Lidhje

Një prodhues violinash mban gjallë traditën familjare


Mbajtja gjallë e traditës familjare është e rëndësishme për 23-vjeçarin Richard Maxham. Korrespondentja e Zërit të Amerikës June Soh na njeh me brezin e pestë të një familjeje që prodhon violina në mënyrë artizanale. Ky zanat familjar e ka zanafillën para më shumë se një shekulli.

“Këto janë veglat që kam trashëguar nga gjyshi. Disa prej tyre madje janë nga punishtja e stër-stërgjyshit”.

Richard Maxham është duke punuar violinën e dytë në shtëpinë e tij. Ai thotë se violinat janë diçka e pandashme prej tij.

“Gjithmonë më mrekullonte puna e gjyshit me violinat. Kur shkoja në punishten e tij, më dukej se edhe unë doja të bëja të njëjtën gjë. Por ndërsa kalonin vitet kjo dëshirë u kthye në një vendim: unë doja të bëja pikërisht këtë gjë në jetë”.

Stër-stërgjyshi i tij filloi të prodhonte violina në vitet 1800 në Pensilvani. Këtë traditë e ruajtën edhe dy brezat e ardhshme. Por Richard thotë se babai i tij, violinist dhe kritik muzike, nuk kishte interes të bëhej zanatçi, megjithëse ai u mësoi fëmijëve si t’i bien violinës.

“Mendoj se ruajtja e traditës familjare është diçka me të vërtetë e nevojshme për mua”.

Pasi përfundoi kolegjin vitin e kaluar, Maxham punoi për prodhimin e violins së parë në qytetin e tij, Lynchburg të Virginias, me ndihmën e një zanatçiu.

“Punova për thuajse 7 muaj për ta përfunduar violinën dhe thuajse 2 muaj m’u deshën për ta lyer atë me llak”.

Ai e solli instrumentin tek Kompania Potter Violin pranë Washingtonit dhe filloi atje punën si riparues i violinave. Kur e mësoi këtë zanat, filloi të prodhonte vetë violinën. Dalton Potter është president i kompanisë:

“Richardi di ta ndërtojë violinën dhe ai mund ta bëjë këtë po aq mirë sa paraardhësit e tij. Ajo që ai duhet të bëjë tani është të merret me këtë punë çdo ditë dhe të perfeksionohet”.

Kompania Potter Violin shet dhe jep me qira një numër instrumentash, që nga violina të prodhuara në fabrikë, e deri tek ato të punuara hollë me punë artizanale, në të gjithë botën. Çmimi i tyre shkon nga disa qindra në disa mijëra dollarë, e deri në 60 mijë dollarë. Kompania ka 6 prodhues violinash, mes tyre edhe vetë zoti Potter.

“Violinat e punuara hollë, në mënyrë artizanale, zakonisht preferohen nga violinistët profesionistë, që interpretojnë me orkestra si ajo Simfonike Kombëtare, për shembull, ose Orkestra e Operas së Washingotnit, e Qendrës Kenedi”.

Për këto violina të perfeksionuara janë të interesuar edhe studentë seriozë të muzikës.

Marissa Murphy themeloi grupin “Harqet Suzuki të Washingtonit”, që jep mësim violine. Ajo e bleu violinën e saj në dyqanin Potter.

“Një student i talentuar mund të tingëllojë mirë me çdo lloj instrumenti. A duhet ta ndihmojmë këtë nxënës të talentuar, që të ketë një instrument të mirë? Kur një student është i aftë të na japë një tingull të bukur dhe një ton që vibron, ai bie në dashuri me një violin të tillë”.

Richard Maxham dëshiron të punojë pikërisht me këto instrumente të shkëlqyera, duke dhënë kontributin e tij në botën e violinave.

“Shpresoj të le pas trashëgiminë time përmes violinave që prodhoj”.

…Dhe ai shpreson se duke bërë këtë, kujtimi i gjyshit të tij do të vazhdojë të jetojë.
XS
SM
MD
LG