Lidhje

Analiza premtuese kanceri


Cancer screening
Cancer screening
Hulumtuesit janë duke eksploruar një strategji të re për zbulimin e kancerit të vezoreve. Prej një kohe të gjatë, mjekët përdorin një analizë gjaku për të zbuluar këtë lloj kanceri tek gratë që dyshohen të jenë prekur nga sëmundja. Tani ata shpresojnë se kjo mënyrë mund të funksionojë edhe për gratë e shëndetshme. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Jessica Berman.

Sipas Fondit Ndërkombëtar të Studimeve për Kancerin, ai i llojit ovarian apo i vezoreve është përgjegjës për gati 2 përqind të të gjitha llojeve të kancereve që diagnostikohen çdo vit. Sëmundja është mjaft vdekjeprurëse pasi nuk ka simptoma specifike në fazat e para dhe kur gruaja shkon tek mjeku me ankesat për fryrje barku dhe dhimbje, është shumë vonë për të filluar trajtimin.

Karen Lu është shefe e Departamentit të Onkologjisë dhe Gjinekologjisë në qendrën Anderson në Universitetin e Teksasit.

“Ne dimë se mbi 75 përqind e grave me kancerin e vezoreve paraqiten në fazat e vonëshme kur shanset për një kurim të qëndrueshëm janë shumë të pakta. Ne e dimë se nëse e zbulojmë në fazat e para shanset për kurim afatgjatë, mund të jenë deri në 90 përqind.

Shansi për ta zbuluar kancerin herët mund të vijë nga një analizë gjaku që është përdoryr për gati 20 vjet. Mjekët e përdorin këtë analizë, që kontrollon nivelin e një proteine të quajtur CA-125, për të konfirmuar diagnostikimin e kancerit të vezoreve ose për të monitoruar përparimin e grave që tratohen për sëmundjen.

Lu dhe kolegët e saj hetuan mundësinë e përdorimit të niveleve CA-125 për të kontrolluar gratë në fazat pas menopauzës për kancer.

Ato ishin të përfshira në një studim 11 vjecar me gati 4 mijë gra të shëndetshme në mbarë Shtetet e Bashkuara. Pjesëmarrëset, 50 deri në 74 vjeç pa histori të kancerit të gjirit apo të vezoreve në familje, bënë një analizë gjaku për proteinën CA-125 në fillim të studimit dhe u ndanë në grupe. Gratë bënë analiza të regullta për gati një dekadë.

Zonja Lu thotë se ato gra që e kishin nivelin e proteinës CA-125 të ulët vinin çdo vit për të përsëritur analizën. Gratë me nivel mesatar e bënë analizën çdo tre muaj. Gratë me nivel të lartë të proteinës CA-125 u dërguan tek specialisti i kancerit për një ekzaminim me ultratinguj. 85 gra u referuan tek mjeku bazuar tek kjo analizë. Për 10 gra u rekomandua operacion, katër nga të cilat kishin kancerin e vezoreve në faza të hershme. Mes grave të tjera, njëra kishte kancer endometrial, tre kishin tumore beninj dhe dy kishin ndryshime të dyshimta të qelizave.

Metoda e ndarjes së grave në tre grupe rreziku, sipas zonjës Lu, provoi të ishte gati 100 përqind e efektshme në zbulimin e kancerit të vezoreve perms analizës së proteinës CA-125.

“Kur pamë shtim të nivelit të proteinës i referuam gratë për analizë me ultratinguj që diktoi kancerin në fazat e para.”

Studiuesit britanikë kanë përfunduar një studim me gati 200 mijë gra të shëndetshme për të parë nëse rreziku i tyre për vdekje nga kanceri ovarian u pakësua përmes analizave të përvitshme.

Zonja Lu thotë se në varësi të rezultatit, analiza mund të rekomandohet edhe për gratë e shëndetëshme. Rezultatet e studimit nga zonja Karen Lu dhe kolegët e saj u publikuan në revistën Cancer.
XS
SM
MD
LG