Lidhje

Premierë e operas “Skënderbeu” të Vivaldit

  • Ilirian Agolli

Teatri i Operas dhe i Baletit i Shqipërisë ka vënë në skenë operan e artistit të njohur italian Antonio Vivaldit “Skënderbeu”. E kompozuar në vitin 1700, ajo është një nga veprat e rralla që kompozitorët e njohur botërorë i kanë kushtuar heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastriotit. Kjo është premiera e parë në Shqipëri e operas së njohur italiane, e cila e pati premierën e saj në teatrin e La Pergolas së Firences në vitin 1718. Në mesin e një krijimtarie të pasur me mbi 600 koncerte dhe opera, italiani i famshëm Vivaldi i kushtoi një vepër unike të stilit kalorsiak pikërisht heroit kombëtar të shtetit fqinj, Gjergj Kastriotit Skënderbej.



Drejtuesi i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, maestro Zhani Ciko, ka marrë përsipër ta dirigjojë vetë këtë vepër, e cila, thotë ai, i bën nder Skënderbeut dhe gjithë shqiptarëve. Ngjarjet zhvillohen në muret e Krujës, ndërsa qyteti është i rrethuar nga trupat turke që drejtohen nga sulltan Murati. Ushtarët otomanë kapin rob Donikën, ndërsa Skënderbeu i shqetësuar rrëmben vajzën e sulltan Muratit duke menduar që konflikti të zgjidhej me këmbimin e dy robëreshave. Në fund Skënderbeu e çliron vetë Donikën e tij me trimëri dhe artistët mendojnë se ka Vivaldi ka dhënë me këtë opera triumfin e dashurisë dhe burrërisë shqiptare.

Zoti Ciko thotë se “krahas vënies në skenë, vepra kaloi një proces të gjatë dhe të kujdesshëm restaurimi. Kjo premierë është dhurata më e madhe që Teatri i Operas i bën popullit shqiptar në 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar” - theksoi ai.

Biografët e Vivaldit tregojnë se ishte një shqiptar që shpëtoi veprat e tij. Një njeri i arteve prej një familjeje fisnike nga Durrësi, Xhakomo Duraco, shpëtoi nga zhdukja e plotë veprat e Vivaldit, pa e ditur se midis tyre ishte edhe opera e tij për Skënderbeun. Duraco mblodhi me durim, bleu pa kursim gjithçka, sistemoi çdo fletë të krijimtarisë së Vivaldit nëpër Europë dhe i dorëzoi në bibliotekën e Torinos të gjitha veprat e Vivaldit, të zhdukura dhe të shpërndara pas vdekjes misterioze të tij në Vjenë. Vite më vonë midis këtyre veprave u zbulua edhe opera “Skënderbeu” e artisit të madh, që ka nesër, pas 300 vjetësh nga kompozimi, premierën e parë shqiptare nesër në Tiranë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG