Lidhje

Imazhi që ndryshoi strategjinë amerikane mbi Vietnamin


Para 50 vjetësh, më 11 qershor 1963, një murg i moshuar budist i vuri zjarrin vetes në mes të qytetit të Saigonit në shenjë proteste kundër shtypjes brutale të qeverisë së Vietnamit të Jugut, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Ky incident mund të ketë kaluar pa u vënë re nga komuniteti ndërkombëtar, por 2 gazetarë të agjencisë Associated Press vendosën ta mbulonin protestën me kamera. Fotografitë që ata bënë ndihmuan që komuniteti ndërkombëtar ta përqëndronte vemendjen në krizën e Vietnamit, madje e bindën administratën e presidentit Kennedy që të rishqyrtonte politikën e saj, vendim që ka pasur pasoja afatgjata.

Në Vietnamin plot trazira, viti 1963 shënoi fillimin e një kryengritjeje, që çoi në përmbysjen nga pushteti dhe vrasjen e Presidentit Ngo Dinh Diem të Vietnamit të Jugut dhe vëllait të tij, Ngo Dinh Nhu, shef i sigurimit kombëtar.

Kjo çoi në fillimin e operacionit ushtarak të Vietnamit të Jugut, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, kundër Viet Kongut, kryengritjes komuniste, me të cilën u përballën Shtetet e Bashkuara për shumë vjet, deri në tërheqjen nga Vietnami vitin 1975.

Por në qershor të vitit 1963 një murg i moshuar i quajtur Thich Quang Duc, bëri një protestë të dëshpëruar dhe tronditëse duke i vënë zjarrin vetes.

I veshur me një pelerinë kafe e me sandale dhe me ndihmën e shokëve të tij, murgu lagu trupin me benzinë dhe në qetësi të plotë i vuri zjarrin vetes.

Mes gazetarëve të huaj që ishin njoftuar lidhur me këtë protestë kundër qeverisë së Vietnamit të Jugut, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, vetëm dy: Malcolm Browne dhe Ha Van Tran sollën kamerat.

Fotografitë e tyre u botuan në faqet e para të gazetave në gjithë botën dhe krijuan rënqethje deri në Shtëpinë e Bardhë, duke e nxitur Presidentin John F. Kennedy që të jepte urdhër për rivlerësimin e politikës së Vietnamit.

Gazetari Browne, i cili vdiq në gusht të vitit të kaluar, kujton atë ditë fatkeqe gjatë një interviste në vitin 1998.

"Në një shesh pashë një murg të moshuar dhe dy murgj më të rinj, që e shoqëronin. Këta të fundit hodhën mbi kokën e murgut benzinë, e cila, më vonë mësova se ishte përzjerë me karburant avionësh, që të digjej për një kohë më të gjatë. Në atë moment ai nxorri një kuti shkrepseje, ndezi njërën dhe i vuri zjarrin vetes. Natyrisht që flakët e morën menjëherë dhe fytyra iu deformua. Mund ta shikoje shprehjen e fytyrës, që tregonte se ishte në dhimbje të tmerrshme, por zëri i tij nuk u dëgjua, megjithëse vazhdoi të digjej të paktën për 10 minuta, që u dukën si pa fund. Një zjarrfikës erdhi, por nja dy murgj u shtrinë përpara kamionit dhe ai nuk mund të kalonte e t’i afrohej murgut të moshuar, që po digjej. Dhe e gjithë kjo ndodhte ndërsa unë bëja fotografi".

95 vjeçari Pham Van Uyen, i cili banonte vetëm 20 metra larg vendit të protestës, pa një numër të pazakontë murgjësh që kalonin para shtëpisë së tij mëngjesin e asaj dite historike.

"Atmosfera ishte shumë e rëndë. Më kujtohet era që vinte nga djegja e trupit dhe gazi lotsjellës i përdorur nga policia, që përpiqej të luftonte protestuesit. Ishte një skenë kaotike. Unë nuk merren me politikë dhe nuk jam as fetar, por ajo ngjarrje më tronditi shumë".

Richard Pyle mbuloi luftën e Vietnamit për 5 vjet dhe ishte shef i degës së Associated Press në Saigon nga 1970-ta deri në 73.
Ai thotë se redaktori i fotografive, Horst Faas e inkurajonte fotografin Browne që ta merrte kamerën kudo që shkonte.

"Malcolm kishte kamerën dhe e përdorte atë me mjeshtëri. Horst Fass ishte redaktor fotografish i shkëlqyer, i cili i kishte thënë Malcolmit që të mos shkonte askund pa kamerën dhe Malcolmi e kishte kamerën me vete se e dinte që shefi i tij ia kishte bërë këtë të qartë. Edhe Viet Van Tran, vietnamezi që ishte me të kishte me vete kamerën, pra Associated Press kishte dy kamera atë ditë, ndërsa agjencitë e tjera nuk kishin asnjë".

Hal Buell punoi si fotograf për degën e Associated Press-it në Saigon gjatë luftës së Vietnamit. Ai thotë se instinkti i zotit Browne për të ndjekur ngjarrjen dhe për ta pasur kamerën me vete ishte diçka me vlerë.

"Ai u njoftua një natë më parë se të nesërmen do të ndodhte një ngjarrje e jashtëzakonshme. Dhe ndërsa korrespondentët e tjerë vendosën të mbulonin ngjarje të tjera, Malcolm Browne vendosi të shkonte në sheshin e Saigonit, ku me të vërtetë ai bëri një numër fotografish të një ngjarrjeje tepër tronditëse".

Hal Buell thotë se këto fotografi tronditën administratën e presidetit Kennedy, e cila rishqyrtoi politikën mbi Vietnamin.

"Fotografitë e Malcolmit e vunë luftën e Vietnamit në faqet e para të gazetave, luftë kjo që qëndroi në gazeta për më shumë se 10 vjet. Ato ishin fotografi tronditëse dhe tërhoqën aq shumë vemendje sa që njerëzit filluan të pyesnin se çfarë ishte Vietnami dhe çfarë po ndodhte në atë vend? Sa amerikanë ndodheshin atje? Dhe shumë pyetje të tjera të ndryshme".

Në nëntor të vitit 1963, presidenti i Vietnamit të Jugut, Ngo Dinh Diem, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, u përmbys nga pushteti dhe u vra bashkë me vëllain e tij, Ngo Dinh Nhu, shef i sigurimit kombëtar.

Amerikanët më në fund u tërhoqën nga Vietnami në vitin 1975.


XS
SM
MD
LG