Lidhje

25 vjet pas protestës së Tienanmenit


U mbushën 25 vjet që nga shtypja e demonstratës së Tiananmen-it në Kinë. Dhe ndërsa kujtesa për shtypjen e përgjakshme të protestave është e gjallë në mendjet e shumë vetëve, ndoshta ky përvjetor mund të mos përmendet fare nga mediat në Kinë. Ky fakt shërben si një kujtesë e fortë se, 25 vjet pas ngjarjes së pranverës së vitit 1989, udhëheqësit e Kinës nuk i janë përgjigjur ende një prej kërkesave kryesore të protestuesve - thirrjes për liri shtypi.

Gjatë protestave të vitit 1989, kur gazetarët ju bashkuan studentëve nëpër rrugë, një nga parrullat që ata mbanin në duar ishte: “Mos na detyroni të themi gënjeshtra!”

Ndërsa protesta ulur e studentëve vazhdoi për disa javë me radhë në sheshin Tiananmen, disa botime që mbështeteshin nga udhëheqësit e reformuar e mbuluan ngjarjen me objektivitet.

Gazetari me bazë në Hong Kong, Liu Ruishao, raportonte në atë kohë lidhur me mitingjet nga Pekini për një gazetë të Hong Kong-ut. Ai thotë se vetë udhëheqja kineze kishte krijuar disa kushte më liberale për raportimin më të saktë të lajmeve në Kongresin e Partisë në vitit 1987.

“Udhëheqësit kishin bërë disa deklarata, duke thënë se njerëzit duhet të informohen dhe të diskutojnë lidhur me çështje të rëndësishme. Atmosfera ishte më e hapur dhe njerëzit në qarqet e shtypit ishin shumë aktivë.”

Shtypja me dhunë e 4 qershorit tregoi se përfaqësuesit e vijës së ashpër brenda Partisë Komuniste mbizotëruan.

Udhëheqësit që kishin folur në favor të refomës së shtypit i kishin veçuar dhe një projektligji që synonte ta bënte median më të hapur nuk i ishte kushtuar vëmendje.

Udhëheqësit kinezë pastaj shfrytëzuan median e kontrolluar nga shteti, për të përhapur mesazhin e tyre, duke denoncuar lëvizjen demokratike. Shumë gazetarë, që kishin mbajtur anën e studentëve, u burgosën, ose u pezulluan.

Tani, 25 vjet më vonë, Kina është tregu më i madh i botës për gazetat dhe përdoruesit e internetit, dhe të dyja këto forma të medias rregullohen nga autoritetet.

Megjithë kontrollin e rreptë të internetit, sidomos të faqeve me përmbajtje politike, Interneti mbetet një forcë madhore për përhapjen e informacionit dhe shkëmbimin e ideve.

Përdoruesit e Internetit diskutojnë vazhdimisht aty mbi idetë politike, për t’i ekspozuar zyrtarët e akuzuar për korrupsion, ose për të publikuar videot e shkelësve të ligjit.

Ching Cheong, gazetar i njohur nga Hong Kongu, thotë se më parë kishte më tepër shpresë mes intelektualëve dhe tek publiku i zakonshëm në Kinë, se internet do të shërbente si një katalizator për lirinë.

“Por është e qartë se kjo nuk ka për të ndodhur, sepse presidenti kinez Xi Jinping sapo ka urdhëruar krijimin e një komisioni kombëtar për të monitoruar sigurinë në internet, po ashtu, në fjalimin e tij të vitit të kaluar, më 19 gusht, ai tha se interneti është bërë një burim kërcënimi ndaj sigurisë kombëtare.”

Megjithë kontrollet e vazhddueshme, gazetarët e kundërshtojnë hapur cenzurën shtetërore.

Vitin e kaluar, redaktorët e revistës me pikëpamje liberale “Southern Weekly”, organizuan një protestë, pasi cenzuruesit e Partisë Komuniste nuk e morën parasysh thirrjen e tyre për reforma kushtetuese.

“Politikat ndaj lirisë së shtypit nuk kanë ndryshuar në 25 vjetët e fundit, por ajo që ka ndryshuar janë aspiratat në rritje për lirinë e shtypit nga njerëzit e zakonshëm, nga punonjësit e industries së medias, intelektualët dhe studentët.”

Ai thotë se njerëzit e zakonshëm nuk po i lejojnë zyrtarët e propagandës të kenë monopolin e lajmeve.
XS
SM
MD
LG