Lidhje

Ministrja e Kosovës për Integrimin viziton Serbinë


Kjo shënon vizitën e parë në Beograd të një përfaqësuesi të lartë të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008

Ministrja e Kosovës për Integrimin, Vlora Çitaku vizitoi sot Beogradin. Ndonëse zonja Çitaku shkon atje në një funksion jozyrtar, kjo shënon vizitën e parë në Beograd të një përfaqësuesi të lartë të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Duke folur në një konferencë të organizuar nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, zonja Çitaku tha se Serbia duhej të njohë pavarësinë e Kosovës.




"Politikanët serbë duhet të kuptojnë se Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë", tha zonja Çitaku.

Procesi i integrimit në BE e ka ndihmuar Serbinë dhe Kosovën të tejkalojnë epokën e trazuar të viteve 90, e cila kulmoi në një konflikt dhe përfundoi pas 11 javë sulmesh ajrore të NATO-s.

Zonja Çitaku tha se procesi i pajtimit do të jetë i gjatë, por mund të arrihet.

"Kjo urë mendore do të duhet të kapërcehet nga Serbia dhe nga qytetarët e saj, e njëjta urë mendore do të duhet të kapërcehet edhe në Kosovë," tha zonja Çitaku për të pranishmit, ku ndodhej edhe i dërguari i sapo-emëruar i Kosovës në Serbi, Valdet Sadiku.

Një nga organizatorët e konferencës, Dushan Janjiç i Forumit për Marrëdhënie Etnike, tha se Serbia dhe Kosova duhet të kërkojnë pika të përbashkëta, për të cilat të bien dakord.

"Le të mos humbim energjinë tonë për gjëra ku nuk jemi dakord dhe të punojmë për ato ku jemi dakord. Përvoja perëndimore na thotë: krijoni identitetin tuaj, respektoni identitetin e tjetrit, respektoni diferencat, por ndërtoni institucione të bazuara në interesa të përbashkëta," tha zoti Janjiç.

Vizita e zonjës Çitaku vjen një javë para se Bashkimi Evropian të vendosë nëse do t'i japë Serbisë datën për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.
XS
SM
MD
LG