Lidhje

Seancë për transmetimet ndërkombëtare

  • Cindy Sain

Një ish drejtues i transmetimeve ndërkombëtare amerikane i bëri thirrje Kongresit që të riorganizojë këtë agjenci në mënyrë që ajo të ndjekë direktivat e politikës së jashtme amerikane. Propozimi u paraqit gjatë një seance të komisionit të jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, ku pati kritika ndaj Bordit të Guvernatorëve për Transmetimet Ndërkombëtare. Ky bord mbikqyr Zërin e Amerikës dhe transmetues të tjerë ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës është mes transmetimeve ndërkombëtare amerikane që mbikqyren nga Bordi i Transmetimeve, i cili është vënë në shënjestër të analizave dhe kritikave të Kongresit amerikan.

Janarin e kaluar, Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Hillary Clinton i tha një komisioni të Kongresit, që hetonte ngjarjet e 11 shtatorit 2012 në Bengazi të Libisë, se Bordi i Transmetimeve nuk është funksional, madje praktikisht "ka vdekur".

Dje, Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet e Jashtme, republikani Ed Royce, tha se problemi nuk ka të bëjë me gazetarët që punojnë për Zërin e Amerikës dhe transmetues të tjerë.

"Çdo shërbim transmetimi ka plot gazetarë të përkushtuar, që me të vërtetë rrezikojnë jetën e tyre gjatë punës që bëjnë".

Por puna e gazetarëve bëhet edhe më e vështirë, tha ligjvënësi Royce dhe të tjerë gjatë seancës së djeshme, sepse misioni në përgjithësi i agjencisë është i paqartë në periudhën e pas luftës së ftohtë.

James Glassman, ish kryetar i Bordit të Transmetimeve, tha se zgjidhja është që t’i jepet fund statusit të pavarur të agjencisë dhe ajo të bëhet pjesë e Departamentit të Shtetit.

"Shërbimeve të ndryshme ndërkombëtare duhet t’u bëhet e qartë se ato janë pjesë e sektorit publik dhe ekipit të politikës së jashtme amerikane. Kjo nuk do të thotë thjesht që të punohet në përputhje me objektivat e gjera të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, siç thuhet në ligj, por të zbatohen direktivat strategjike".

Gazetarëve të Zërit të Amerikës u kërkohet me ligj që të japin informacione të sakta, objektive dhe të gjithanshme si dhe të paraqesin politikat e Shteteve të Bashkuara në mënyrë të qartë dhe të efektshme.

Por Jeff Hirschberg, ish anëtar i Bordit të Transmetimeve, i tha komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve se përfshirja e Zërit të Amerikës dhe transmetuesve të tjerë nën ombrellën e Departamentit të Shtetit do të prishte besueshmërinë, që ato kanë krijuar për dekada me radhë.

"Aspekti më i rëndësishëm që shërbimet amerikane të transmetimeve ndërkombëtare kanë në favor të tyre nëpër botë është besueshmëria".

Në një deklaratë të Bordit të Transmetimeve thuhet se bordi i tanishëm është përpjekur për gjetjen e mënyrave që të zgjidhë çështjet strukturore të agjencisë me synimin që të garantojë kushtet më të mira për gazetarët e saj në gjithë botën.

Disa ligjvënës thanë se transmetues të tjerë ndërkombëtarë, si al-Jazeera, kanë buxhete më të mëdhenj, prandaj bënë thirrje për më shumë fonde për Zërin e Amerikës dhe transmetues të tjerë për t’i ndihmuar ato që të konkurojnë në arenën ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG