Lidhje

Vlorë: Nderimet e fundit për gjykatësin e vrarë Skerdilajd Konomi


Vlorë: Nderimet e fundit për gjykatësin e vrarë Skerdilajd Konomi
Vlorë: Nderimet e fundit për gjykatësin e vrarë Skerdilajd Konomi

Në Shqipëri, qindra qytetarë të Vlorës, përfaqësues të qeverisë dhe deputetë i bënë sot nderimet e fundit Skerdilajd Konomit, gjykatësit i cili mbeti i vrarë dje në një atentat në qendër të qytetit bregdetar, pas shpërthimit të një sasie eksplozivi në makinën me të cilën ai po udhëtonte. Ngjarja tronditi mbarë opinionin në Shqipëri. Autoritetet dhe drejtues të institucioneve të drejtësisë reaguan me ashpërsi duke e cilësuar ngjarjen si një akt terrorist e mafioz. Në hetime janë përfshirë ekspertët më të mirë dhe një shumë prej 100 mijë eurosh është vënë në dispozicion të kujtdo që jep informacion mbi autorët

Trupi i pajetë i gjyqtarit Skerdilajd Konomi u vendos sot në hollin e Teatrit të Vlorës, pranë bulevardit qëndor të qytetit ku dje ai u vra, nga një shpërthim eksplozivi të vendosur në makinën me të cilën po udhëtonte. Njerëz të tij të afërm, qytetarë të thejshtë, përfaqësues të lartë politik e deputetë të të dy krahëve, drejtues të institucioneve të Drejtësisë bën homazhe për të nderuar Konomin. Trupi i tij më pas u dërgua në varrezat e Babicës ku ju dha dhe lamtumira e fundit gjyqtarit 33 vjecar i cili u ekzekutua në mënyrë të egër, në një atentat i cili tronditi jo vetëm opinion por edhe shtetin. Autoritetet më të lartë të vendit reaguan dje me forcë duke e quajtur atentatin një sulm mafioz dhe terrorist ndaj sistemit të drejtësisë por edhe ndaj vetë shtetit. I njejti qëndrim është shprehur edhe sot në deklaratat e përfaqësuesve të ndryshëm politik të cilët gjendeshin sot në Vlorë për të përcjellë Konomin në banesën e fundit. Nënkryetari i këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu deklaroi se ka kërkuar një mbledhje urgjente të këtij institucioni. Sipas tij duhet dhënë një mesazh i fortë pasi kur dhunohet jeta e një gjyqtari, sa mund të jetë e garantuar jeta e qytetarëve, tha ai.

Mesazhi i hidhur i vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi bëri që i gjithë shteti dje të aktivizohej menjëherë. Takimi i djeshëm i presidentit Bamir Topi me krerët e Prokuorisë, policisë dhe shërbimeve sekrete ishte një lëvizje për të shprehur domosdoshmërinë e një kundërpërgjigjeje efikase. Atentate të tjera të bujshme në të kaluarë n, si ai ndaj një gjyqtari të Gjykatës së lartë vitin e shkuar apo dhe vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindi dy vjet më parë kanë mbetur ende pa autorë. Por ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dha dje shpresë e deklaroi se ka prova dhe dëshmitarë, duke shprehur gatishmërinë e qeverisë për të sjellë edhe ekspertizë të huaj nëse kjo do të jetë e nevojshme. 100 mijë euro janë vënë si shpërblim për këdo që jep informacione mbi autorët, ndërsa krahas verifikimit të dosjeve që Konomi ka patur në shqyrtim si gjyqtar po hetohet edhe një pistë tjetër që lidhet me prona të familjes së gjyqtarit në zona të kërkuara turistike pranë Durrësit.

XS
SM
MD
LG