Lidhje

Vjenë: takim për çështjen e refugjatëve


Sot në Vjenë u mbajt një takim mbi rrugët e migrimit që kalojnë përmes Ballkanit, ku morën pjesë udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian. Në këtë takim, udhëheqësit evropianë bënë thirrje për mbylljen e rrugëve ilegale të migrimit në Ballkanin Perëndimor.

Kancelari austriak Christian Kern organizoi sot në Vjenë një takim të udhëheqësve evropianë, në të cilin u diskutua për çështjen e rrugëve të migrimit që kalojnë përmes Ballkanit.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha se qëllimi i takimit është mbyllja e rrugëve ilegale të migrimit në Ballkanin Perëndimor:

“Që nga dita e parë e krizës së migrimit unë nuk e kam vënë në dyshim se çelësi i zgjidhjes së saj është ritkhimi i kontrollit të efektshëm të kufijve të Bashkimit Evropian. Parakusht themelor për realizimin e këtij synimi është bashkëpunimi i ngushtë me partnerët tanë në Ballkan dhe me Turqinë. Ne duhet të konfirmojmë sot që rrugët e migrimit të Ballkanin Perëndimor të mbyllen njëherë e mirë.”

Ndërsa numri i përgjithshëm i imigrantëve që hyjnë në BE ka rënë, pjesërisht për shkak të një marrëveshje mes BE-së dhe Turqisë, në bazë të së cilës Ankaraja pengon lëvizjen e imigrantëve nga brigjet e saj drejt Evropës. Megjithatë e ardhmja e kësaj marrëveshje nuk është e sigurtë. Bashkimi Europian ka qenë i ndarë rreth masave që duhet marrë për një zgjidhje më të qëndrueshme të këtij problemi.

Kriza e refugjatëve i ka dhënë hov partive të djathta që janë kundër emigracionit në të gjithë Evropën, duke përfshirë Austrinë.

Në takimin e sotëm po merr pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, partia e së cilës pësoi humbje në zgjedhjet e javës së kaluar në Berlin, kryesisht për shkak të pakënaqësisë së votuesve rreth pranimit të më shumë se një milion refugjatëve në Gjermani që nga fillimi i vitit të kaluar. Kancelarja Merkel ka thënë se ajo tani i pranon argumentet e tyre për t’u treguar fleksibël në “solidaritetin ndaj refugjatëve”, duke i ndihmuar ata në mënyra të tjera, përveç pranimit të tyre në vend. Vendet e Ballkanit në mars të këtij viti i mbyllën kufijtë e tyre për refugjatët.

XS
SM
MD
LG