Lidhje

Vizita e ardhshme e Presidentit Obama në Australi dhe diplomacia amerikane

  • Phil Mercer

Vizita e ardhshme e Presidentit Obama në Australi dhe diplomacia amerikane

Vizita e ardhshme e Presidentit Obama në Australi dhe diplomacia amerikane

Presidenti Obama do të flasë para një sesioni të përbashkët të parlamentit australian këtë javë, gjatë një vizite që shënon 60 vjetorin e aleancës ushtarake mes Kanberës dhe Uashingtonit. Traktati ANZUS, mes Australisë, Zelandës së Re dhe Shteteve të Bashkuara, u nënshkrua në San Francisko në shtator 1951, në kulmin e Luftës së Ftohtë. Qeveritë që kanë mbajtur pushtetin në Australi që nga ajo kohë e kanë trajtuar këtë aleancë si themelore për sigurinë afat-gjatë të vendit.

“Kemi ardhur në San Francisko për të festuar 60 vjetorin e aleancës amerikano-australiane në vendin ku lindi aleanca në vitin 1951”.

Në muajin shtator, Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton kryesoi një ceremoni zyrtare festimesh për traktatin që garanton sigurinë e Australisë, e cila është bërë një ndër aleatët më besnikë të Amerikës. Asnjë vend tjetër nuk ka kontribuuar në luftime përkrah Shteteve të Bashkuara në secilin nga konfliktet madhore që nga Lufta e Parë Botërore.

Megjithëse vizita e Presidentit Obama në Kanbera dhe Darvin pritet ta forcojë këtë miqësi, Xhefri Garet, kreu i Qendrës për Studime mbi Shtetet e Bashkuara në Universitetin e Sidnejt thotë se kjo vizitë ka të ngjarë të shënojë një zhvendosje vendimtare në diplomacinë amerikane:

“Mendoj se ky udhëtim do të tregojë një ndryshim strategjik në politikën e jashtme amerikane, me një largim nga Lindja e Mesme dhe lufta kundër terrorizmit për t’u përqendruar më shumë mbi Azi-Paqësorin”.

Zoti Garet beson se Australia po merr një rol më të madh në zhvillimet tregtare dhe të sigurisë.

“Udhëheqësit amerikanë shpesh thonë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë mik më të mirë në botë se Australinë. Mendoj se kjo deklaratë është e vërtetë pasi Australia është partneri më i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara në realizimin e marrëveshjes trans-atlantike për tregti të lirë dhe besoj se bashkëpunimi dhe shkëmbimet ushtarake mes Australisë dhe Shteteve të Bashkuara janë më të hapura dhe në nivel më të lartë se me çdo vend tjetër në botë, me përjashtim ndoshta të Britanisë”.

Presidenti Obama pritet të njoftojë planet për të dislokuar marinsa amerikanë në Australinë veriore, një hap që ka zgjuar shqetësime për Kinën. Tom Switzer i Universitetit të Sidnejt beson se nevojitet një diplomaci e kujdesshme australiane për të balancuar synimet e saj ushtarake dhe ekonomike:

“Forcimi i Kinës paraqet realitete të ndryshme për Amerikën dhe Australinë. Për Amerikës ky fakt përbën daljen në skenë të një rivali gjeopolitik, ndërsa për Australinë Kina është partneri më i madh tregtar. Por Australia duhet të arrijë të menaxhojë marrëdhëniet me dy fuqi botërore. Nga njëra anë ka përballë përparësitë amerikane të sigurisë, nga ana tjetër ka zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me Kinën. Ky dyzim mund të bëhet shumë i vështirë në të ardhmen nëse ka tensione në Detin e Kinës së Jugut ose në Ngushticën e Tajvanit. Nuk mund të përjashtohet një skenar i tillë”.

Angazhimi i Australisë në Afganistan do të analizohet gjatë vizitës së Presidentit Obama. Viktimat e kohëve të fundit nuk e kanë mpakur vendosmërinë e Kanberës për ta çuar deri në fund misionin, megjithëse aktivisti kundër luftës Pip Hinman thotë se trupat australiane duhet të kthehen në atdhe menjëherë:

“Kjo luftë është një shpenzim i madh fondesh, përveç viktimave në radhët e ushtarëve. Shuma të mëdha po shpenzohen për një luftë që po e dëmton seriozisht Afganistanin, po kalon në Pakistan dhe po e shkatërron edhe atë vend, si dhe po shkatërron jetët e ushtarëve që dërgohen për të luftuar. Pikërisht për këtë arsye, anketat tregojnë se njerëzit nuk e shohin më të arsyeshme këtë luftë, për më tepër e konsiderojnë si të pamoralshme dhe të padrejtë”.

Megjithëse lufta në Afganistan nuk gëzon popullaritet tek një numër i madh australianësh, anketat tregojnë se aleanca me Shtetet e Bashkuara gjen mbështetje të gjerë në këtë vend:

Ja se si shprehet një grua:

“I gëzohem pa masë. Mendoj se që nga Lufta e Dytë Botërore, po të mos kishim mbështetjen e amerikanëve, nuk do t’ia kishim dalë vetë. Kemi nevojë për ndihmë. Jemi 22 milionë vetë, pra një pikë e vogël në jug të Paqësorit. Na nevojiten amerikanët, çfarëdo baze që duan të ndërtojmë, e mirëpresim”.

Një burrë komenton kështu:

“Mendoj se marrëdhënia vlerësohet më shumë se e meriton. E kemi tepruar me aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara. Nuk e di që të ketë ndonjë përfitim për Australinë”.

Australia vazhdon të ketë lidhje të forta kulturore me Britaninë dhe mirëqënia e saj po varet gjithnjë e më shumë nga Kina. Por udhëheqës të ndryshëm në Australi kanë thënë se faktori më i vlefshëm i është aleanca e sigurisë me Shtetet e Bashkuara. Zoti Obama do të jetë presidenti i pestë i Shteteve të Bashkuara që viziton Australinë gjatë mandatit presidencial.

XS
SM
MD
LG