Lidhje

VMRO-DPMNE fitore e dyfishtë


Në Maqedoni, partia konservatore VMRO-DPMNE ka shënuar fitore të dyfishtë në zgjedhjet e djeshme, të parakohëshme parlamentare dhe presidenciale.

VMRO-DPMNE ka marrë 61 vende në Parlamentin prej 123 vendesh, ndërsa kandidati i saj presidencial Gjorgje Ivanov ka fituar 55 përqind të votave.

Por, opozita maqedonase nuk e njeh rezultatin për shkak të, siç vlerëson ajo, manipulimeve dhe vjedhjes së votave nga ana e pushtetit.


VMRO-DPMNE fitore ne zgjedhje
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:01 0:00

Vëzhguesit ndërkombëtarë bënë vërejtje për shkak të mosndarjes së aktiviteteve të shtetit nga ato të partisë dhe kritikuan mënyrën e mbulimit të fushatës nga mjetet e informimit.
Zgjedhjet e së dielës në Maqedoni i kanë siguruar edhe një mandat qeveritar partisë VMRO-DPMNE dhe presidentit Gjogje Ivanov, por ato mund të rezultojnë, sipas analistëve, në një krizë të re politike, për shkak të qëndrimit të Lidhjes Social Demokratike të opozitës ndaj procesit.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i ka shpallur rezultatet e para sipas të cilave, VMRO-ja ka fituar 61 vende në Parlament, Lidhja Social Demokrate 34, BDI 19, PDSH 7, Rilindja Demokratike Kombëtare 1 dhe partia Opsioni Qytetar për Maqedoninë 1 deputet.

Edhe zgjedhjet presidenciale i fiton kandidati i VMRO-së, Gjorgje Ivanov me 55 për qind të votave. Stevo Pendarvoski i Lidhjes Social Demokrate arriti të marrë 41 për qind të votave.

Por, drejtuesi opozitar maqedonas Zoran Zaev, ende pa filluar mirë procesi i numërimit të votave të dielën në mbrëmje, tha se opozita nuk i njihte rezultatet, as të zgjedhjeve parlamentare, as të atyre presidenciale.

Zoti Zaev tha se qytetarët e Maqedonisë janë mashtruar, se pushteti me Nikolla Gruevskin në krye tregoi se nuk ka aspak vullnet për zbatimin e një procesi elementar demokratik të zgjedhjeve. Zgjedhjet, sipas opozitës maqedonase, ishin jo të drejta, jo demokratike dhe jo të qytetëruara. Opozita akuzon për vjedhje dhe blerje të votave.

Misioni i vëzhguesve të ODIHR-it dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në komentet e para e vlerëson procesin si efikas dhe të qetë.

Ambasadori Gert Ahrens, shef i Misionit të ODIHR-it tha se nuk është në mandatin e vëzhguesve ndërkombëtarë të komentojnë rezultatin e zgjedhjeve, apo vendimet politike për bojkotimin e ngjarjeve ose institucioneve të caktuara deri sa këto veprime nuk kanë ndonjë lidhje me ndonjë trysni ndaj të drejtës së votuesve për të vendosur në mënyrë të lirshme.

Zoti Ahrens tha se në periudhën para zgjedhjeve nuk u plotësuan zotimet e rëndësishme të OSBE-së, përfshirë ndarjen e shtetit nga partia, sigurimi i kushteve të barabarta për garë, neutraliteti i medias, saktësia e regjistrit zgjedhor dhe mundësia e zgjidhjes së parregullsive përmes një procedure për paraqitjen e ankesave.
Vëzhguesit ndërkombëtarë vërejtën se pushteti kishte zënë hapsirën në mjetet e informimit gjatë gjithë fushatës.
ODIHR dhe Asamblea Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe OSBE shprehin keqardhje për njoftimin e partisë më të madhe opozitare maqedonase për mospranimin e rezultatit të zgjedhjeve.

“U bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve politikë që të punojnë së bashku për të siguruar fillimin normal të punës së qeverisë së re. OSBE është e gatshme t’u ndihmojë politikanëve në këtë proces me qëllim të përparimit të demokracisë”, tha Kristine Mutonen nga misioni i OSBE-së.

Vëzhguesit thanë se ky zhvillim si dhe disa probleme të tjera e kanë lënë në hije procesin e zgjedhjeve. Vëzhguesit bënë të ditur se kanë vërejtur të kishte frikësim të votuesve gjatë gjithë fushatës. “Gjithashtu partia shqiptare në pushtet (BDI) vazhdoi bojkotin e zgjedhjeve presidencialeve dhe ka ushtruar presion ndaj votuesve shqiptar mos të votojnë në të”, tha përfaqëuesja e OSBE-së.

Ndërkohë, partia VMRO-DPMNE i vlerëson zgjedhjet e djeshme si më demokratike dhe të qeta që ka pasur ndonjëherë vendi në historinë e tij që nga pavarësia.

Partia nuk e ka fshehur kënaqësinë nga fitorja e thellë, e dyfishtë, ndërsa drejtuesit e saj kanë theksuar nevojën për vazhdimin e reformave dhe integrimeve të vendit.

VMRO-ja me partnerët e vegjël të koalicionit të saj festoi pas mesnate në sheshin e Shkupit, ndërkohë që ndarazi festuan edhe mbështetësit e Bashkimit Demokratik për Integrim nëpër sheshe dhe rrugë të qytetetev të banuara me shqiptarë. Partia ka siguruar 19 vende në Parlamentin e Maqedonisë:

“Aktivitetin e shtabeve zgjedhore të BDI-së e shpall si një nga fitoret më të mëdha në historinë e BDI-së. BDI-ja në këto zgjedhje ka fituar mbi 150 mijë vota”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ndërkaq, Partia Demokratike Shqiptare akuzon BDI-në për vjedhje apo blerje të votave.
Rezultati është i kënaqshëm për PDSH-në, ndërsa BDI-së i them të mos festojnë se nuk kam ndërmend t’ia pranoj rezultatin, rezultat që i ngjan atyre të Koresë së Veriut. Janë përafërsisht 57 mijë vota të marra me dhunë dhe kërcënim. PDSH do të ketë 8 ose 9 deputetë, të maftushëm për të vazhduar bisedimet për të qenë në qeveri”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Zoti Thaçi edhe gjatë fushatës ka theksuar bindjet se partia e tij do të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar. VMRO-ja nuk ka mohuar zhvillimin e bisedimeve me PDSH për këtë çështje. Dy partitë kanë pasur afërsi në të kaluarën dhe në parim VMRO-ja, sipas analistëve, do të ishte më e kënaqur me PDSH-në në qeveri, por nga ana tjetër nuk mund të anashkalohet vullneti i shumicës së votuesve shqiptarë që iu besua BDI-së.

XS
SM
MD
LG