Lidhje

Video e famshme gjatë protestave të Ukrainës

  • Zllatica Hoke

Një video që tregon kulmin e protestave në Ukrainë është përhapur shumë në internet pasi ukrainasja që fliste në të e postoi në faqen e internetit të YouTube-it. Miliona njerëz e panë videon e titulluar “Unë Jam Ukrainase” vetëm gjatë dy javëve të para, dhe shifra e shikuesve vazhdon të rritet. Krijuesja e videos, Yulia Marushevska, e cila është studente në Kiev, vizitoi Zërin e Amerikës ditët e fundit dhe foli rreth idesë që e shtyu atë drejt kësaj forme të fuqishme proteste.

Në videoklipin dy minutësh, të filmuar nga fotografi britanik Graham Mitchell në Kiev, Marushevska shpjegon pse shumë njerëz dolën të protestonin në Ukrainë.

“Ka vetëm një arsye: ata duan të lirohen nga diktatura, nga politikanët të cilët janë të gatshëm të qëllojnë me armë, rrahin apo lëndojnë njerëzit vetëm për të ruajtur paratë e tyre, shtëpitë e tyre, pushtetin e tyre.”

Marushevska i tha Zërit të Amerikës se lufta e ukrainasve për liri është në interes të njerëzve kudo në botë sepse nuk është vetëm një luftë politike, por një luftë universale e njerëzve për liri dhe të drejtat e tyre.

“Dhe ata e kuptuan se ne nuk po luftojmë thjesht për një president të ri, po luftojmë për një jetë normale në një nivel normal shoqëror, me vlera normale. Ishte shumë e thjeshtë dhe prandaj ata e kuptuan.”

Marushevska tha se videoja e saj dhe të tjera nga Ukraina tërhoqën vëmendje kur protestuesit refuzuan të largoheshin nga sheshi qendror i Kievit, edhe pasi më shumë se 70 persona u vranë gjatë përleshjeve me policinë.

“Mendoj se njerëzit përpiqeshin të gjenin përgjigjen se pse dikush mund shkojë të vdesë. Cili është motivi i një personi që shkon dhe gjen vdekjen – për çfarë? Mendoj se për të gjithë botën kjo është një pyetje e vështirë.”

Regjizori me bazë në Kaliforni Ben Moses ndihmoi me prodhimin e videos dhe tërheqjen e vëmendjes ndaj saj. Ai thotë se më shumë se shtatë milion njerëz e panë vetëm gjatë dy javëve të para në YouTube dhe që atëherë, shifrës i është shtuar edhe një milion tjetër shikuesish. Ai thotë se videoja është veçanërisht bindëse për shkak të thjeshtësisë së Marushevskës dhe sinqeritetit të saj.

"Ishte aq e habitshme në fakt sa që rusët u frikësuan dhe përdorën propagandë për t’i njollosur emrin, duke e quajtur prostitutë ose kamariere nga Filadelfia ose diçka të tillë.”

Por Marushevska thotë se protesta e saj nuk i drejtohet në mënyrë specifike Rusisë. Ajo thotë se është e vetëdijshme se revolucioni nuk është i mjaftueshëm për të eliminuar korrupsionin në politikën e Ukrainës.

Ndërsa afrohet data e 25 majit, e zgjedhjeve presidenciale të Ukrainës, studentja e çiltër nga Kievi thotë se ajo dëshiron një demokraci të vërtetë, jo iluzionin e demokracisë që kishte më parë vendi i saj.

XS
SM
MD
LG