Lidhje

Viktimat e luftës në Irak kujtohen me një memorial në shtetin e Ilinoit


Viktimat e luftës në Irak kujtohen me një memorial në shtetin e Ilinoit
Viktimat e luftës në Irak kujtohen me një memorial në shtetin e Ilinoit

Trashëgimia e luftës në Irak, një prej konflikteve më të gjatë për ushtrinë amerikane, nuk dihet ende. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, kostoja e luftës është mëse e dukshme në një memorial të ngritur në shtetin qendror të Ilinoit.

Që të thuash se pensionisti Mike Farrare është patriot nuk është e mjaftueshme.

Epiteti i tij, mbi të gjitha, është i frymëzuar nga personazhi i filmave që merr pjesë në luftëra, Rambo.

"Dikush më tha se po të më prisnin, gjaku im do të ishte i kuq, i bardhë dhe blu. I tillë jam. Ky ka qënë emri im për rreth 20 vjet. Shumica e njerzve nuk e dine emrin tim. Ata më thërrasin Rambo".

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Farrare donte të kontribuonte në një fare mënyre në luftën kundër terrorizmit. Më 2003, ai dëgjoi se vullnetarët po ndërtonin një memorial afër shtëpisë së tij në Ilinoi për të nderuar personelin ushtarak amerikan që dha jetën në Lindjen e Mesme.

"Erdha këtu për të bërë punë vullnetare sepse në këtë mënyrë mund të kontribuoja në luftën kundër terrorizmit. Në atë kohë, isha përtej moshës s’ë lejueshme që të mobilizohesha në ushtri".

Farrare ndihmoi për ndërtimin e memorialit më të madh për nder të atyre që humbën jetën në luftërat në Irak dhe Afganistan.

Muri memorial i konflikteve në Lindjen e Mesme në Marseilles të Ilinoit mban emrat e mbi 6 mijë burrave dhe grave që kanë shërbyer në Lindjen e Mesme që prej vitit 1979 dhe që humbën jetën në krye të detyrës.

Më shumë se 75 për qind e emrave janë viktima të luftës 9-vjeçare në Irak.

"Rregulli numër 1 i luftës është se të rinj humbasin jetën dhe kjo nuk mund të ndryshojë".

Ёshtë një rregull që e njeh mirë djali i Mike Farrares, Matt. Ai shërbeu dy herë në Irak me ushtrinë amerikane, përfshirë edhe një mision në Bagdat në vitin 2006 në kulmin e një kryengritjeje të përgjakshme. Tani, kur viziton memorialin, 3 emra në mur kanë një domethënie të vaçantë për të.

"Caleb Lufkin, Gavin Reinke, Bryan Quinton. Ne ishin të gjithë bashkë në të njëjtën njësi".

Të tre shokët e ngushtë të Matt Farrares u vranë nga plagët që morën nga një shpërthim ndërsa patrullonin në Bagdat.

Megjithë humbjen e shokëve, Matt thotë se nuk është penduar që shërbeu në Irak.

"Asnjëherë nuk e vë në dyshim domethënien e kësaj lufte dhe misionin tim personal. Unë shkova në atë luftë me vetëdije të plotë. Mendoj se kjo luftë ishte diçka pozitive që ne bëmë. Pa dyshim që lufta zgjati shumë, por për këtë unë nuk fajësoj askënd".

Megjithëse lufta në Irak ka marrë fund, Mike Farrare thotë se disa beteja vazhdojnë për djalin e tij Matt.

"Gjatë gjithë jetës ai do të jetojë me ankthin mendor se ka humbur shokët dhe bashkëluftëtarët e tij në atë luftë".

Por Matt Farrare ka të atij, gjithashtu veteran, si dhe komunitetin përreth tij të angazhuar për ta ndihmuar atë të shërojë plagët e luftës, si të dukshme edhe të fshehura, ndërkohë që kujton ata ushtarë, emrat e të cilëve janë shkruar në këtë memorial në anë të lumit.

XS
SM
MD
LG