Lidhje

Kryeqyteti i Shqipërisë është përfshirë nga një atmosferë e vecantë festive me rrugë e sheshe të zbukuruara dhe me fëmijë që marrin dhurata nga prindërit dhe të afërmit.

Bashkia po mbyll një nga një rindërtimet e cerdheve dhe kopshteve, falë angazhimit të 31 grupe dhuruesish vullnetarë, të cilët morën përsipër financimet për këto rregullime.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Velija vlerësoi sot bujarinë dhe bashkëpunimin e qytetarëve për të përmirësuar jetesën e fëmijëve në cdo zonë të qytetit.

Festat e fund-vitit i kanë nxitur organizatat dhe shoqatat jofitim-prurëse që t'u kushtojnë më shumë vëmendje shtresave sociale të varfëra.

Kryqi i Kuq Shqiptar po shpërndan në 22 qytete paketa ndihme me ushqimet kryesore për familjet e varfëra.

Në Tiranë Kryqi i Kuq ndau në një mijë familjet më të varfëra paketa të tilla për të mbështetur sadopak gjendjen e tyre të vështirë dhe për të gëzuar gjatë festave të fund-vitit.

Përfituesit, thotë një drejtuese e kryqit të Kuq për Tiranën, Angjelina Pulluqi, janë familje shumë të varfra, me shumë anëtarë dhe me pak të ardhura, me një kryefamiljarë dhe me fëmijë të vegjël, të moshuar të vetmuar.

Një seri shoqatash dhe organizatash po zhvillojnë veprimtari të ndryshme me fëmijë jetimë dhe grupime të tjera në varfëri.

Po ashtu një sërë donatorësh shqiptarë dhe të huaj po dhurojnë fonde, materiale, ushqime, veshmbathje dhe lodra për fëmijët.

Drejtuesi i organizatës E ardhmja Jonë, Alfred Muharemi thotë se kjo ditë transmeton vlerat njerëzore të shoqërisë, që të gjithë jetimët të ndjehen të barabartë.

Tashmë është bërë traditë që edhe ministria e brendshme të ndajë dhurata dhe të festojë me fëmijët dhe familjarët e policëve të vrarë në krye të detyrës.

Ministri i brendshëm, Saimir Tahiri dhe drejtues të tjerë të lartë mblodhën në një festë disa qindra prej tyre për të festuar së bashku.

Festat e fundvitit janë një rast për të gjithë që të tregojnë bamirësinë e tyre.

Shumë firma dhe qytetarë po shpërndajnë dhurata për fëmijë dhe familje të varfëra në një shoqëri që ka aq shumë nevojë, dhe ku ende pas 20 vjetësh nuk deklarohet se sa është minimumi jetik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG