Lidhje

Vjenë, takohen ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor


Ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor u takuan sot në Vienë për të diskutuar mbi të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian në rajon. Nisma e Evropës Qendrore është një forum ndërqeveritar i cili shërben për të nxitur bashkëpunimin dhe integrimin në Bashkimin Evropian mes 18 vendeve anëtare të saj.

Takimi i këtij viti u organizua nga Austria, ministri i jashtëm i së cilës tha se zgjerimi duhet të vazhdojë pas pranimit të Kroacisë vitin e kaluar.

Tema kryesore kishte të bënte me ecurinë e reformave në vendet kandidate, Maqedoni, Mal i Zi, Serbi, si dhe në vendet që shpresojnë të marrin këtë status si Shqipëria dhe Bosnja.

Komisioneri i zgjerimit, Stefan Fuele, tha se reformat e vendeve kandidate duhet të jenë të tilla që t'u sjellin përfitime popujve të tyre gjatë gjithë procesit të anëtarësimit dhe jo vetëm si një mjet për të arritur një qëllim.

"Nuk flas thjesht për reforma por për reforma të besueshme, që u sjellin përfitime popujve të këtyre vendeve në gjithë procesin e pranimit dhe jo vetëm në përfundim të tij," tha zoti Fuele.

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç tha se Beogradi është i gatshëm t'i vazhdojë reformat.

"Ne duhet të mbështesim vazhdimin e dialogut me Prishtinën, ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes, krijimin e një sistemi legjislativ evropian si dhe reformën e gjyqësorit dhe të sistemeve tona legjislative," tha zoti Daçiç.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati vlerësoi fuqinë transformuese të Bashkimit Evropian.

"Nëse e shikon rajonin sot, duket se ne jemi në kilometrat e fundit kur armiqtë bëhen fqinjë, dhe kjo në sajë të fuqisë transformuese të Bashkimit Evropian dhe të politikës së zgjerimit," tha ministri shqiptar.

Ministri i Jashtëm i Bosnjes, Zllatko Lagumxhija falenderoi Austrinë për mbështetjen në punën për të përballuar përmbytjet e rënda që preken Bosnjën kohët e fundit.

"Peisazhi i Evropës ka ndryshuar 100 vjetët e fundit, por peisazhi i vendit tim ka ndryshuar brenda pak javëve të fundit, sepse ne patëm katastrofën më të madhe natyrore në historinë e vendit. Dëshiroj të falenderoj solidaritetin e treguar nga Bashkimi Evropian," tha zoti Lagumxhija.

Ai vlerësoi rolin udhëheqës të institucioneve evropiane, Bankës Botërore dhe Kombeve të Bashkuara për mënyrën se si ato bashkëpunuan me Bosnjën në përballimin e përmbytjeve, të cilat patën një ndikim shkatërrues në të gjithë vendin.
XS
SM
MD
LG