Lidhje

Uashingtoni përkujton viktimat e komunizmit

  • Ilir Ikonomi

Në Uashington, disa dhjetra vetë u mblodhën dje për të përkujtuar 5-vjetorin e një përmendoreje kushtuar viktimave të komunizmit. Në ceremoni u fol edhe për Shqipërinë, si vendi që përjetoi një ndër regjimet më të egra komuniste në botë. Disa ish të burgosur politikë bënë thirrje që shoqëria dhe politikanët shqiptarë të tregojnë më tepër ndjeshmëri ndaj viktimave të komunizmit.

Përmendorja kushtuar viktimave të komunizmit ndodhet në një vend jo shumë të dukshëm në një kryqëzim rrugësh të Uashingtonit. Por për ata që vuajtën dhe të tjerë që e ndjejnë se lufta kundër mesazhit komunist nuk ka përfunduar, ajo flet shumë.



Në ceremoni janë sjellë shumë kurora për nderuar viktimat. Kanë ardhur personalitete politike.

Ish Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld, i tha Zërit të Amerikës se kjo është një luftë që vazhdon:

Më ka lënë përshtypje puna që është bërë për t’u kujtuar njerëzve tragjedinë e tmerrshme njerëzore që shkaktoi komunizmi kudo në botë gjatë dekadave. Ka rëndësi që njerëzve t’u kujtohet kjo dhe jam i kënaqur që ndodhem këtu.

Në fjalimin e tij në ceremoni, zoti Rumsfeld tha se tani është e qartë se çfarë i shkaktoi ideologjia totalitare njerëzimit:

Komunizmi është përgjegjës për vdekjen e më shumë qënieve njerëzore se çdo lëvizje tjetër në historinë e njerëzimit.

Disa shqiptarë që kanë ardhur këtu ndoshta mund ta tregojnë më mirë se askush tjetër këtë tragjedi:

Unë jam Rajmond Sejko, kam lindur në Tiranë, kam shetitur tërë Shqipërinë si i internuar e si i burgosur politik. Tani jam në Nju Jork, me gjithë familjen. Babai im është Teme Sejko, i pushkatuar; mamaja gjithashtu është vrarë, vëllai gjithashtu është pushkatuar nga komunizmi; dy xhaxhallarë po ashtu janë pushkatuar.

Mendoj duhet sa më shpejt të bëhet ligji i lustracionit me të cilin luajnë të dyja anët e politikës. Të bëhet sa më shpejt dhe t’u kërkohet falje të persekutuarve dhe të burgosurve politikë.

Pëllumb Lamaj, i cili ka vuajtur 12 vjet në burgun famëkeq të Spaçit, thotë se ata që erdhën në pushtet në Shqipëri pas viteve 90, synojnë t’i fshehin krimet e komunizmit.

Kur shikon sot që edhe e veja e diktatorit, bashkëpunëtorja e ngushtë e krimeve 50-vjeçare, deklaron dhe tregohet krenare për krimet që kreu ajo bashkë me bandën bolshevike të Tiranës, kjo është amorale dhe antidemokratike. Do të thosha që është çmenduri dhe nuk e kuptoj se si shoqëria shqiptare hesht, si klasa politike hesht përpara intervistave dhe deklaratave të tilla.

Shirley Cloyes Dioguardi, këshilltare e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, thotë se në Shqipëri, shumë nga persekutorët e së kaluarës shëtisin rrugëve dhe disa janë sot në qeveri.

Nuk jam për hakmarrje në masë por disa nga këta njerëz duhet të identifikohen, sepse kjo shoqëri nuk mund të ecë përpara pa një ndryshim thelbësor në këtë aspekt.

Viktimat e njërit prej diktatorëve më të egër stalinistë që kanë ekzistuar ndonjëherë në botë, nuk u shëruan kurrë nga plagët, kurrë nuk patën rastin të bëhen pjesë e rëndësishme e zhvillimit të vendit. Unë mendoj se ne duhet jo vetëm të bëjmë njohura vuajtjet e viktimave por edhe të kuptojmë se ky realitet, në shumë aspekte e ka dëmtuar psikologjinë dhe zhvillimin e kombit shqiptar.

Joe Dioguardi, ish anëtar i Kongresit, kujtoi vizitën që bëri në Shqipëri bashkë me anëtarin tjetër të Dhomës së Përfaqësuesve, Tom Lantosh në vitin 1990, kur regjimi komu8nist ishte ende në këmbë. Në komentet për Zërin e Amerikës ai përmendi nevojën që në Shqipëri t’u kërkohet falje ish-të përndjekurve.

Sot, pata rastin e mirë që t’i bëj thirrje kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë së Shqipërisë dhe t’u them: shembeni murin e mosbesimit, hapni arkivat e komunizmit, rivendosni besimin, “besën” që Enver Hoxha ia hoqi popullit, ngrini komisionin e së vërtetës dhe të ripajtimit, kërkojini falje njerëzve që vuajtën nën regjimit më të egër komunist dhe në kampet më brutale, ndoshta me përjashtim të kampeve naziste të Hitlerit.

Ceremonitë u mbyllën me një takim në Fondacionin Heritage, ku u fol për nevojën e edukimit të të rinjve me mësimet që duhen nxjerrë nga kjo pjesë e historisë totalitare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG