Lidhje

100-vjetori i pavarësisë në Kongresin amerikan

  • Ilir Ikonomi

Anëtarë të Kongresit amerikan dhe personalitete të tjera përkujtuan rolin e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë për shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore

Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, anëtarë të Kongresit amerikan dhe personalitete të tjera përkujtuan rolin e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë për shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Veprimtaria u organizua nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën drejtimin e çiftit Joe dhe Shirley Dioguardi.

Në Kongresin amerikan, 100-vjetori i shpalljes së pavarësisë u përkujtua në një mënyrë të veçantë. Një numër anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve e të Senatit, si dhe personalitete të rëndësishme të lobit hebre në Shtetet e Bashkuara, u mblodhën të nderojnë shqiptarët që me një vepër unike gjatë Luftës së Dytë Botërore fituan simpatinë e botës.

Senatori nga Nju Jorku, Charles Shummer, ka paraqitur në senatin amerikan një rezolutë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Në rezolutë vlerësohet populli i Shqipërisë dhe i Kosovës për shpëtimin e jetës së hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, kur 6 milion hebrej u asgjësuan egërsisht, Shqipëria ishte i vendi vend në Evropë që kishte më tepër hebrej se sa përpara fillimit të luftës.”

Kjo, tha senatori, flet për mikpritjen, trimërinë dhe humanizmin e shqiptarëve.

Prapa rezolutës dhe organizimit të këtij aktiviteti prestigjoz në Kongresin amerikan qëndron çifti Joe dhe Shirley Dioguardi, udhëheqës të organizatës lobiste Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

“Tani ekziston një lidhje reale që po forcohet akoma më shumë, mes popullit shqiptar dhe Kongresit amerikan. Kjo ka rëndësi. Ne festojmë 100 vjetorin e pavarësisë. Por vetëm në vitin 1919 Shqipëria u njoh si shtet. Kjo ndodhi falë presidentit demokrat Woodrow Wilson. Pastaj, në vitin 2008, ishte Presidenti republikan George W. Bush që solli njohjen e Kosovës. Prandaj, unë mendova se ishte një ide e mirë që festimi i pavarësisë të bëhej në selinë e Kongresit amerikan, në Kapitol”.

Agim Aliçkaj nga Nju Jorku është i biri i Arif Aliçkajt, njëri prej atyre që shpëtuan hebrej në Kosovë. Ai bëri thirrje që shteti i Izraelit të njohë Kosovën.

“Babai im nuk kërkoi ndonjë shpërblim. Ai na tregoi se kishte shpëtuar hebrej por kurrë nuk mendoi se kjo do t’i njihej një ditë me mirënjohje. Ai mendonte se ishte detyrë morale e një shqiptari për ta bërë këtë dhe vdiq pa e ditur se sot ai do të kujtohej në një rezolutë të Kongresit amerikan. Ai do të ishte i lumtur nëse do ta kishte ditur këtë. Babai im do të ishte akoma më i lumtur nëse shteti demokratik i Izraelit do ta njohte Kosovën si shtet i pavarur”.

Zonja Shirley Dioguardi, një veprimtare aktive e çështjeve shqiptare, është dakord.

“Izraeli ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë për shkak të asaj që shqiptarët bënë gjatë Holokaustit.”

Kryetarja e komisionit të punëve të jashtme në Kongresin amerikan, Ileana Ros Lehtinen, kujtoi rrugën e vështirë të popullit shqiptar gjatë 100 viteve që nga shpallja e pavarësisë:

“Vendosmëria e popullit shqiptar për të qenë të lirë nuk u lëkund kurrë megjithë koston e lartë. Njëzet vjet më parë, populli shqiptar përmbysi sunduesit komunistë dhe filloi rindërtimin e vendit. Kush do ta kishte besuar se shqiptarët do të bëheshin kaq shpejt një demokraci, anëtarë të NATO-s, dhe aleatë të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Zonja Shirley Dioguardi thotë se pjesëmarrja e kongresmenëve dhe senatorëve me ndikim në këtë veprimtari ishte me rëndësi për shqiptarët.

“Ky takim i sotëm bëri që anëtarët e Kongresit të pohojnë edhe një herë se shqiptarët janë forca më pro-amerikane dhe më prodemokratike në Evropë”.

Dana Rohrabacher është kongresmeni që e paraqiti rezolutën për 100-vjetorin e pavarësisë në Dhomën e Përfaqësuesve:

“I jemi mirënjohës popullit shqiptar për aktin e tyre. Jam krenar që ndodhem mes jush në këtë takim për të falenderuar popullin shqiptar, i cili i tregoi botës se qëniet njerëzore në kohë krizash janë në gjendje të veprojnë me guxim”.

Në takimin e djeshëm ndodhej edhe artistja e njohur Kara Dioguardi, e bija e zotit Joe Dioduardi.

“Jam shumë e gëzuar që ndodhem këtu për të kremtuar gjithë ato gjëra që kanë bërë shqiptarët pçr popullin hebre dhe jam shumë krenare për këtë. Është me shumë rëndësi fakti që ata shpëtuan shumë jetë njerëzish. Ne duhet t’i falenderojmë ata për vlerën e tyre të madhe që babai im e quan besa, pra kur dikush të vjen në shtëpi, ti e pranon dhe e nderon”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG