Lidhje

Ndërkombëtarët për viktimat e 21 janarit 2011


Kryeministria
Kryeministria

Në Shqipëri, në prag të dy vjetorit nga ngjarjet e dhunshme të 21 Janarit përpara godinës së qeverisë ku humbën jetën, të goditur me armë zjarri, katër manifestues të opozitës, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, ambasadori amerikan dhe ai i OSBE-së në Tiranë, bënë thirrje mbrëmë për një proces gjyqësor të bësueshëm e të lirë nga ndërhyrjet politike që të japë drejtësi për viktimat dhe një shpjegim të plotë të ngjarjes.

Dy vjet më parë protesta e opozitës kundër qeverisë përpara zyrave të saj në bulverdin kryesor të kryeqytetit, u kthye në një përleshje të dhunshme mes manifestuesve dhe forcave të policisë, duke përfunduar me një bilanc tragjik. Katër protestues mbetën të vrarë ndërsa nga brenda rrethimit të godinës qeveritare, forcat e gardës kishin nisur përdorimin e armëve të zjarrit.

Hetimet të cilat zgjatën më shumë se një vit, u mbyllën pas ekspertizës së realizuar nga FBI-ja amerikane. Ish komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe shoferi i tij, si dhe përgjegjësi i taknologjisë në kryeministri u arrestuan. Zoti Prendi u akuzua për vrasjen e një prej protestuesve. Një tjetër oficer i gardës, Agim Llupo, i arrestuar që në 2011 po ashtu u akuzua për vrasje. Procesi gjyqësor ndaj tyre vazhdon ende. Në qeli është vetëm oficeri Llupo. Ish komandanti është në gjendje të lirë sikurse dhe shoferi i tij, i akuzuar për fshehja të provave. Ndërsa përgjegjësi i teknologjisë Armando Kasaj, u lirua nga akuzat se kishte fshirë pamjet filmike nga kamerat në godinën e qeverisë dhe u shpall i pafajshëm. Nën hetim përfunduan edhe tre deputetë të partisë socialiste, të dyshuar për organizimin e veprimeve të dhunshme, por hetimi ndaj tyre u mbyll pasi përfituan nga aministia me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.

Ndërsa të hënën e ardhshme mbyshen dy vjet nga kjo ngjarja ambasada amerikan në Tiranë, përmes një deklarate u shpreh mbrëmë se të gjithë ata që u vranë dhe u lënduan gjatë asaj proteste “ishin viktima të dhunës së pakuptimtë e të pafalshme”. Deklarata nxit zbardhjen e plotë të ngjarjes. “Tani më shumë se kurrë, ka nevojë për shpjegim të plotë të ngjarjeve të 21 janarit nëpërmjet një procesi të besueshëm gjyqësor, të lirë prej ndërhyrjeve politike”, nënvizohet në deklaratën e ambasadës amerikane, ndërsa i bëhet thirrje”të gjithë udhëheqësve politikë dhe institucioneve të qeverisë që të punojnë pa pushim për të frymëzuar popullin shqiptar që të besojnë në demokracinë e tyre duke forcuar sundimin e ligjit”.

Thirrje për drejtësi për vrasjen e protestuesve ka bërë edhe ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth. Viktimat dhe të lënduarit, thekson ai “meritojnë drejtësi, bazuar në një hetim të lirë, të pandikuar nga politika dhe një proces gjyqësor të besueshëm e të shpejtë". Ambasadori Wollfarth shton se "Llogaridhënia dhe shteti i së drejtës janë elemente thelbësore të demokracisë dhe, si të tilla, janë parakushte për përparimin e mëtejshëm të aspiratave evropiane të Shqipërisë".

Ndërsa u shfaq optimiste pas publikimit te ekspertizës së FBI-së opozita socialiste nuk e ka fshehur mosbesimin e thellë për ecurinë e procesit gjyqësor. Nga ana e saj, shumica e cila nuk është tërhequr nga vlerësimi i saj se ngjarjet e 21 janarit ishin një përpjekje për grusht shteti, vazhdon të mbajë në këmbë komisionin hetimor parlamentar të ngritur vetëm me përfaqësuesit e saj, ndonëse ai praktikisht nuk kryen asnjë aktivitet.

XS
SM
MD
LG