Lidhje

Gjoni: Tifozët serbë kërcënuan delegacionin shqiptar në stadium

  • Festim Gashi

Atmosfera në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri ishte jashtëzakonisht e tensionuar thotë Vladimir Gjoni, Drejtor i Sporteve në Ministrinë shqiptare të Arsimit dhe Sportit. Zoti Gjoni, i cili ishte pjesë e delegacionit të Shqipërisë në stadiumin “Partizani” në Beograd, tha se tribuna ku ndodhej delegacioni shqiptar u kërcënua dhe u sulmua nga tifozët serbë por falë kabinave me xhama nuk pati të lënduar. Ai tha se para dhe pas ndeshjes, i gjithë delegacioni shqiptar në çdo hap u survejua, u mbulua me polici dhe me trupa speciale të veshur si për gjendje lufte. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Gjoni gjithashtu tha se përveç dhunës së tifozëve serbë ndaj lojtarëve të Shqipërisë, policia serbe për një moment ndaloi edhe Olsi Ramën, vëllau i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjoni, çfarë ndodhi në stadium, pra si filloi incidenti dhe përleshjet në stadium nga ajo që keni parë ju?

Vladimir Gjoni: Që në fillimi atmosfera ishte tepër e tensionuar. Një histeri kolektive, mund të them, në gjithë stadiumin, me gjarje dhe ofendimet më banale. Dhe dëgjoheshin thirrje në stadium, “vdekje shqiptarëve”, në kor i gjithë stadiumi. Në stadium nuk u lejua asnjë lloj i flamurit shqiptar për arsye të mos garantimit të sigurisë nga forcat e rendit, sipas tyre. Nuk u lejuan as tifoza shqiptarë. Vetëm një përbërje e vogël e një delegacioni që nuk i kalonte as 100 vetë, të cilët ishin akomoduar në tribunat vip të stadiumit. Por, edhe aty ne nuk e ndjemë veten të sigurt. U kërcënuam, goditëm...

Zëri i Amerikës: Ju sulmuan tifozët edhe juve?

Vladimir Gjoni: Po, patjetër që na sulmuan dhe na goditën edhe ne. Ndoshta nuk arritën fizikisht te ne, por duke gjuajtur me sende të forta edhe në kabinat tona. Falë mbylljes së shpejtë ta dyerve të xhamave të tyre, ne nuk pësuam dëmtime. Kurse një grup tjetër i joni që ishte në një kabinë tjetër, ata u ndaluan. Bile edhe vëllain e kryeministrit, Olsi Ramën policia e ndaloi për pak kohë për arsye se ata dyshonin se ai e kishte lëshuar mjetin fluturues pasi ai kishte një aparat fotografik në dorë. Dhe mendonin se aparati ishte telekomanda e helikopterit (mjetit flutures të telekomanduar). Nuk u mbajt gjatë, por u ndalua pa asnjë shkas, pa anjë gjë, vetëm sepse kishte një aparat fotografik në dorë. Dhe pastaj e kuptuan se ishte vëllai i kryeministrit dhe siç duket u tërhoqën. Mjeti fluturues kishte vendosur një flamur me portretin e Ismali Qemalit dhe Isa Boletinit dhe u shëtit në stadium. Aty u ndërëpre loja me qëllim që ta kapnin këtë mjet. Bile hyri një spektator me një karrike të gjatë që të arrinte ta kapte. Edhe pastaj u krijua dyndja dhe spektatorët hynë në fushë dhe goditën futbollistët tanë. Disa prej tyre morën plagë.

Zëri i Amerikës: Sa lojtarë të përfqësueses së Shqipërisë u lënduan dhe çfarë plagë morën ata?

Vladimir Gjoni: Po të shikoni edhe pamjet filmike, aty ka edhe lojtarë që goditen me karrike në mes të fushës, ka goditje me grushta, me grushta turive. Çka ishte më e keqja, më e rënda për policinë e atij shteti, në qoftë se mund t’i themi shtet, se në korridoret dhe tunelet kur futbollistët tanë, u ndërpre ndeshja dhe hynë brenda. Aty u goditën nga policët me uniformë.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjoni, ka patur njoftime se edhe para fillimit të ndeshjes kishte incidente dhe i gjithë delegacioni dhe përfaqësuesja e Shqipërisë janë shoqëruan nga policia speciale serbe. Çfarë mund të na thoni më konkretisht për këtë? Ishte atmosferë e tensionuar për ju?

Vladimir Gjoni: Atmosfera ishte mëse e tensionuar, jashtë mase e tensionuar, ashtu sikur të ishte gjendje lufte, në çdo hap të survejuar, të mbuluar me polici, me trupa speciale të veshur si për gjendje lufte. Një pjesë e delegacionit u ndalua për tre orë në aeroportin e Beogradit. Me gjithë ndërhyrjen e ambasadorit dhe personave tjerë, mezi u lejuan. Bile një pjesë e tyre nuk u lejuan dhe u kthyen mbrapsht në aeroportin e Beogradit. Kurse një grup i përbërë nga media shqiptare, me gazetarë të njohur si Sokol Balla, Blendi Fevziu, Bushati e të tjerë, u ndaluan dhe u vonuan në aeroport për tre orë. Nuk kalonin dot dhe pa asnjë shkak.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjoni, ka patur shumë paqartësi në lidhje me mënyrën se si është mbyllur ndeshja. Kush e ndërpreu ndeshjen, arbitri apo zyrtari i UEFA-s?

Vladimir Gjoni: Pas ndërprerjes së ndeshjes rreth minutës së 40, u futën brenda lojtarët dhe zyrtarët, përfshirë presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, zotin Armand Duka, në prani të përfaqësuesit të UEFA-s dhe arbitrit. Arbitri dhe përfaqësuesi i ndeshjes shtruan pytjen: “A jeni ju dakord që ndeshja të vazhdojë?” Përgjigja e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, zotit Armand Duka, ishte se “si mundet të vazhdojë një ndeshje e tillë, a ka mundësi nga ana fizike dhe psikologjike, kur këta futbollistë janë dëmtuar, të vazhdojë një ndeshje e tillë?" Aq më tepër ai i shtroi pytjen gjyqtarit: “Ju gjyqtar keni guxim të dilni në fushë dhe të vazhdoni këtë ndeshje?” Aty çdo gjë u ndërpre, ndeshja u pezullua. Tani pritet mendimi i organeve kompetente të UEFA-s për të mbajtur qëndrimin dhe masat rreth kësaj ngjarje të shëmtuar.

Zëri i Amerikës: Sipas rregullave të UEFA-s çfarë do të ndodhë me rezultatin e ndeshjes, do t’i jepet fitorja Shqipërisë apo do të përsëritet ndeshja?

Vladimir Gjoni: Mund të merren disa masa. Nuk e di, janë organet përkatëse që do ta gjykojnë. Por sipas mendimit tim, së pari do të ndëshkohet vendi organizator. Së dyti, natyrisht ndeshja duhet t’i jepet Shqipërisë në tavolinë, pikët duhet t’i jepen Shqipërisë. Masat e mëtejshme pastaj mund të jenë përjashtimi i Serbisë ose zhvillimi i ndeshjeve pa tifozë që është në gjykimin e të dërguarve të komisionit të UEFA-s që bëjnë këto vlerësime. Bile harrova të thosha edhe një gjë tjetër që edhe futbollistëve, kur kanë dalë nga dhomat e zhveshjes, u është bërë një kontroll i imët në të gjitha sendet, edhe sendet personale që kishin. Ky kontroll u bë edhe ndaj neve, kur dolëm nga stadiumi dhe hipëm në autobus për të shkuar në aeroport. Nisja nga aeroporti, nga ora 12 që duhej të ishte, u bë në orën tre.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndodhi me flamurin? E morën futbollistë shqiptarë apo u konfiskua?

Vladimir Gjoni: U sulën futbollistët serbë ta merrnin, e tërhoqën poshtë pasi e ulën me mjetin fluturues që e kishin vendosur. Pastaj një futbollist i jonë e rrëmbeu flamurin, e mori. Flamuri pastaj përfundoi në duart e arbitrit të ndeshjes. Por, flamuri nuk u dorëzua te futbollistët serbë.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjoni, faleminiderit për intervistën.

Vladimir Gjoni: Ju lutem. Faleminderit juve.

XS
SM
MD
LG