Lidhje

Vizita e nënpresidentit Biden dhe çështja Bytyçi


Vizita e nënpresidentit amerikan Joe Biden në Serbi, pritet veç tjerash t'i japë një shtytje procesit te ndriçimit të vrasjes së tre shqiptaro-amerikanëve 17 vjet më parë.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999 ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë. Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.

Çështja e vëllezërve Bytyçi dhe vizita e Nënpresidentit amerikan
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:51 0:00

Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo, ku janë vrarë nga afërsia. Trupat janë gjetur shumë vjet më pas në varrezë masive me duar të lidhura me tela.

Nënpresidenti Biden shkon në Beograd pak ditë pasi disa dhjetëra ekspertë të njohur që kanë punuar apo punojnë në nivelet më të larta qeveritare, akademike dhe shoqërinë civile, kanë nënshkruar një letër të hapur ku u kërkohet udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të angazhojnë qeverinë e Serbisë për zbardhjen e krimeve të luftës, duke përfshirë rastin e vëllezërve Bytyçi.

Vëllai i tyre, Fatos Bytyçi, kishte biseduar disa herë me autoritetet serbe për vënien para drejtësisë të autorëve të vrasjes. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, ai tha se kishte marrë disa herë zotimet edhe nga kryeministri serb Aleksandër Vuçiç për ndriçimin e kësaj ngjarjeje, madje një zotim i tillë ishte përsëritur edhe në takimin e vitit të kaluar të kryeministrit serb me nënpresidentin amerikan.

"Ai vet i ka thënë nënpresidentit Joe Biden se unë do ta kryej rastin e vëllezërve Bytyçi, pa e pyet Joe Biden. Ai shprehet se do të ketë sukses, por për fat të keq, unë kam biseduar me të që, kriminelët e luftës janë duke e bllokuar në çdo mënyrë rastin e vëllezërve Bytyçi, që mos të ndriçohet".

Fatos Bytyci por edhe organizatat humanitare në Serbi thonë se përgjegjës kryesor është Goran Radosavleviç – Guri, një ish gjeneral i policisë serbe dhe aktualisht anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Përparimtare serbe të kryeministrit Vuçiç.

"E kam ngritur çështjen e tij sepse Goran Radosavleviç – Guri, është anëtar i SNS-së (Partia Përparimtare Serbe) dhe është biznesmen dhe kriminel më i madh në Serbi, ashtu që është edhe kriminel lufte edhe si të them, bosi i kriminelëve të Beogradit. Në Serbi 82 është numri kryesor i krimeve të luftës dhe 4 mijë e 500 është numri i rasteve që dihen se kanë marrë pjesë ne krimet në Kosovë", thotë Fatos Bytyçi

Që nga viti 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë. Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.

Praveen Madhiraju është përfaqësues ligjor i familjes Bytyçi. Ai thotë se gjatë dhjetë viteve të fundit ka pasur shumë premtime por asnjë veprim konkret.

"Në thelb, nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik. Kjo nuk është vetëm në rastin e vëllezërve Bytyçi. Është problem në tërë procesin e trajtimit të krimeve të luftës. Organizatat joqeveritare që kanë studiuar këtë çështe dhe madje edhe hulumtuesit nga OSBE-ja kanë arritur në të njëjtin konkluzion se kur flitet për krimet e luftës, Serbia nuk ka vullnetin e duhur politik”, thotë Praveen Madhiraju.

Në Fondin për të Drejtën Humanitare në Serbi, shpresojnë se gjatë vizitës së nënpresidentit Biden, autoritetet serbe nuk do të mund të bëjnë vetëm premtime boshe por duhet të dëshmojnë se do të ketë veprime konkrete për të identifikuar dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e vëllezërve Bytyci.

Që në tetor të vitit 2013 ligjvënësit amerikanë Eliot Engel dhe Michael Grimm paraqitën në Kongres një rezolutë me të cilën kërkohej që Beogradi të ndjekë autorët e vrasjes duke nënvizuar se përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, apo mungesa e tij, duhet të jetë faktor thelbësor në vendosjen e marrëdhënieve të mëtejshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

XS
SM
MD
LG