Lidhje

Operacioni për lirimin e pengjeve në Irak


Një video e nxjerrë sot mendohet se tregon operacionin e përbashkët të forcave amerikane dhe atyre kurde peshmerga ndaj një burgu të Shtetit Islamik në Irakun e veriut, ku u liruan 69 pengje.

Një video 2-minutëshe e xhiruar nga një kamera e montuar në helmetë dhe e botuar nga Këshilli i Sigurisë Rajonale të Kurdistanit, tregon disa komando që udhëheqin një grup burrash nga një kthinë në tjetrën, ndërkohë që në sfond dëgjohen papushim të shtëna armësh.

Një zë burri dëgjohet që thërret në arabisht “shpejt!”, ndërkohë që të burgosurit shoqërohen në një zonë të sigurtë.

Ndër pengjet e liruara nga burgu në Hawijah janë disa anëtarë të Forcave Irakiane të Sigurisë. Sipas burimeve kurde, gjatë operacionit u kapën gjashtë militantë të Shtetit Islamik dhe u vranë 20 të tjerë.

Gjatë operacionit humbi jetën ushtaraku amerikan Joshua L. Wheeler, i cili është edhe rasti i parë që kur filloi fushata kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Sipas zyrtarëve amerikanë dhe kurdë, operacioni u krye pasi pritej ekzekutimi i menjëhershëm i pengjeve.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, tha dje se: “Kemi dëgjuar tashmë prej pengjeve se do të ekzekutoheshin gjatë faljes së mëngjesit. Varret e tyre ishin bërë gati.”

XS
SM
MD
LG