Lidhje

Kopshti Botanik i Uashingtonit, një ndër bukuritë e fshehura të qytetit


Kopshti Botanik i Uashingtonit, një ndër bukuritë e fshehura të qytetit
Kopshti Botanik i Uashingtonit, një ndër bukuritë e fshehura të qytetit

Vizitorët që vijnë për herë të parë në Kopshtin Botanik të Uashingtonit mbeten të mahnitur nga pasuria dhe bukuria e këtij parku që ndodhet sa pranë, aq edhe larg zemrës së kryeqytetit amerikan. Kopshti Botanik ndodhet në një lagje periferike, ku linjat e transportit publik janë të rralla. Ka edhe plot uashingtonas që nuk e kanë vizituar ndonjëherë këtë kopësht, megjithëse i ndërtuar prej dekadash.

Kopshti Botanik Kombëtar ka një sipërfaqe prej 180 hektarësh dhe ndodhet në pjesën lindore të Uashingtonit, disa kilometra larg qendrës së qytetit. Këtu natyra shpaloset në gjithë madhështinë e saj. Falë kujdesit që i kushtojnë kopshtit personeli i specializuar, ai është bërë një vend ideal për të gjetur pak qetësi nga rrëmuja e kryeqytetit.

Joan Love është vizitore e rregullt. Ajo thotë se i njeh thuajse të gjitha bimët e ekspozuara dhe sheh këtu kafshë që nuk i gjen kurrë në qytet:

“Ka plot gjëra për të bërë e parë këtu. E mira është që nuk të besohet se je në Uashington. Je i rrethuar nga kjo mrekulli.”

Kolonat e Kopshtit Botanik janë gdhendur nga gur gëlqeror nga Virxhinia dhe dikur ndodheshin në hyrjen lindore të ndërtesës së Kapitolit. Ato kanë përjetuar inaugurimin e presidentëve Thomas Jefferson dhe Dwight Eisenhower. Kur u rinovua Kapitoli në vitin 1958, ato u zëvendësuan nga kolona mermeri dhe Kopshti Botanik i mori kolonat e vjetra.

Përveç se shërben si oaz qetësie, Kopshti Botanik ka edhe një tjetër funksion, siç shpjegon Thomas Elias, drejtor i Kopshtit:

“Kopshti Botanik u ngrit në vitin 1927 me vendim të Kongresit, që të shërbente si objekt arsimor dhe kërkimor, i përkushtuar ndaj studimit të bimëve dhe informimit të publikut amerikan.”

Çdo vit, Kopshti Botanik dërgon shkencëtarë për të mbledhur specie bimësh nga e gjithë bota. Ato sillen në park dhe mbillen dhe pastaj përdoren në studime për krijimin e bimëve që u rezistojnë sëmundjeve dhe insekteve.

Zyrtarët e Kopshtit Botanik tregojnë me krenari një pavion ku janë ekspozuar specie për prodhimin e bio-karbureve:

“Kjo shërben për t’u treguar vizitorëve se cilat janë bimët që mund të përdoren për të prodhuar etanol apo bio-karbure të tjera. Kemi zgjedhur 21 bimë të ndryshme që në një mënyrë apo tjetër, mund të përdoren për prodhim karburanti.”

Ndër to janë algat, jonxha, palma afrikane e vajit dhe specie të njohura si luledielli, soja dhe sorgumi.

Por, pavarësisht nga informacioni interesant që merr në Kopsht, ajo që i tërheq vizitorët është qetësia e mjedisit.

Nga pika më e lartë e Kopshtit Botanik mund të shohësh ndërtesën e Kapitolit dhe Monumentin e Uashingtonit. Por vizitorët, gjithsesi ndjehen si në një oaz larg qytetit dhe botës së politikës.


XS
SM
MD
LG