Lidhje

Britania dhe lufta në Afganistan

  • Henry Ridgwell

Me 15 ushtarë të vrarë korriku ishte një muaj vdekjeprurës për forcat britanike që luftojnë në Afganistanin jugor. Anketat e opinionit publik tregojnë se mbështetja për luftën po bie ndërkohë që po rritet skepticizmi i publikut mbi justifikimin e qeverisë për konfliktin.

Debatet po shtohen pas ashpërsimit të grindjeve diplomatike mes Britanisë dhe Pakistanit mbi luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit.

Nën mbulesën e errësirës, trupat britanike në Afganistan filluan ofensivën e tyre më të madhe të kësaj vere kundër Talebanëve. Operacioni “Tor Shazada” përfshin qindra ushtarë britanikë dhe afganë.

Ata po përpiqen ta pastrojnë qytetin Sayedebad në jug të vendit nga kryengritësit. Forcat e koalicionit thonë se kjo është fortesa e Talebanëve, ku ata prodhojnë paisje eksplozivësh që për çdo ditë përbëjnë rrezik për trupat ushtarake dhe popullatën afgane.

Komandanët britanikë thonë se operacioni ka shënuar përparim të mirë. Por në përgjithësi ky ishte muaj i vështirë për trupat në Afganistan dhe, në Britani mbështetja e publikut për luftën po bie. Pesëmbëdhjetë ushtarë britanikë u vranë vetëm në muajin korrik.

Kjo ndodh ndërkohë që kryeministri David Cameron do të presë presidentin pakistanez me të cilit do të diskutojë mbi mosmarrëveshjet diplomatike mes dy vendeve. Në një udhëtim që zhvilloi kohët e fundit në Indi, zoti Cameron e akuzoi Pakistanin për “eksportim të terrorizmit.”

Ai e justifikoi luftën duke thënë se trupat po e mbajnë të sigurtë Britaninë nga terrorizmi. Por profesori Malcolm Chalmers i Institutit Mbretëror të Londrës thotë se publiku nuk pajtohet me këtë arsyetim. Ai thotë:

“Qeveria e tanishme dhe e mëparshmja kanë përdorur të njëjtin argument të “terrorit zinxhir” sipas të cilit ne duhet të qëndrojmë në Afganistan për të penguar lëvizjen e al-Qaidës nga Pakistani në Afganistan sepse kjo mund të parandalojë sulme terroriste në rrugët e Londrës. Ky është një argument i ndërlikuar dhe me shumë faza i cili nuk besohet nga shumica e njerëzve në vend.”

Britanikët nuk janë të vetmit që kanë dyshime ndaj këtij arsyetimi. Dy mijë forca holandeze janë tërhequr nga provinca jugore Uruzgan, pasi koalicioni qeveritar në Holandë u shpërbë pas mosmarrveshjeve mbi dislokimin e trupave në Afganistan.

Trupat kanadeze do të fillojnë tëheqjen vitin e ardhshëm. Zyrtarët e forcës së NATOs në Afganistan, ISAF, insistojnë se koalicioni është i bashkuar.

Edhe nëse numri i trupave nuk ndryshon, profesori Malcolm Chalmers thotë se e ardhmja e mbështetjes publike për misionin varet nga përparimi i situatës atje.

“Nëse në verën e vitit 2011 njerëzit nuk shohin përmirësim të dukshëm të gjendjes, atëherë unë nuk mendoj se njerëzit këtu apo në SHBA do të mbështesin vazhdimin e misionit. Ashtu si lufta e Vietnamit mbështetja e publikut për këtë luftë do të filloj të bierë me shpejtësi të madhe.” - thotë ai

Komandantët në Afganistan shpresojnë se operacionet si “Tor Shazada” do të sjellin rezultate. Por analistët paralajmërojnë se kërkohet përparim i madh për të t’iu kundërvënë peshës së opinionit publik, si në Britani ashtu edhe në vendet e tjera të NATOs, se kjo luftë mund të fitohet.

XS
SM
MD
LG