexojnë broshura të ndryshme. Ne sigurojmë informacione të lehta, të thjeshta dhe të kuptueshme”.

Anna Bugrova thotë se manipulimet e pakontrolluara në zgjedhjet e dhjetorit bënë që ajo të vepronte:

“E kuptova se pati shumë manipulime dhe më pas fillova të lexoj më shumë rreth kësaj situate dhe si rezultat jam këtu”.

Matvey Petukhov, i grupit vëzhgues Citizen Observer, i mëson vullnetarët që të kenë kujdes nga votimi disa herë dhe nga hedhja e më shumë se një vote në kutitë e votimit. Por ai i mëson ata edhe si të komunikojnë me policinë dhe si të paraqesin në prokurori ankesat ligjore.

“Objektivi ynë është shumë i thjeshtë: të sigurohemi që zgjedhjet të jenë sa më të drejta. Në Moskë kjo është relativisht e lehtë sepse kemi shumë vëzhgues”.

Por analistja Masha Lipman në qendrën Carnegie të Moskës, paralajmëron se lëvizja e vëzhguesve të zgjedhjeve mund të jetë e kufizuar në qytetet e mëdha të Rusisë:

“Vëzhgimi i zgjedhjeve nuk do të bëhet në gjithë vendin. Në Moskë, ky proces do të sjellë rezultat, ndërsa provincat ndryshojnë shumë nga qendrat e mëdha urbane”.

Pas ankesave të shumta për manipulime në zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit, kryeministri Vladimir Putin njoftoi një program prej 500 milion dollarësh për të instaluar 2 kamera në secilën prej gati 100 mijë qendrave të votimit të Rusisë.

Por ky vendim nuk bindi vëzhguesin e zgjedhjeve, Vyacheslav Filippov.

“Kur dëgjova se kryeministri premtoi se kamerat do të përdoreshin gjatë zgjedhjeve, shpresova se diçka me të vërtetë do të ndryshonte. Më vonë mësova se rregistrimet nga këto kamera nuk do të ishin në dispozicion të publikut, pra kamerat do të filmojnë çdo gjë dhe rregjistrimet nuk do të përdoren për asgjë”.

Ekaterina Korovkina thotë se është gati të qëndrojnë nesër në qendrën e votimit për 20 orë, për të parë për manipulime të mundshme.

“Mendoj se çdo kush mund të ndihmojë në zbatimin e ndryshimeve, prandaj do të përpiqem të jem vëzhguese. Jam gati, po të jetë nevoja edhe të luftoj”.

Dhe Ekaterinës mund t’i duhet të luftojë. Pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit, ekspertët e zgjedhjeve studjuan rezultatet për gazetën Wall Street Journal dhe arritën në përfundimin se manipulimet kishin ndikuar tek 21 për qind e votave totale, baraz me 14 milion vota.

XS
SM
MD
LG