Lidhje

Vitaminat shtesë dhe kanceri

  • Astrit Lulushi

Një studim i ri hedh dyshime mbi vlerat e vitaminave shtesë në parandalimin e kancerit. Megjithatë, autorët e studimit nuk i heqin shpresat nga këto vitamina. Ata thonë se prova të tjera më të plota nevojiten.

Një studim i ri tregon se nëse merrni shtojca dietike me shpresë për të shmangur kancerin – ju mund jeni duke humbur paratë tuaja.

Sipas një ankete, më shumë se 50 për qind e të rriturve amerikanë marrin 1 ose më shumë vitaminë shtesë – duke e bërë prodhimin e vitaminave një industri me të ardhura vjetore prej 30 miliardë dollarësh.

Disa vitamina shtesë shiten me premtimin se ato luftojnë kancerin. Por një shqyrtim i literaturës shkencore, botuar në internet në revistën e Institutit Kombëtar të Kancerit, nuk gjen prova të tilla. Autorët e studimit thonë se;

- Vitaminat C dhe E nuk mbrojnë ndaj kancerit

- Beta-carotene dhe Alpha-Tocopherol nuk parandalojnë kancerin e mushkërive

- Alpha-Tocopherol dhe Selenium nuk arrijnë të ndalojnë kancerin e prostatës tek burrat me rrezik mesatar nga kjo sëmundje

Në fakt, thonë autorët, provat me disa anti-oxidant shtesë kanë treguar se ato dhe veçanërisht Beta-carotene, mund të shtojnë rrezikun e kancerit të mushkërive mes disa pacientëve në rrezik të lartë nga ky lloj kanceri.

Megjithatë, autorët e studimit nuk i heqin shpresat nga vitaminat shtesë. Ata thonë se prova të tjera më të plota nevojiten mbi rolin e vitaminave shtesë në parandalimin e kancerit.

Skleroza e shumëfishtë edhe mund të ndalet

Përdorimi i herëshëm i ilaçit kundër sklerozës së shumëfishtë (MS) mund të ngadalësojë keqësimin e sëmundjes. Skleroza e shumëfishtë godet trurin dhe palcën kurrizore. Sëmundja mendohet të jetë auto-imune – shkaktuar nga sistemi imunitar i vetë pacientit. Sistemi imun sulmon sistemin nervor, ndoshta si rezultat i ekspozimit ndaj një molekule me strukturë të ngjashme me të vetin.

Vuajtjet e pacientit nga këto goditje zgjasin për shumë ditë deri muaj – duke afektuar muskujt, shikimin madje edhe personalitetin.

Një studim i ri nga Akademia Amerikane e Neurologjisë konstaton se përdorimi i herëshëm i ilaçit “Beta-1A Interferon” mund të ngadalësojë e madje edhe të ndalojë përparimin e sklerozës të shumëfishtë.

Sipas studimit që zgjati 3 vjet dhe ku u përfshinë rreth 500 pacientë, ata që u trajtuan me “Beta-1A Interferon” menjëherë pas simptomave të para kishin më pak gjasa për të zhvilluar sklerozë të shumëfishtë “clinically definite” - kur sëmundja përcaktohet dhe diagnostikohet klinikisht.

Ngadalësimi i pezmatimit në fazën e herëshme të sëmundjes ruan qelizat nervore nga dëmtimi, thonë ekspertët, dhe se studimi thekson rëndësinë e diagnostikimit të herëshëm dhe trajtimit të sklerozës së shumëfishtë.

Humbja e dëgjimit, gjendje e patrajtuar

Miliona njerëz kanë vështirësi për të dëgjuar, por vetëm një numër i vogël i tyre përfitojnë nga aparatet ndihmëse të dëgjimit.

Sipas statitistikave 26.7 milionë amerikanë 50 vjeç e sipër vuajnë nga humbja e dëgjimit. Një studim në “Archives of Internal Medicine” konstaton se vetëm 1 në çdo 7 prej tyre përdor një aparat dëgjimi. Për personat në gjendje pune – 50 deri 59 vjeç – kjo shifër është afërsisht 1 në çdo 20 vetë.

Autorët e studimit thonë se shifrat pasqyrojnë një mungesë të sigurimit shëndetësor për trajtimin e humbjes së dëgjimit, si dhe përshtypjen e gabuar se humbja e dëgjimit vjen me moshën dhe nuk përbën ndonjë problem serioz.

Në fakt, humbja e dëgjimit mes të moshuarve shoqërohet me humbje të aftësive njohëse dhe humbje kujtese. Studimi tërheq vemendjen se humbja e dëgjimit shihet si një problem i parëndësishëm, prandaj vazhdon të mbetet gjerësisht edhe e pa trajtuar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG