Lidhje

Lëndë acide në fytyrë një gjykatëseje në Vlorë


Gjykata e Vlores
Gjykata e Vlores

Gjyqtarja Mirela Mishgjoni është sulmuar ndërsa po dilte nga banesa e saj. Mjekët “ka dëmtime në syrin e majtë dhe në gojë”. Reagon komuniteti i gjyqtarëve

Në Shqipëri një gjyqtare e gjykatës penale të Vlorës, Mirela Mishgjoni është sulmuar gjatë ditës së sotme, nga një person ende i paidentifikuar i cili i ka hedhur në fytyrë lëndë djegëse acide. Gjykatësja 40 vjecare është dëmtuar, sipas mjekëve të spitalit të Vlorës, në syrin e majtë dhe në gojë. Sulmi ndaj saj ka ndodhur ndërsa po dilte nga shtëpia. Ende nuk janë të qarta motivet, por dyshohet se ngjarja mund të lidhet me profesionin e saj si gjyqtare.

Mishgjoni ishte rikthyer si gjykatëse në 2009, pas një seri procesesh gjyqësore lidhur me një vendim të vitit 2002 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e saj si gjyqtare. Në atë kohë Këshilli i lartë i Drejtësisë e kishte vlerësuar se gjyqtarja kishte “thyer rëndë disiplinën në punë”.



Për ngjarjen e sotme Këshilli i Lartë i Drejtësisë reagoi duke “dënuar më forcë këtë akt të rëndë”, thuhet në një deklaratë të shpërndarë për mediat sipas të cilave nënkryetari Elvis Cefa ka komunikuar me autoritetet e policisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe vënies para drejtësisë së autorëve të saj.

Po ashtu edhe Gjykata e Lartë u shpreh se “sulmi ndaj gjyqtares Mishgjoni, përbën një atentat të rëndë kundër pushtetit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë dhe anëtarëve të tij. Kjo ngjarje, por edhe disa të tjera të ndodhura gjatë viteve të fundit ndaj gjyqtarëve, personelit të gjykatave, familjarëve dhe pronës së tyre, përbëjnë shqetësim serioz”, vijon deklarata e GJykatës së Lartë, ndërsa kërkon “marrjen e masave të menjëherëshme ligjore, institucionale, organizative e materiale nga ana e organeve kompetente, jo vetëm për zbardhjen e ngjarjes dhe vënies përpara përgjegjësisë ligjore të fajtorëve, por edhe zbatimin e dispozitave ligjore duke garantuar mbrojtje efektive për parandalimin e ngjarjeve të tilla të shëmtuara dhe çnjerëzore”.

Në shtator të vitit 2011, po në Vlorë një tjetër gjyqtar, Skerdilajd Konomi mbetir I vrarë nga një atentat me autobombë në qendër të qytetit. Autorët e ngjarjes së rëndë nuk u zbuluan asnjëherë.
XS
SM
MD
LG