Lidhje

SHBA: Shtohet numri i njerëzve që pajisen me kupona ushqimore

  • Mil Arcega
  • Zëri Amerikës

Rënia ekonomike dhe ulja e vazhdueshme e ritmeve të punësismit në Shtetet e Bashkuara kanë rezultuar në një rritje të madhe të numrit të amerikanëve që përdorin kuponat ushqimore. Sistemi i ndihmës sociale me kupona ushqimore u krijua për të ndihmuar amerikanët me të ardhura të ulta , por përdorimi i këtyre kuponave është shtuar ndjeshëm në dy vitet e fundit. Sipas të dhënave të fundit qeveritare, një në 8 amerikanë tani mbështetet tek kuponat për të siguruar ushqimin e përditshëm.

Me gati 15 milionë amerikanë të papunë, një program i rezervuar dikur për njerëzit që duhet të përfitonin ndihmën sociale, është bërë një fakt i jetës për shumë amerikanë.
Muzikantja dhe shkrimtarja Rosalind Bllok është një nga rreth 40 milion njerëzit të cilët mbështeten në Programin e Ndihmës Ushqimore, i njohur zakonisht si ushqimi me kupona.


Pasi recesioni goditi ekonominë amerikane, zonja Bllok thotë se ajo humbi shumicën e klientëve të saj , dhe më pas babai i fëmijës së saj vdiq, duke i lënë asaj më pak mundësi.

"Unë kam një arsim shumë të mirë në një universitet me emër, jam në moshë të mesme, unë duhet që të veproja ndryshe kohë më parë për mos të rënë në një situatë të tillë. Por, janë kohë të vështira. " - thotë ajo


Rosalinda nuk është e vetme. Në dy vitet e fundit, sipas të dhënave të qeverisë amerikane, programit të ushqimit me kuponë i janë shtuar 11 milion njerëz - një rritje prej më shumë se 40 për qind.
Karlos Rodriguez në Bankën Ushqimore të Nju Jorkut thotë se recesioni ka ndikuar tek njerëzit e të gjitha shtresave:

"Kemi mësuar për familje që kishin kursime dhe që ecnin me rregull në shpenzimet e tyre ekonomike. Kjo krizë i ka detyruar disa prej tyre që të vinin këtu për të kërkuar këtë lloj shërbimi, që disa prej tyre, sinqerisht nuk e dinin që mund t’u ofrohej atyre”.
Për t’u marrë në konsideratë për këtë ndihmë, familjet duhet të plotësojë disa kushte të të ardhurave. Për një familje prej katër personash, duhet që të ardhuart neto në muaj të jenë më pak se dy mijë dollarë.

Robert Doar, Komisioneri i Shërbimeve Sociale në New York, thotë se prirja kryesore ka qenë rritja e numrit të atyre që kanë punë me të ardhura të pakta. Zoti Doar thotë:

"Kohë më parë kuponat ushqimore ishin për njerëzit që nuk kishin punë. Tani është një mbështetje e madhe për njerëzit që e kanë një punë, dhe ky është një ndryshim i madh."


Me rritjen e numrit të amerikanëve që kanë nevojë për ndihmë, disa thonë se ndryshimi tjetër i madh ka qenë për paragjykimet sociale që shoqërojnë paisjen me kupona ushqimore.
Rosalind Bllok thotë se çdo ndjenjë turpi që ajo kishte dikur, tani është zëvendësuar me mirënjohje dhe siguri.

XS
SM
MD
LG